Turizmi është një sektor ku ndikimi ekonomik i investimeve private shtrihet përtej kapaciteteve akomoduese. Zhvillimi i resorteve dhe destinacioneve turistike krijon hapësirë për aktivitet në sektorët e shërbimeve, të gastronomisë dhe të argëtimit, ndërsa shoqërohet me krijimin e vendeve të punës dhe me detyrime fiskale ndaj institucioneve publike.
Në këtë kontekst, rëndësi merr jo vetëm vlera e investimit, por edhe aktiviteti që zhvillohet përreth tij: shërbimet që ofrohen, njerëzit që punësohen dhe infrastruktura që ndërtohet për të mbështetur funksionimin e një destinacioni turistik.
Një shembull është Green Coast, projekti turistik dhe rezidencial i BALFIN Group në Rivierën Shqiptare. Projekti përfshin struktura akomoduese dhe njësi banimi, restorante, beach bars, hapësira rekreative dhe ambiente publike. Sipas të dhënave të kompanisë, ai lidhet me mbi 2.000 të punësuar, ndërsa plani i përgjithshëm përfshin nëntë hotele me pesë yje.
Dimensioni ekonomik i projektit pasqyrohet edhe në kontributin e tij fiskal. Sipas të dhënave financiare të kompanisë, Green Coast parashikohet të gjenerojë në total 126,36 milionë euro të ardhura fiskale për institucionet publike gjatë gjithë periudhës së zhvillimit dhe funksionimit të projektit. Nga kjo shumë, 48,21 milionë euro janë gjeneruar dhe paguar deri më sot, gjatë fazave të ndërtimit dhe të aktivitetit operacional, ndërsa 78,15 milionë euro të tjera parashikohet të gjenerohen në vijim. Kontributi fiskal përfshin tatimet dhe taksat, TVSH-në, pagesat ndaj Bashkisë së Himarës dhe detyrime të tjera ndaj institucioneve publike. Këto të dhëna dëshmojnë jo vetëm kontributin aktual të investimit në financat publike, por edhe potencialin e tij fiskal afatgjatë.
Rasti i Green Coast tregon se ndikimi ekonomik i një investimi turistik mund të shqyrtohet përmes disa treguesve: kontributit fiskal, punësimit dhe shërbimeve që mbështesin aktivitetin e destinacionit.
Për të krijuar një panoramë të plotë të ndikimit të turizmit në ekonominë shqiptare, këta tregues duhen parë së bashku me të dhëna të tjera mbi bizneset vendase, furnitorët dhe aktivitetin ekonomik të krijuar në zonat turistike.
