Kompanitë që prodhojnë, importojnë apo tregtojnë produkte me elementë digjitalë në Shqipëri do t’u nënshtrohen kërkesave të reja për sigurinë kibernetike, ndërsa shkelja e detyrimeve mund të ndëshkohet me gjoba deri në 15 milionë lekë ose 2.5% të xhiros vjetore.
Këto janë disa nga parashikimet e projektligjit “Për kërkesat e sigurisë kibernetike për produktet me elementë digjitalë dhe qëndrueshmërinë kibernetike”, i publikuar për konsultim publik.
Nisma synon të vendosë për herë të parë një kuadër të unifikuar ligjor për sigurinë kibernetike të produkteve digjitale që vendosen në tregun shqiptar, duke përcaktuar detyrime konkrete për prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe operatorët e tjerë ekonomikë.
Projektligji është hartuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me institucione të tjera, dhe përafron legjislacionin shqiptar me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2024/2847, të njohur si Cyber Resilience Act (CRA).
Cilat produkte preken nga ligji i ri?
Fusha e zbatimit përfshin produktet softuerike dhe harduerike që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me pajisje të tjera apo rrjete komunikimi.
Në praktikë, kjo kategori mund të përfshijë pajisje elektronike të lidhura me internetin, pajisje inteligjente, sisteme rrjeti, aplikacione dhe programe kompjuterike, si dhe komponentë të ndryshëm digjitalë që tregtohen veçmas.
Projektligji përcakton se produktet me elementë digjitalë mund të vendosen në treg vetëm nëse përmbushin kërkesat thelbësore të sigurisë kibernetike.
Nga fusha e zbatimit përjashtohen disa kategori që rregullohen nga legjislacion i posaçëm, përfshirë pajisjet mjekësore, produkte të caktuara të sektorit automobilistik, aviacionit civil dhe pajisjet detare. Përjashtohen gjithashtu produktet e zhvilluara ekskluzivisht për qëllime të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes.
Prodhuesit, përgjegjës për sigurinë e produkteve edhe pas shitjes
Një nga risitë kryesore është zgjerimi i përgjegjësisë së prodhuesve përtej momentit të shitjes së produktit.
Sipas projektligjit, prodhuesit duhet të kryejnë vlerësimin e rreziqeve kibernetike që në fazën e projektimit dhe zhvillimit, duke garantuar që produktet të mos përmbajnë dobësi të njohura të sigurisë që mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.
Ata duhet të krijojnë mekanizma për identifikimin dhe korrigjimin e dobësive, të ofrojnë përditësime sigurie dhe të informojnë përdoruesit për rreziqet e identifikuara.
Projektligji parashikon që periudha e mbështetjes së sigurisë të jetë, si rregull, të paktën pesë vjet. Për produktet që kanë një jetëgjatësi të pritshme më të shkurtër, kjo periudhë mund të korrespondojë me kohëzgjatjen e përdorimit të tyre.
Ky detyrim synon të shmangë situatat kur pajisjet ose programet vazhdojnë të përdoren nga konsumatorët, por nuk marrin më përditësime për korrigjimin e problemeve të sigurisë.
Incidentet kibernetike, raportim brenda 24 dhe 72 orëve
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me raportimin e incidenteve dhe dobësive të sigurisë.
Prodhuesit do të detyrohen të njoftojnë CSIRT-in Kombëtar për dobësitë e shfrytëzuara aktivisht dhe incidentet e rënda që ndikojnë në sigurinë e produkteve të tyre.
Projektligji përcakton një sistem raportimi me disa faza.
Njoftimi i parë paralajmërues duhet të bëhet menjëherë dhe, në çdo rast, brenda 24 orëve nga marrja dijeni për incidentin ose dobësinë e shfrytëzuar.
Brenda 72 orëve duhet të paraqitet një njoftim më i detajuar, që përfshin natyrën e incidentit, ndikimin e mundshëm dhe masat e ndërmarra për kufizimin e pasojave.
Për incidentet e rënda parashikohet edhe një raport përfundimtar brenda një muaji nga njoftimi i detajuar, ndërsa për dobësitë e shfrytëzuara aktivisht raporti përfundimtar duhet të dorëzohet jo më vonë se 14 ditë pas vënies në dispozicion të masave korrigjuese.
Me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mekanizmi i raportimit do të përfshijë edhe Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, ENISA.
Gjoba deri në 15 milionë lekë ose 2.5% të xhiros vjetore
Projektligji parashikon një sistem sanksionesh administrative për subjektet që nuk respektojnë detyrimet.
Për shkeljen e kërkesave thelbësore të sigurisë kibernetike dhe detyrimeve kryesore të prodhuesve, gjoba mund të arrijë deri në 15 milionë lekë.
Kur shkelësi është një shoqëri tregtare, gjoba mund të arrijë deri në 2.5% të xhiros totale vjetore të vitit financiar paraardhës, nëse kjo vlerë është më e lartë.
Për shkelje të tjera, përfshirë mospërmbushjen e detyrimeve të importuesve, shpërndarësve dhe kërkesave të konformitetit, parashikohen gjoba deri në 10 milionë lekë ose 2% të xhiros vjetore.
Ndërkohë, dhënia e informacionit të pasaktë, të paplotë ose mashtrues për autoritetet përgjegjëse mund të ndëshkohet me gjobë deri në 5 milionë lekë ose 1% të xhiros vjetore.
Në përcaktimin e masës së gjobës do të merren në konsideratë natyra dhe rëndësia e shkeljes, kohëzgjatja e saj, pasojat, madhësia e ndërmarrjes dhe përsëritja e shkeljeve.
Projektligji parashikon edhe trajtim të veçantë për mikrondërmarrjet, ndërmarrjet e vogla dhe mirëmbajtësit e softuerit me burim të hapur.
Kosto të reja për bizneset dhe institucionet
Zbatimi i kuadrit të ri ligjor pritet të krijojë detyrime shtesë financiare dhe organizative për bizneset që operojnë në tregun e produkteve digjitale.
Sipas relacionit shpjegues, prodhuesit dhe importuesit mund të kenë nevojë të investojnë në testimin e produkteve, dokumentacionin teknik, certifikimin, vlerësimin e konformitetit dhe mirëmbajtjen e sigurisë gjatë periudhës së përdorimit.
Për ndërmarrjet e vogla dhe startup-et, këto kërkesa mund të përfaqësojnë një barrë të konsiderueshme në raport me kapacitetet e tyre financiare dhe teknike.
Për këtë arsye, projektligji parashikon masa mbështetëse për mikrondërmarrjet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et.
Efekte financiare priten edhe për buxhetin e shtetit, për shkak të nevojës për forcimin e strukturave të mbikëqyrjes së tregut, rritjen e kapaciteteve teknike dhe angazhimin e personelit të specializuar.
Siguria kibernetike edhe në prokurimet publike
Ndryshimet prekin edhe mënyrën se si institucionet publike blejnë dhe përdorin produkte digjitale.
Sipas projektligjit, gjatë prokurimit të produkteve me elementë digjitalë, autoritetet publike duhet të marrin në konsideratë përputhshmërinë e tyre me kërkesat thelbësore të sigurisë kibernetike.
Institucionet mund të vendosin edhe kërkesa shtesë sigurie për produkte që përdoren për qëllime specifike, përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare, me kusht që këto kërkesa të jenë të nevojshme dhe proporcionale.
Kjo do të thotë se siguria kibernetike synon të bëhet një element i rëndësishëm në përzgjedhjen e pajisjeve dhe sistemeve teknologjike që blihen me fonde publike.
Ligji parashikohet të hyjë në fuqi tre vjet pas botimit në Fletoren Zyrtare
Projektligji përcakton një periudhë relativisht të gjatë përgatitore për bizneset dhe institucionet.
Sipas nenit 62, ligji do të hyjë në fuqi tre vjet pas botimit në Fletoren Zyrtare, nëse miratohet me këtë formulim.
Ndërkohë, aktet nënligjore për zbatimin e tij parashikohet të miratohen brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi.
Produktet e vendosura në treg përpara hyrjes në fuqi të ligjit, si rregull, do t’u nënshtrohen kërkesave të reja nëse pësojnë ndryshime thelbësore, ndërsa detyrimet e raportimit të incidenteve dhe dobësive të sigurisë do të zbatohen edhe për produktet ekzistuese që përfshihen në fushën e ligjit.
Një dispozitë tjetër parashikon që, në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pjesa më e madhe e dispozitave të këtij ligji të shfuqizohen, duke i lënë vend zbatimit të drejtpërdrejtë të rregullores evropiane, me përjashtim të disa dispozitave kombëtare. /ekofin.al
