Një gjykatë në Itali ka vendosur nën administrim gjyqësor njësinë evropiane të bankës britanike Revolut, pasi konstatoi se persona të dënuar për lidhje me mafien dhe pastrim parash kishin kaluar para me origjinë të paligjshme përmes llogarive të saj.
Masa, e cila do të zgjasë një vit, prek Revolut Bank UAB, me seli në Lituani, e cila ushtron aktivitetin në Itali përmes një dege lokale. Në një vendim prej 39 faqesh, të shqyrtuar nga agjencia e lajmeve Reuters, gjykata evidentoi “mangësi serioze” në mekanizmat e bankës për parandalimin e pastrimit të parave.
Gjykata e Milanos deklaroi se masat e pamjaftueshme të kontrollit u kishin mundësuar 24 personave, të cilët ishin nën hetim ose ishin dënuar tashmë për vepra të ndryshme penale, të fshihnin transaksione financiare në vlerën totale prej 41.9 milionë eurosh (46.2 milionë dollarë), gjatë periudhës 2021-2026.
Gjatë kësaj periudhe, bankat e tjera kishin depozituar 265 raporte për transaksione të dyshimta lidhur me 24 personat në fjalë, ndërsa Revolut Bank UAB nuk kishte paraqitur asnjë raport të tillë, thuhet në vendimin e gjykatës.
Revolut nuk është nën hetim penal dhe mbikëqyrja zbatohet ekskluzivisht për aktivitetin e saj në Itali. Sipas vendimit, nuk pritet të ketë ndërprerje të shërbimeve për klientët individë apo bizneset.
Kompania nuk ishte e disponueshme për të komentuar menjëherë çështjen.
Ashtu si në raste të mëparshme që kanë përfshirë kompani në sektorë të tillë si moda dhe logjistika, administrimi gjyqësor është një masë parandaluese dhe jo ndëshkuese. Ai synon të mbrojë kompaninë, ndërkohë që rikthen sistemet e brendshme të përputhshmërisë dhe kontrollit, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në të ardhmen.
Gjyqtarët: Mangësitë e konstatuara nuk ishin raste të izoluara
Prokurorët e Milanos dhe gjykata ia atribuuan bankës atë që e cilësuan si sjellje neglizhente, duke pretenduar se ajo nuk kishte zbatuar kontrolle të mjaftueshme për të parandaluar aktivitetet e paligjshme.
Revolut Bank UAB, subjekti i licencuar i grupit në Lituani, i cili administron degën italiane, është në pronësi përfundimtare të kompanisë britanike Revolut Group Holdings Ltd.
Prokurorët deklaruan se grupi Revolut ka më shumë se 50 milionë klientë në mbarë botën dhe mbi 5 milionë në Itali, duke u renditur si ofruesi i pestë më i madh i shërbimeve bankare në vend për nga numri i klientëve dhe si banka e huaj me numrin më të madh të klientëve.
Gjykata theksoi se mangësitë e pretenduara në sistemet e kontrollit nuk ishin raste të izoluara, por ishin “të rrënjosura në një model të qëndrueshëm menaxhimi, të zbatuar në mënyrë të përsëritur përgjatë kohës”. Kjo kishte penguar autoritetet të identifikonin dhe bllokonin fondet me origjinë të paligjshme.
Përfitim i padrejtë në treg
Në dokumentin e paraqitur në gjykatë, prokurorët thanë se banka ishte përdorur si një “rezervuar financiar” nga persona të përfshirë në krime të rënda, duke i siguruar asaj një avantazh të padrejtë ndaj institucioneve të tjera financiare që kishin sisteme të përshtatshme për parandalimin e pastrimit të parave.
Gjykata caktoi dy administratorë gjyqësorë, të cilët do të kenë kompetenca të gjera mbikëqyrjeje dhe inspektimi. Këto kompetenca mund të zgjerohen nëse banka nuk bashkëpunon plotësisht ose nëse evidentohen probleme të tjera serioze.
Masa do të jetë në fuqi për një vit, me kontrolle periodike për të vlerësuar zbatimin e saj.
Sipas vendimit, Revolut duhet të zbatojë një plan përmirësimi me 15 pika. Kompania ka pesë ditë kohë për të emëruar një person përgjegjës për komunikimin me administratorët gjyqësorë dhe 60 ditë për të paraqitur një plan veprimi që trajton mangësitë e konstatuara në sistemet e saj të kontrollit.
Administratorët duhet të paraqesin një raport paraprak brenda 30 ditëve dhe një vlerësim të plotë të sistemeve të Revolut për parandalimin e pastrimit të parave brenda 90 ditëve.
Ministria e Ekonomisë vlerëson masat e mundshme ndëshkuese
Veprimi gjyqësor vjen pas një inspektimi të kryer në vitin 2024 nga Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane) ndaj Revolut Digital Assets Europe, e njohur më parë si RT Digital Securities Cyprus. Ky subjekt administron shërbimet e kriptomonedhave për përdoruesit evropianë.
Në një raport të përfunduar në dhjetor 2024, Policia Financiare Italiane evidentoi më shumë se një milion shkelje të rregullave për verifikimin e klientëve dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe 60 raste të mosraportimit të transaksioneve të dyshimta.
Raporti iu dërgua Ministrisë së Ekonomisë së Italisë, e cila është përgjegjëse për vendosjen e sanksioneve administrative.
Ministria nuk ka nisur zyrtarisht procedurat për vendosjen e sanksioneve, pasi afati që Revolut ka për të paraqitur kundërshtimet përfundon në vitin 2027, thanë dy burime që kanë dijeni të drejtpërdrejtë për çështjen. /Përshtati nga Reuters, ekofin.al
