Sa mund të blejë një familje me të ardhurat e saj kur bëhet fjalë për një banesë? Në 17 vende të Bashkimit Evropian, të ardhurat e familjeve mundësonin blerjen e më pak sipërfaqeje banimi në vitin 2025 krahasuar me një dekadë më parë.
Sipas Eurostat, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të familjeve është rritur me 6.8% në të gjithë BE-në gjatë kësaj periudhe, megjithëse në 10 shtete anëtare është regjistruar rënie.
Ndërkohë, çmimet e banesave në Bashkimin Europian janë rritur me 62% gjatë dhjetë viteve deri në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Përballë krizës së strehimit në vendet e bllokut, Komisioni Evropian prezantoi në dhjetor 2025 Planin Europian për Strehimin e Përballueshëm.
Çfarë tregon raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave?
Raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave mat ndryshimin e çmimeve të pronave në krahasim me ndryshimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve për frymë.
Rritja e këtij treguesi do të thotë se banesat janë bërë më të shtrenjta në raport me të ardhurat, ndërsa rënia tregon se ato janë bërë relativisht më të përballueshme.
Shifra për secilin vend tregon se sa ka ndryshuar ky raport brenda vendit gjatë periudhës së analizuar. Megjithatë, edhe kostot e kredive hipotekore ndikojnë në aftësinë e blerësve për të përballuar blerjen e një banese.
Portugalia regjistron rritjen më të madhe
Gjatë periudhës 2015–2025, Portugalia regjistroi rritjen më të lartë të raportit mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave, me 60.8%, e ndjekur nga Holanda me 34.3%.
“Portugalia përjetoi një bum turistik dhe programi i saj i vizave të arta tërhoqi investitorë të huaj. Për këtë arsye, çmimet e banesave u rritën pjesërisht si rezultat i kapitalit të huaj”, tha për Euronews Business Mike Langen, ekonomist i lartë për tregun e banesave në bankën ABN AMRO.
Sipas tij, mungesa e banesave dhe kërkesa nga investitorët kanë qenë faktorët kryesorë që kanë nxitur rritjen e çmimeve në Holandë.
Raporti është rritur me mbi 20% edhe në Hungari (26.5%), Çeki (25.8%), Spanjë (24.5%) dhe Greqi (22.5%).
Kjo do të thotë se blerja e një banese është bërë më pak e përballueshme në këto vende, pasi çmimet janë rritur më shpejt sesa të ardhurat.

Ronan Lyons, profesor i asociuar i ekonomisë në Trinity College Dublin, shpjegon se vendet që kryesojnë renditjen kanë një karakteristikë të përbashkët: kërkesë të fortë për banesa në qytetet kryesore, ndërkohë që oferta nuk ka arritur të ndjekë të njëjtin ritëm.
Raporti është rritur me mbi 10% edhe në Slloveni (18.2%), Irlandë (14.4%), Austri (13.6%), Sllovaki (11.2%), Luksemburg (10.6%) dhe Lituani (10.1%).
Rumania regjistron rënien më të madhe, por qiramarrësit përballen me kosto të larta
Në skajin tjetër të renditjes ndodhet Rumania, ku raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave ka rënë me 42.8%, rënia më e madhe në Bashkimin Evropian.
Kjo do të thotë se në vitin 2025, çmimet e banesave ishin ndjeshëm më të ulëta në raport me të ardhurat e familjeve krahasuar me vitin 2015.
Rënie të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Finlandë, me 25.2%, dhe Bullgari, me 16.2%. Qipro (12%) dhe Italia (11.9%) gjithashtu kanë shënuar ulje dyshifrore.
Sipas Langen, rritja e fortë e të ardhurave në Bullgari dhe Rumani pas anëtarësimit në Bashkimin Europian ka bërë që banesat të bëhen relativisht më të përballueshme.
Megjithatë, Lyons tërheq vëmendjen te vështirësitë me të cilat përballen qiramarrësit në Rumani.
Në vitin 2025, 56% e personave që paguanin qira me çmime tregu jetonin në familje që shpenzonin mbi 40% të të ardhurave të disponueshme për strehimin, përqindja më e lartë në Bashkimin Europian.
Ndër katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, raporti ka rënë me më pak se 6% në Francë dhe me 11.9% në Itali, ndërsa në Gjermani është rritur me 1.6%. Spanja ka regjistruar rritjen më të madhe mes këtyre katër vendeve, me 24.5%.
Krahasimi afatgjatë: Si kanë ndryshuar çmimet në 25 vite?
Eurostat e krahason gjithashtu raportin e vitit 2025 me mesataren historike të secilit vend për periudhën 2000–2025, duke përdorur vitin më të hershëm të disponueshëm në rastet kur mungojnë të dhënat për vitin 2000.
Në nivel të Bashkimit Europian, raporti i vitit 2025 ishte vetëm 0.03% mbi mesataren afatgjatë.
Portugalia dhe Rumania shfaqen sërish në skaje të kundërta.
Në Portugali, raporti ishte 37% mbi mesataren e tij historike, ndërsa krahasuar me vitin 2015 kishte shënuar një rritje prej 60.8%.
Në Rumani, raporti ishte 53% nën mesataren historike, ndërsa krahasuar me vitin 2015 kishte rënë me 42.8%.

Megjithatë, dy mënyrat e krahasimit japin rezultate të ndryshme për disa vende.
Për shembull, në Irlandë, raporti ishte 14.4% më i lartë se në vitin 2015, por 1.7% nën mesataren afatgjatë.
Sipas Lyons, kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se mesatarja afatgjatë përfshin edhe periudhën e flluskës së çmimeve të pasurive të paluajtshme në mesin e viteve 2000.
Një prirje e ngjashme vërehet në Lituani, ku raporti ishte 10.1% më i lartë se në vitin 2015, por 5.7% nën mesataren historike.
Holanda dhe Hungaria kanë regjistruar të dyja rritje dyshifrore gjatë periudhës 2015–2025. Në vitin 2025, raporti i Holandës ishte 12% mbi mesataren historike, ndërsa ai i Hungarisë 5.3% mbi të.
Në Bullgari, raporti ishte 36% nën mesataren afatgjatë dhe 16.2% nën nivelin e vitit 2015.
A ka rëndësi viti që përdoret si pikënisje?
“Periudha e referencës, viti 2015, përfaqësonte një nivel pothuajse historikisht të ulët të raportit mes çmimeve dhe të ardhurave. Kjo do të thotë se po bëjmë krahasimin me një nga periudhat kur banesat kanë qenë më të lira në 20 vitet e fundit”, shpjegoi Langen.
Sipas tij, nëse si vit bazë do të përdorej 2005-a, rritja e këtij raporti do të ishte shumë më e vogël.
Langen theksoi gjithashtu rëndësinë e kostove të kredive hipotekore, pasi pak njerëz i blejnë banesat plotësisht me para në dorë.
Norma e interesit për depozitat në Bankën Qendrore Europiane është 2.5%, krahasuar me minus 0.3% në fund të vitit 2015.

“Të dy treguesit matin ndryshimin: ndryshimin që nga viti 2015 ose distancën nga mesatarja e 25 viteve. Asnjëri prej tyre nuk na tregon se sa të përballueshme janë banesat sot”, tha Lyons.
Ai nënvizoi se rënia e raportit nuk do të thotë automatikisht se tregu i banesave është i përballueshëm.
Lyons vuri në dukje edhe një tjetër problem: vendet që shfaqin përmirësim në statistikat e Eurostat nuk kanë domosdoshmërisht kushte të favorshme strehimi.
Si shembull ai përmendi Finlandën, ku raporti ka rënë me rreth një të katërtën, por qiramarrësit shpenzojnë mesatarisht rreth 32% të të ardhurave të tyre për qiranë, niveli më i lartë në BE sipas anketës së Eurostat për të ardhurat dhe kushtet e jetesës.
Pse përballueshmëria e strehimit nuk varet vetëm nga çmimet e banesave?
Nina Biljanovska, Frederik Toscani, Robert Beyer, Alexandra Fotiou dhe Morgan Maneely, autorë të një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), theksojnë se strehimi është bërë ndjeshëm më pak i përballueshëm në disa vende europiane.
“Presioni mbi përballueshmërinë është më i madh te qiramarrësit me të ardhura të ulëta në qytete, të cilët tashmë shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre të disponueshme për qiranë”, deklaruan studiuesit për Euronews Business.
Sipas tyre, qiramarrësit po e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një banesë, duke zgjeruar hendekun e pasurisë mes pronarëve dhe atyre që jetojnë me qira.
Për blerësit, rëndësi kanë jo vetëm çmimet e pronave, por edhe kostot e huamarrjes, mundësia për të marrë kredi dhe aftësia për të kursyer shumën e nevojshme për pagesën fillestare të banesës.
Ndërkohë, qiraja, faturat e shërbimeve dhe shpenzimet e tjera të strehimit ndikojnë drejtpërdrejt në mundësitë financiare të familjeve.
Studiuesit e FMN-së theksojnë se mungesa e banesave ka luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rritjen e çmimeve. Aktiviteti i ndërtimit ka mbetur i ngadaltë, ndërsa oferta e banesave nuk ka arritur të përballojë kërkesën në rritje./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
