Institucionet publike të artit dhe kulturës do të kenë mundësi të përdorin 90% të të ardhurave që sigurojnë nga shitja e biletave, shfrytëzimi i pasurive, veprat artistike dhe shërbimet kulturore, ndërsa 10% do të kalojnë në Buxhetin e Shtetit. Ndërkohë, parashikohen rregulla të reja për përbërjen dhe emërimin e bordeve artistike, administrimin financiar, tarifat e shërbimeve dhe zgjerimin e kategorive të institucioneve që mbulohen nga ligji.
Këto janë disa nga ndryshimet kryesore të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010, ‘Për artin dhe kulturën’”, i cili është paraqitur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Nisma synon modernizimin e kuadrit ligjor të sektorit kulturor, duke zgjeruar mundësitë e financimit të institucioneve, duke rregulluar më qartë funksionimin e tyre dhe duke përfshirë forma të reja të krijimtarisë artistike, përfshirë artin digjital dhe veprimtaritë multidisiplinare.
Institucionet do të mbajnë 90% të të ardhurave
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me mënyrën e administrimit dhe përdorimit të të ardhurave të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës.
Sipas projektligjit, 90% e të ardhurave nga shitja e biletave, administrimi dhe shfrytëzimi i pasurive dhe aseteve, shfrytëzimi ekonomik i veprave artistike dhe shërbimet e caktuara kulturore do të përdoren për financimin e veprimtarisë së institucionit që i realizon.
Pjesa tjetër, prej 10%, do të derdhet në Buxhetin e Shtetit.
Të ardhurat do të administrohen nëpërmjet sistemit të thesarit dhe përdorimi i tyre do të bëhet nëpërmjet buxhetit të miratuar të institucionit.
Fondet që mbeten në dispozicion të institucioneve mund të përdoren për realizimin e prodhimeve të reja artistike, financimin e repertorit vjetor, organizimin e shfaqjeve, promovimin e aktiviteteve kulturore, trajnimin e personelit dhe blerjen apo koleksionimin e veprave të artit.
Një tjetër element është mundësia e përdorimit të këtyre të ardhurave për shpërblime që lidhen me cilësinë artistike, sipas kritereve të miratuara nga bordet artistike dhe kufizimeve të legjislacionit për pagat dhe shpërblimet në institucionet publike.
Sipas relacionit shpjegues, ndryshimi synon të rrisë qëndrueshmërinë financiare të institucioneve dhe mundësitë e tyre për zhvillimin e projekteve të reja.
Borde artistike me 7 anëtarë, emërimet nga ministri
Projektligji rishikon edhe mënyrën e përbërjes dhe emërimit të bordeve artistike në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës.
Sipas formulës së propozuar, bordi artistik do të përbëhet nga shtatë anëtarë.
Dy prej tyre do të jenë përfaqësues të ministrive përgjegjëse për financat dhe për artin e kulturën, ndërsa pesë të tjerët do të jenë personalitete të shquara të fushës së artit ose të veprimtarive shoqërore që lidhen me të.
Anëtarët do të emërohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.
Për pesë vendet e personaliteteve të fushës, drejtuesi i institucionit do të paraqesë të paktën tri kandidatura për çdo pozicion, nga të cilat ministri do të bëjë emërimin.
Mandati i anëtarëve do të jetë katërvjeçar, me të drejtë riemërimi.
Projektligji përcakton gjithashtu se anëtarët e bordit nuk mund të jenë të punësuar në institucionin pranë të cilit funksionon bordi.
Krahas bordeve artistike, institucionet mund të kenë edhe organe të tjera kolegjiale me funksione këshillimore ose profesionale, në përputhje me statutet dhe legjislacionin përkatës.
Tarifa të reja për shërbimet kulturore, lehtësime për kategori të caktuara
Ndryshimet parashikojnë edhe rregullimin e mënyrës së përcaktimit të tarifave për shërbimet e institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës.
Sipas projektligjit, tarifat do të bazohen në koston e shërbimit, duke respektuar parimet e proporcionalitetit, transparencës, trajtimit të barabartë dhe garantimit të aksesit të publikut.
Për kategori të caktuara qytetarësh mund të aplikohen tarifa të reduktuara ose përjashtime nga pagesa.
Në këto kategori përfshihen fëmijët, nxënësit, studentët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, studiuesit dhe grupet që marrin pjesë në veprimtari edukative.
Megjithatë, projektligji nuk përcakton vlera konkrete të tarifave apo masën e uljeve.
Këto do të miratohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të përbashkët të ministrit përgjegjës për kulturën dhe ministrit përgjegjës për financat.
Biblioteka Kombëtare dhe Arkivi i Filmit përfshihen në ligj
Një tjetër ndryshim lidhet me zgjerimin e listës së institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës.
Në ligj propozohet të përfshihen shprehimisht Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Gjithashtu, parashikohet mundësia e përfshirjes së institucioneve të tjera publike qendrore që ushtrojnë funksione në fushën e artit dhe kulturës.
Për institucionet që funksionojnë sipas ligjeve të posaçme, dispozitat e ligjit të përgjithshëm do të zbatohen vetëm për aq sa nuk bien në kundërshtim me legjislacionin specifik.
Njohje ligjore për artin digjital dhe skenën e pavarur kulturore
Projektligji zgjeron edhe përkufizimin e artit dhe të veprimtarive kulturore që mbulohen nga legjislacioni.
Përveç formave tradicionale të krijimtarisë, si muzika, teatri, letërsia, kinematografia dhe artet pamore, në ligj përfshihen edhe artet digjitale, multimedia, dizajni grafik dhe industrial, krijimtaria audiovizuale dhe format inovative të shprehjes artistike.
Një element tjetër është përcaktimi i konceptit të skenës së pavarur kulturore, ku përfshihen artistët, profesionistët e kulturës, organizatat jofitimprurëse dhe subjektet private që ushtrojnë veprimtari jashtë strukturave të institucioneve publike.
Përkufizimi i artistit zgjerohet për të përfshirë individët që krijojnë, interpretojnë, prodhojnë ose kontribuojnë në veprimtari artistike, pavarësisht marrëdhënies së punësimit apo formës së organizimit.
Projektligji parashikon gjithashtu që subjektet dhe institucionet kulturore të huaja që veprojnë në Shqipëri të mund të përfitojnë financim publik, në përputhje me kriteret e programeve përkatëse dhe legjislacionin në fuqi.
Më shumë përgjegjësi për drejtuesit e institucioneve
Ndryshimet ligjore përcaktojnë përgjegjësi më të qarta për drejtuesit e institucioneve publike të artit dhe kulturës në administrimin e të ardhurave.
Titullari i institucionit do të jetë përgjegjës për përdorimin e ligjshëm, ekonomik, eficient dhe efektiv të fondeve.
Institucionet do të kenë detyrimin të raportojnë periodikisht pranë ministrisë përgjegjëse për kulturën mbi realizimin, administrimin dhe përdorimin e të ardhurave.
Ministria do të ushtrojë funksion monitorues mbi administrimin financiar dhe veprimtarinë e institucioneve.
Ndërkohë, rregulloret e organizimit dhe funksionimit të brendshëm do të miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për kulturën, me propozim të drejtuesit të institucionit, përveç rasteve kur ligjet e posaçme përcaktojnë procedura të tjera. /ekofin.al
