Nga klasifikimi sipas vështirësisë te sinjalistika dhe mirëmbajtja, Ministria e Turizmit miraton rregulloren e re për administrimin e shtigjeve turistike në Shqipëri. Parashikohen procedura regjistrimi, kontrolle periodike dhe mbyllje të përkohshme të itinerareve që paraqesin rrezik për turistët.
Shqipëria do të ketë një sistem të standardizuar për regjistrimin, klasifikimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike, me synimin për të rritur sigurinë e vizitorëve dhe për të zhvilluar më tej turizmin malor, rural dhe atë të aventurës.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka miratuar me urdhrin nr. 895, datë 30 tetor 2026, rregulloren e re për standardizimin dhe administrimin e shtigjeve turistike, të publikuar dot në Fletoren Zyrtare.
Rregullorja përcakton standarde të detyrueshme për projektimin, hapjen, regjistrimin, sinjalistikën dhe mirëmbajtjen e shtigjeve, si dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe subjekteve që angazhohen në zhvillimin e tyre.
Regjistër Kombëtar dhe platformë digjitale për shtigjet
Rregullorha parashikon është administrimin e Regjistrit Kombëtar të Shtigjeve dhe krijimi i Platformës Kombëtare të Shtigjeve, ku do të publikohen informacionet për itineraret turistike në të gjithë vendin.
Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ngarkohet me funksione teknike, koordinuese dhe operacionale për standardizimin, regjistrimin, klasifikimin, monitorimin dhe promovimin e shtigjeve.
Platforma elektronike duhet të jetë e aksesueshme për publikun nëpërmjet internetit dhe të ofrojë mundësi kërkimi, navigimi dhe informacion hartografik.
Për çdo shteg të regjistruar do të publikohen të dhëna mbi gjatësinë, kohën e ecjes, nivelin e vështirësisë, lartësinë minimale dhe maksimale, koordinatat gjeografike, pikat e interesit turistik dhe strukturat mbështetëse.
Vizitorët do të kenë mundësi të informohen edhe për burimet e ujit, vendet e pushimit, strehat, kampingjet, vendparkimet dhe rreziqet që mund të hasin gjatë ecjes.
Platforma do të shërbejë gjithashtu për publikimin e paralajmërimeve mbi kufizimet, devijimet dhe mbylljet e përkohshme të shtigjeve.
Katër kategori shtigjesh sipas vështirësisë
Rregullorja vendos një klasifikim të unifikuar të shtigjeve turistike në katër kategori: Shtigje të lehta; Shtigje malore të moderuara; Shtigje malore të vështira; Rrugëkalime alpine.
Klasifikimi bazohet kryesisht në segmentin më të vështirë të itinerarit, duke marrë në konsideratë gjerësinë e shtegut, pjerrësinë, karakteristikat e terrenit dhe ekspozimin ndaj rrezikut të rënies.
Për përcaktimin e kohës së ecjes përdoren standarde teknike që marrin në konsideratë distancën, ngjitjen dhe zbritjen.
Për shtigjet e lehta, llogaritja mbështetet në një shpejtësi orientuese prej 4 kilometrash në orë, 300 metrash ngjitje në orë dhe 500 metrash zbritje në orë.
Për kategoritë e tjera përdoren parametra të përshtatur, ndërsa në terrene veçanërisht të vështira koha e parashikuar mund të rritet deri në 20%.
Çdo shteg do të ketë numrin e identifikimit
Një tjetër risi është identifikimi i shtigjeve me kode të veçanta numerike, të lidhura me bashkinë ku ndodhen.
Sipas rregullores, shtigjet identifikohen me numra tre ose katërshifrorë, ku pjesa e parë përfaqëson bashkinë dhe pjesa tjetër itinerarin përkatës.
Për shtigjet që kalojnë në territorin e disa bashkive, identifikimi bëhet sipas bashkisë ku shtegu ka gjatësinë më të madhe.
Ky sistem synon të krijojë një inventar të organizuar kombëtar dhe të lehtësojë identifikimin e itinerareve nga institucionet, operatorët turistikë dhe vizitorët.
Procedura për regjistrimin e shtigjeve
Rregullorja përcakton edhe procedurat që duhet të ndiqen për regjistrimin e shtigjeve turistike.
Kërkesat shqyrtohen nga strukturat teknike përgjegjëse dhe Komisioni Kombëtar i Shtigjeve Turistike.
Në rastet kur dokumentacioni ka mangësi, parashikohet plotësimi i tij brenda 15 ditëve kalendarike nga kërkesa përkatëse.
Komisioni shqyrton dokumentacionin dhe merr vendim për miratimin ose refuzimin teknik brenda 60 ditëve kalendarike nga administrimi i dokumentacionit të plotë.
Kur është e nevojshme, mund të kryhen edhe verifikime në terren për të konfirmuar karakteristikat dhe kushtet e shtegut.
Shtigjet e rrezikshme mund të mbyllen menjëherë
Një vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë së turistëve.
Në rastet e reshjeve intensive, rrëshqitjeve të dherave, zjarreve, përmbytjeve, dëmtimeve të infrastrukturës apo rreziqeve të tjera, autoritetet përgjegjëse mund të vendosin mbylljen e përkohshme të shtegut, kufizimin e përdorimit ose krijimin e një itinerari alternativ.
Vendimi për mbylljen ose kufizimin mund të merret menjëherë nga kryetari i Komisionit Kombëtar të Shtigjeve, ose nga anëtari më i vjetër në mungesë të tij, pa qenë e nevojshme mbledhja paraprake e Komisionit.
Informacioni duhet të publikohet në platformën kombëtare, ndërsa në terren duhet të vendoset sinjalistika përkatëse paralajmëruese ose bllokuese.
Kur devijimi i përkohshëm parashikohet të zgjasë më shumë se dy muaj, duhet të përditësohet edhe gjurma digjitale e shtegut.
Në rastet kur një itinerar nuk mund të rikthehet në kushte të sigurta përdorimi, mund të propozohet mbyllja për një periudhë të pacaktuar ose çregjistrimi i tij.
Mirëmbajtje dhe inspektim të paktën një herë në vit
Rregullorja parashikon që inspektimi dhe mirëmbajtja e shtigjeve të kryhen jo më pak se një herë në vit.
Ndërhyrjet përfshijnë pastrimin e pengesave, mirëmbajtjen e strukturave të kullimit, riparimin e pjesëve të dëmtuara, kontrollin e urave dhe strukturave mbështetëse, si dhe zëvendësimin ose rifreskimin e sinjalistikës.
Për projektimin dhe ndërtimin e shtigjeve të reja kërkohet vlerësimi paraprak i kushteve të terrenit, ndikimit në mjedis dhe sigurisë së vizitorëve.
Këto kërkesa synojnë të shmangin zhvillimin e itinerareve turistike pa standarde të qarta teknike dhe pa një sistem të qëndrueshëm mirëmbajtjeje.
Rregulla edhe për turistët që përdorin shtigjet
Përveç detyrimeve të institucioneve dhe administratorëve, rregullorja përcakton edhe rregullat bazë të sjelljes së vizitorëve.
Turistët duhet të përdorin itineraret e përcaktuara, të respektojnë mjedisin dhe biodiversitetin, të mos lënë mbeturina dhe të shmangin dëmtimin e strukturave të vendosura përgjatë shtigjeve.
Ata duhet gjithashtu të planifikojnë udhëtimin, të përdorin veshje dhe pajisje të përshtatshme, të marrin ujë dhe ushqime të mjaftueshme, të informojnë persona të tjerë për itinerarin dhe të sigurohen që kanë kohë të mjaftueshme për të përfunduar ecjen përpara muzgut.
Për zona të veçanta mund të vendosen edhe rregulla shtesë nga institucionet përgjegjëse. /ekofin.al
