Problemet e aksesit në disa shërbime të Microsoft në rajone të ndryshme po shfrytëzohen si mundësi për tentativa mashtrimi. AKSK sqaron se ndërprerjet lidhen me ngarkesën e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe jo me një sulm kibernetik, ndërsa u bën thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes ndaj email-eve, SMS-ve. dhe telefonatave të dyshimta
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka njoftuar për probleme në aksesimin dhe funksionimin e disa shërbimeve të Microsoft, konkretisht Outlook, Teams dhe Azure, të raportuara në disa rajone.
Sipas informacionit të përcjellë nga Microsoft, ndërprerjet janë shkaktuar nga ngarkesa e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk kanë lidhje me një incident kibernetik. AKSK bën të ditur se po monitoron situatën dhe do të informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Megjithatë, përtej problemeve teknike, autoriteti paralajmëron për një tjetër rrezik që mund të shoqërojë këtë situatë: shfrytëzimin e ndërprerjeve nga persona keqdashës për të mashtruar përdoruesit dhe për të siguruar akses në llogaritë apo të dhënat e tyre.
Sipas AKSK-së, përdoruesit mund të përballen me email-e që kërkojnë rivendosjen e fjalëkalimit të Microsoft, SMS që njoftojnë për bllokimin e llogarisë dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm, si dhe telefonata nga persona që prezantohen si pjesë e mbështetjes teknike (IT Support) dhe ofrojnë ndihmë për rikthimin e aksesit.
Këto komunikime mund të përdoren për të marrë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna të tjera konfidenciale, si dhe për të siguruar kontroll mbi pajisjet e përdoruesve.
Për të shmangur këto rreziqe, AKSK këshillon që qytetarët dhe punonjësit të mos klikojnë në lidhje të dyshimta për hyrjen në llogari apo ndryshimin e fjalëkalimeve, por të përdorin vetëm faqet dhe aplikacionet zyrtare të Microsoft.
Gjithashtu, nuk duhet të ndajnë me persona të paidentifikuar fjalëkalime apo kode verifikimi dhe as të lejojnë ndërhyrje në pajisjet e tyre nga individë të paverifikuar. Çdo kërkesë për asistencë teknike duhet të konfirmohet paraprakisht me stafin IT të institucionit ose kompanisë ku punojnë.
Një vëmendje e veçantë u kërkohet edhe institucioneve dhe bizneseve, të cilat duhet të informojnë punonjësit për këto tentativa mashtrimi dhe të verifikojnë masat e vazhdimësisë së punës. Kjo përfshin sigurimin e aksesit në kopjet rezervë të dokumenteve kritike dhe përdorimin e kanaleve alternative të komunikimit në rast të ndërprerjes së shërbimeve.
