Qeveria ka propozuar një skemë kompensimi financiar prej 6 milionë e 432 mijë e 500 eurosh për operatorët e transmetimeve televizive numerike dhe Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), me qëllim lirimin e brezit të frekuencave 700 MHz dhe kalimin e tij në përdorim të rrjeteve të komunikimeve të lëvizshme 5G.
Projektligji “Për lirimin e frekuencave të Digital Divident-it Dy (DD2)”, i miratuar këtë të enjte në qeveri, synon zhvendosjen e transmetimeve televizive nga brezi 694–790 MHz në frekuenca nën 694 MHz, duke garantuar vazhdimësinë e transmetimeve për publikun.
Kompensimi do të mbulojë pjesërisht kostot e investimeve dhe shpenzimet operacionale që lidhen drejtpërdrejt me ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit.
Kompensimi në dy këste gjatë viteve 2026–2027
Sipas projektligjit, fondi prej rreth 6.4 milionë eurosh do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe do të ndahet në dy këste të barabarta.
Kësti i parë, prej 3 milionë e 216 mijë e 250 eurosh, parashikohet të paguhet në avancë gjatë vitit 2026, për të mbështetur investimet që operatorët duhet të kryejnë për përshtatjen e pajisjeve dhe infrastrukturës së transmetimit.
Gjysma tjetër, me të njëjtën vlerë, do të paguhet gjatë vitit 2027, pas përfundimit dhe verifikimit të lirimit të frekuencave.
Në rast se pagesa e parë nuk realizohet brenda vitit 2026 për shkak të vonesave procedurale, shuma e papaguar do të transferohet në buxhetin e vitit 2027 dhe do të shlyhet brenda tremujorit të parë, pa ndryshuar kushtet e pagesës së dytë.
Cilët operatorë përfitojnë dhe çfarë kushtesh duhet të plotësojnë?
Përfitues të kompensimit do të jenë operatorët e rrjeteve numerike kombëtare, të licencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), që aktualisht përdorin brezin 700 MHz, si dhe rrjetet numerike të RTSH-së.
Për të përfituar fondet, subjektet duhet të paraqesin dokumentacion financiar për investimet e kryera, përfshirë faturat e pajisjeve, kontratat e shërbimit dhe dokumentet që provojnë kostot e ndryshimit të infrastrukturës.
Operatorët duhet gjithashtu të provojnë shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve. AMA do të kontrollojë edhe detyrimet e papaguara ndaj saj, gjobat e shndërruara në tituj ekzekutivë dhe përdorimin e mundshëm të frekuencave pa autorizim.
AMA do të konfirmojë vlerën e kompensimit për secilin përfitues, ndërsa pagesat do të kryhen drejtpërdrejt nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Frekuencat do t’i kalojnë AKEP-it, hapet rruga për rrjetet 5G
Projektligji përcakton që AMA duhet të përfundojë procesin e zhvendosjes së transmetimeve televizive brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Pas përfundimit të procesit, AMA dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do të verifikojnë, përmes një grupi të përbashkët teknik, lirimin e frekuencave brenda dy javëve.
Më pas, brezi 700 MHz do të kalojë nën administrimin e AKEP-it, i cili do të ketë gjashtë muaj kohë nga lirimi i tij për të zhvilluar procesin e dhënies në përdorim të frekuencave për rrjetet 5G.
Të ardhurat që do të sigurohen nga autorizimet individuale për përdorimin e këtyre frekuencave do të derdhen në buxhetin e shtetit.
Lirimi i brezit 700 MHz synon të krijojë hapësirë shtesë për zhvillimin e rrjeteve të komunikimit të lëvizshëm, ndërsa ndryshimet në infrastrukturën televizive duhet të realizohen pa ndërprerë aksesin e publikut në programet që transmetohen përmes rrjeteve numerike tokësore. /ekofin.al
