Sektori bankar dhe financiar në Shqipëri pritet t’i nënshtrohet një reforme të gjerë ligjore, që parashikon forcimin e mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë, kërkesa më të detajuara për kapitalin dhe administrimin e rreziqeve, rregulla të reja për mbrojtjen e klientëve dhe depozituesve, si dhe përfshirjen e zhvillimeve teknologjike, përfshirë kripto-asetet dhe paranë elektronike.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin e ri “Për ushtrimin e veprimtarisë të institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre”, i cili synon të zëvendësojë plotësisht ligjin aktual “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të miratuar në vitin 2006.
Nisma përbën një nga reformat më të rëndësishme të kuadrit ligjor bankar, duke synuar përafrimin e plotë me direktivat europiane për mbikëqyrjen e institucioneve të kreditit, kërkesat e kapitalit, qeverisjen bankare dhe trajtimin e institucioneve që përballen me vështirësi financiare.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian, konkretisht me Kapitullin 9, “Shërbimet financiare”.
Banka e Shqipërisë merr kompetenca më të gjera për kufizimin e rreziqeve
Një nga risitë kryesore është forcimi i kompetencave të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në sistemin bankar përpara se problemet financiare të shndërrohen në rreziqe për stabilitetin e përgjithshëm.
Projektligji krijon një bazë më të plotë ligjore për instrumentet makroprudenciale, duke i mundësuar Bankës së Shqipërisë të vendosë kërkesa shtesë kapitali dhe masa për kufizimin e rreziqeve që lidhen me kredidhënien.
Ndër instrumentet e parashikuara përfshihen raporti ndërmjet shumës së kredisë dhe vlerës së pasurisë së vendosur si garanci (LTV), raporti i borxhit ndaj të ardhurave (DTI), si dhe raporti i kësteve të borxhit ndaj të ardhurave të huamarrësit (DSTI).
Këto instrumente mundësojnë vendosjen e kufizimeve për ekspozimin ndaj rrezikut, veçanërisht në rastet kur kredidhënia rritet me ritme që mund të cenojnë stabilitetin financiar.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ketë një bazë ligjore më të qartë për identifikimin e bankave me rëndësi sistemike dhe vendosjen e kërkesave shtesë për to.
Rregulla të reja për kapitalin e bankave
Projektligji përcakton në nivel ligjor kërkesat minimale prudenciale për kapitalin e institucioneve të kreditit, në përputhje me standardet europiane.
Kërkesat minimale përfshijnë kapitalin bazë të nivelit të parë prej 4.5%, kapitalin e nivelit të parë prej 6% dhe kapitalin total prej 8% të ekspozimeve të ponderuara me rrezik. Gjithashtu parashikohet një raport minimal i levës financiare prej 3%.
Përtej këtyre niveleve, parashikohen shtesa kapitali që synojnë të krijojnë rezerva financiare për përballimin e krizave.
Shtesa konservuese e kapitalit përcaktohet në 2.5%, ndërsa shtesa kundërciklike parashikohet në intervalin 0–2.5%, me mekanizma rishikimi periodik.
Kërkesa të tjera shtesë do të zbatohen për institucionet me rëndësi sistemike dhe në rastet kur identifikohen rreziqe të veçanta për stabilitetin financiar.
Një tjetër risi është mekanizmi që kufizon shpërndarjen e fitimit dhe pagesa të caktuara kur institucioni nuk plotëson kërkesat përkatëse të kapitalit.
Kjo synon të shmangë situatat kur bankat shpërndajnë fitime te aksionarët, ndërkohë që kanë nevojë të forcojnë kapitalin për të përballuar rreziqet financiare.
Mbrojtje më e fortë për klientët dhe depozituesit
Projektligji parashikon edhe dispozita që synojnë forcimin e transparencës në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve të tyre.
Sipas relacionit, bankat do të kenë detyrime më të qarta për publikimin e kushteve të veprimtarisë dhe informimin periodik të klientëve.
Parashikohet informim vjetor i klientëve dhe rregullim më i detajuar i procedurave për trajtimin e ankesave, me afate të përcaktuara.
Një tjetër element është forcimi i mbrojtjes së depozituesve në rastet kur një institucion krediti përballet me vështirësi të rënda financiare ose hyn në proces likuidimi.
Projektligji përcakton mekanizma të rinj për trajtimin e aktiveve dhe detyrimeve të institucioneve të kreditit, si dhe rendin e përparësisë së kreditorëve.
Qëllimi është që problemet e një banke të trajtohen në mënyrë të organizuar, duke kufizuar pasojat për depozituesit dhe ekonominë.
Rregulla të reja për drejtuesit e bankave dhe shpërblimet
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në qeverisjen e brendshme të institucioneve të kreditit.
Projektligji forcon kërkesat për përshtatshmërinë profesionale dhe integritetin e drejtuesve, duke përfshirë anëtarët e këshillave mbikëqyrës, këshillave të administrimit dhe drejtuesit e funksioneve kryesore.
Rregullat e reja synojnë të sigurojnë që drejtimi i bankave të realizohet nga persona që plotësojnë kriteret e nevojshme profesionale dhe të besueshmërisë.
Parashikohen gjithashtu kërkesa më të detajuara për komitetet e auditimit, administrimit të rrezikut, emërimeve dhe shpërblimeve.
Politikat e shpërblimit të drejtuesve duhet të marrin parasysh rreziqet që ndërmerr institucioni, duke shmangur stimujt për vendimmarrje që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë financiare.
Kripto-asetet dhe paraja elektronike përfshihen në kuadrin e ri
Një tjetër risi e rëndësishme lidhet me përshtatjen e legjislacionit bankar me zhvillimet e teknologjisë financiare.
Projektligji përfshin dispozita që lidhen me kripto-asetet, paranë elektronike, tokenët e referuar në aktive dhe shërbimet e reja financiare teknologjike.
Sipas relacionit, qëllimi është krijimi i një baze ligjore për trajtimin dhe mbikëqyrjen e rreziqeve që burojnë nga këto aktivitete, në përputhje me zhvillimet rregullatore të Bashkimit Europian.
Kjo nuk nënkupton lejimin automatik të çdo aktiviteti me kripto-asete nga bankat, por vendosjen e rregullave për aktivitetet dhe ekspozimet që lejohen sipas legjislacionit përkatës.
Projektligji synon gjithashtu të shmangë boshllëqet rregullatore që mund të krijohen nga zhvillimi i shpejtë i produkteve dhe shërbimeve financiare digjitale.
Bankat duhet të vlerësojnë edhe rreziqet klimatike
Për herë të parë në një kuadër kaq të gjerë ligjor për institucionet e kreditit, rreziqet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes trajtohen shprehimisht si pjesë e administrimit të rrezikut bankar.
Bankat do të duhet të marrin në konsideratë ndikimin që ndryshimet klimatike, tranzicioni drejt një ekonomie me emetime më të ulëta dhe faktorë të tjerë të qëndrueshmërisë mund të kenë mbi aktivitetin dhe portofolet e tyre.
Projektligji parashikon plane për administrimin e këtyre rreziqeve dhe vlerësime të qëndrueshmërisë përmes testeve të stresit klimatik.
Këto kërkesa synojnë që institucionet financiare të identifikojnë më herët rreziqet afatgjata që mund të ndikojnë te aftësia paguese e klientëve, vlera e garancive dhe qëndrueshmëria e investimeve.
Rregulla të reja për institucionet financiare jobanka dhe kreditë me probleme
Një pjesë e rëndësishme e projektligjit i kushtohet institucioneve financiare jobanka, të cilat ushtrojnë aktivitete si kredidhënia, qiraja financiare, këmbimi valutor dhe blerja apo shitja e kredive me probleme.
Për këto subjekte parashikohet një kuadër më i plotë ligjor, që përfshin licencimin, kushtet e ushtrimit të aktivitetit, administrimin e rreziqeve, detyrimet e raportimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Banka e Shqipërisë do të ketë kompetenca të përcaktuara për inspektimin, mbikëqyrjen dhe vendosjen e masave administrative ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat ligjore.
Kjo pjesë e reformës ka rëndësi të veçantë edhe për tregun e kredive me probleme, ku aktiviteti i blerjes dhe administrimit të portofolave të kredive kërkon rregulla të qarta për mbikëqyrjen dhe marrëdhëniet me klientët.
Sipas relacionit, synimi është mbyllja e boshllëqeve rregullatore dhe krijimi i një sistemi më të unifikuar të mbikëqyrjes së institucioneve financiare jobanka.
Procedura të reja për bankat që falimentojnë ose dalin nga tregu
Projektligji ndryshon edhe mënyrën e trajtimit të institucioneve të kreditit që nuk janë më në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre.
Parashikohen procedura të posaçme për likuidimin vullnetar dhe të detyruar, si dhe mekanizma për administrimin dhe transferimin e aktiveve.
Një nga risitë është krijimi i një kuadri të detajuar për funksionimin e Bordit të Likuidimit dhe përcaktimin e përgjegjësive të likuidatorëve.
Projektligji përcakton se kreditorët duhet të paraqesin pretendimet e tyre, me dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga publikimi i njoftimit të fillimit të likuidimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtimet e parashikuara në ligj.
Likuidatori ka gjithashtu një afat prej 60 ditësh pas përfundimit të periudhës së paraqitjes së pretendimeve për shqyrtimin e tyre, me mundësi zgjatjeje sipas kushteve të përcaktuara.
Në procesin e likuidimit parashikohet edhe një rend i ri për trajtimin e kategorive të ndryshme të kreditorëve, përfshirë instrumentet e borxhit të klasifikuara si detyrime të nivelit të lartë jo të preferuara.
Këto ndryshime synojnë që dalja e një banke nga tregu të mos shkaktojë pasoja të pakontrolluara për depozituesit, kreditorët dhe sistemin financiar.
Bankat shqiptare drejt tregut të përbashkët europian
Një tjetër ndryshim strategjik lidhet me integrimin e sistemit bankar shqiptar në tregun financiar të Bashkimit Europian.
Projektligji parashikon mekanizmin e njohur si “pasaporta e vetme”, i cili do t’u mundësojë institucioneve të kreditit të licencuara në Shqipëri, pas anëtarësimit të vendit në BE, të hapin degë ose të ofrojnë drejtpërdrejt shërbime në shtete të tjera anëtare, sipas kushteve të legjislacionit europian.
I njëjti mekanizëm do të zbatohet edhe për institucionet e kreditit të vendeve të Bashkimit Europian që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.
Projektligji forcon gjithashtu bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe autoriteteve europiane të mbikëqyrjes, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe mbikëqyrjen e grupeve bankare që operojnë në disa vende.
Për degët e institucioneve të kreditit nga vendet jashtë BE-së parashikohen kërkesa të posaçme mbikëqyrëse, të diferencuara sipas madhësisë dhe nivelit të rrezikut.
Reformë që zëvendëson ligjin 20-vjeçar të bankave
Në relacionin shoqërues theksohet se ligji aktual, i miratuar në vitin 2006 dhe i ndryshuar disa herë, nuk i përmbush plotësisht kërkesat e kuadrit ligjor të Bashkimit Europian.
Për këtë arsye është zgjedhur hartimi i një ligji të ri, në vend të ndryshimeve të pjesshme të legjislacionit ekzistues.
Reforma synon përafrimin me direktivat europiane CRD IV, V dhe VI, si dhe me standardet e kërkesave prudenciale për kapitalin, likuiditetin dhe mbikëqyrjen bankare.
Miratimi i projektligjit konsiderohet një hap i rëndësishëm për përmbushjen e piketave të negociatave të Kapitullit 9, “Shërbimet financiare”, veçanërisht në pjesën që lidhet me bankat dhe konglomeratet financiare. /ekofin.al
