Vala e zjarreve që përfshiu vendin gjatë muajve të verës, duke prekur zona të shumta nga Mallakastra, Kruja e Dajti deri në Malësinë e Madhe, Kavajë e Kurbin, riktheu në vëmendje rrezikun që u kanoset banesave, bizneseve dhe pronave. Por, a janë ndërgjegjësuar shqiptarët për rëndësinë e sigurimit të pronës nga zjarri?
Shifrat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar-shtator 2026 tregojnë se interesi për këtë lloj sigurimi nuk është rritur. Përkundrazi, primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore arritën në rreth 1.6 miliardë lekë, nga 1.9 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra, një tkurrje prej 14.3%.
Kjo do të thotë se, pavarësisht rrezikut të shtuar nga zjarret dhe dëmet që ato shkaktojnë, qytetarët dhe bizneset nuk po i drejtohen në masë më të madhe sigurimit për të mbrojtur pronën e tyre.
Ndërkohë, në kahun tjetër, kompanitë e sigurimit kanë paguar më shumë për dëmet e shkaktuara. Në nëntë muajt e parë të vitit, dëmshpërblimet për sigurimin nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore arritën në rreth 471 milionë lekë, nga 356 milionë lekë një vit më parë. Rritja është mbi 32%.
Pra, ndërsa vlera e dëmeve të paguara po rritet, të ardhurat nga primet e këtij sigurimi po bien. Një kontrast që tregon se ekspozimi ndaj rrezikut nuk po shoqërohet me një interes më të madh për mbrojtjen financiare.
Megjithatë, rritja e dëmshpërblimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se më shumë prona janë të siguruara, por se kompanitë kanë paguar më shumë për dëmet e raportuara.
Të dhënat tregojnë se sigurimi i pronës nga zjarri mbetet ende një mbrojtje që shqiptarët nuk po e përdorin sa duhet, edhe kur rreziku bëhet konkret dhe pasojat mund të jenë të konsiderueshme./Scantv
