Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka paraqitur pesë propozime konkrete për ndryshimin e Paketës Fiskale 2027, duke kërkuar një trajtim më të favorshëm për bizneset e vogla, lehtësimin e tatimit mbi fitimin kapital nga shitja e pronave, nxitjen e tregut të qirave dhe rishikimin e metodologjisë së çmimeve referuese.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 12 nëntor në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria, deklaroi se propozimet mbështeten në të dhëna nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, administrata tatimore, OSHEE, INSTAT dhe indeksi i çmimeve i ndërtuar nga shoqata mbi më shumë se 25 mijë të dhëna tregu në 16 bashki.
Pipiria theksoi se NAREA mbështet objektivat e formalizimit të ekonomisë dhe përafrimit me Bashkimin Evropian, si dhe disa masa të paketës, përfshirë ruajtjen e tatimit mbi fitimin në nivelin 15%, lehtësimin e tatimit mbi pagat për shtresën e mesme dhe TVSH-në 6% për ushqimet bazë.
Megjithatë, sipas tij, disa nga ndryshimet e propozuara kërkojnë rishikim për të shmangur pasoja negative për bizneset dhe tregun e pasurive të paluajtshme.
1. Pragu i TVSH-së të mos ulet në 5 milionë lekë, por të jetë 8.5 milionë
Një nga kërkesat kryesore të NAREA lidhet me uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke filluar nga 1 janari 2027.
Sipas Pipirias, ky ndryshim do të përfshijë në skemën e TVSH-së rreth 17.500 subjekte të reja, të cilat kanë pasur vetëm dy muaj kohë për t’u përgatitur.
Drejtori ekzekutiv i NAREA argumentoi se legjislacioni evropian nuk e detyron Shqipërinë ta ulë pragun në 5 milionë lekë. Duke iu referuar Direktivës 2006/112/KE, të ndryshuar me Direktivën 2020/285, ai theksoi se kufiri prej 85 mijë eurosh për përjashtimin e bizneseve të vogla nga TVSH-ja përfaqëson një tavan dhe jo një prag minimal të detyrueshëm.
NAREA propozon që pragu i TVSH-së të mos jetë më i ulët se 8.5 milionë lekë.
Shoqata kërkon gjithashtu që për bizneset me xhiro nga 8.5 deri në 10 milionë lekë, detyrimi i ri të fillojë më 1 korrik 2027, duke u dhënë më shumë kohë për përshtatje.
Një tjetër propozim është përfshirja e një tolerance prej 10% për bizneset që e tejkalojnë pragun gjatë vitit, sipas mekanizmit të parashikuar në direktivën evropiane.
Paralelisht, NAREA propozon vendosjen e rregullave kundër copëzimit artificial të bizneseve, duke llogaritur së bashku xhiron e subjekteve të lidhura.
Sipas Pipirias, kjo do të mundësonte luftimin e informalitetit pa rënduar bizneset e vogla që ushtrojnë aktivitet të rregullt.
2. Lehtësim i tatimit 15% për shitjen e pronave
Një tjetër kërkesë e rëndësishme lidhet me tatimin mbi fitimin kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme, i cili aktualisht është 15%.
NAREA propozon ndryshimin e mënyrës së llogaritjes së këtij tatimi, duke marrë parasysh inflacionin, kohëzgjatjen e pronësisë dhe rastet kur të ardhurat nga shitja përdoren për të blerë një pronë tjetër.
Sipas Pipirias, Shqipëria është ndër vendet me trajtimin më pak të favorshëm fiskal të shitjes së pronave në Evropë, ndërsa në shumë vende evropiane banesa kryesore përjashtohet nga tatimi pas një periudhe të caktuar zotërimi.
Ai solli në vëmendje edhe ecurinë e të ardhurave buxhetore nga ky tatim.
Sipas të dhënave të paraqitura nga NAREA, kontratat e shitjes së apartamenteve janë rritur me 88% krahasuar me vitin 2024, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi shitjen e pronave kanë arritur në 8.3 miliardë lekë vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.
Kjo shumë ka tejkaluar të ardhurat e realizuara gjatë gjithë vitit 2025.
NAREA argumenton se ulja e barrës tatimore mund të nxisë më shumë transaksione, duke kompensuar një pjesë të efektit fiskal përmes zgjerimit të tregut.
Propozimi përfshin indeksimin e vlerës së pronës me inflacionin, uljen e tatimit në varësi të viteve të mbajtjes së saj dhe lehtësimin fiskal për rastet e riinvestimit.
Sipas shoqatës, këto masa do të nxisnin daljen në treg të banesave të vjetra, do të kufizonin spekulimin dhe do të ndikonin pozitivisht në përballueshmërinë e strehimit.
3. Tre vite pa tatim mbi qiranë dhe ulje të normës nga 15% në 10%
NAREA ka kërkuar gjithashtu një qasje tjetër ndaj banesave të pabanuara, në vend të vendosjes së menjëhershme të një takse shtesë për pronat bosh.
Pipiria argumentoi se të dhënat e konsumit të energjisë elektrike tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e banesave që rezultojnë pa konsum nuk ndodhen në zonat me presionin më të lartë të kërkesës për qira.
Në Tiranë, sipas të dhënave të paraqitura nga shoqata, vetëm rreth një në dhjetë kontrata familjare rezulton pa konsum energjie, një nivel sa gjysma e mesatares kombëtare.
Ndërkohë, një pjesë e madhe e banesave pa konsum ndodhen në Gjirokastër, Kukës, Shkodër dhe Vlorë, zona të prekura nga emigracioni.
NAREA vlerëson se rreth 45 mijë banesa përdoren vetëm gjatë sezonit veror.
Për këtë arsye, Pipiria paralajmëroi se vendosja e një takse të përgjithshme mbi banesat bosh mund të godasë pronat e emigrantëve, pa dhënë domosdoshmërisht efekt në rritjen e ofertës së qirave në Tiranë.
NAREA propozon përjashtimin nga tatimi mbi qiranë për 36 muaj të banesave që hyjnë në tregun formal të qiradhënies.
Pas kësaj periudhe, shoqata kërkon që norma e tatimit për qiratë afatgjata të ulet nga 15% në 10%.
Sa i përket taksës shtesë për banesat bosh, NAREA propozon që ajo të konsiderohet vetëm si instrument i fundit, pas vitit 2029, kur të jetë funksionale Kadastra Fiskale dhe të ekzistojë një regjistër i besueshëm i pronave.
Edhe në këtë rast, taksa duhet të zbatohet vetëm në zonat ku ka presion të lartë mbi tregun e strehimit dhe të përfshijë përjashtime për banesat e emigrantëve.
Shoqata argumenton se nxitja e qiradhënies së regjistruar mund të sjellë më shumë të ardhura në buxhet në afatmesëm.
Në një përllogaritje ilustruese, NAREA vlerëson se futja në tregun formal e 10 mijë banesave me qira mujore 40 mijë lekë do të gjeneronte rreth 480 milionë lekë të ardhura tatimore në vit, nëse zbatohet norma 10%.
4. Çmimet referuese të pronave të bazohen te shitjet reale
Një tjetër çështje e ngritur nga Pipiria lidhet me metodologjinë e përcaktimit të çmimeve referuese të pasurive të paluajtshme, të cilat përdoren për qëllime fiskale.
Sipas analizës së NAREA, çmimet me të cilat realizohen transaksionet e shitjes janë përgjithësisht 10–15% më të ulëta sesa çmimet e publikuara në portalet e pasurive të paluajtshme.
Diferencat janë të konsiderueshme edhe ndërmjet zonave të ndryshme të kryeqytetit.
Në Tiranë, sipas të dhënave të shoqatës, çmimet variojnë nga më pak se 1.300 euro për metër katror në disa zona, në mbi 3.000 euro për metër katror në zona të tjera.
Për këtë arsye, NAREA kërkon që çmimet referuese të përcaktohen mbi bazën e vlerave reale të transaksioneve dhe jo thjesht mbi çmimet e shpallura në treg.
Shoqata propozon ndarjen e territorit në zona më të detajuara, përditësimin e çmimeve referuese të paktën një herë në vit dhe zbatimin gradual të ndryshimeve.
Pipiria theksoi se të dhënat për këtë proces ekzistojnë, pasi vetëm gjatë vitit 2026 Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka regjistruar mbi 16 mijë kontrata shitjeje apartamentesh.
5. Ndryshimet fiskale të njoftohen të paktën gjashtë muaj përpara
Propozimi i pestë i NAREA lidhet me parashikueshmërinë e politikave fiskale.
Pipiria kërkoi që çdo ndryshim tatimor me ndikim mbi bizneset të njoftohet të paktën gjashtë muaj përpara hyrjes në fuqi.
Gjithashtu, çdo ndryshim duhet të shoqërohet me një vlerësim të ndikimit rregullator, ku të analizohen kostot dhe përfitimet për bizneset, qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Sipas tij, aktet e Paketës Fiskale 2027 nuk shoqërohen me një vlerësim të tillë.
NAREA argumenton se vendosja e këtij standardi do të rriste sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë për investitorët, pa krijuar kosto shtesë për buxhetin.
Shqetësime edhe për TVSH-në 21% dhe tatimin mbi dividendin
Përveç pesë propozimeve kryesore, NAREA ka ngritur edhe dy çështje të tjera në materialin e paraqitur në Kuvend.
E para lidhet me rritjen e propozuar të TVSH-së në 21%, e cila do të ndikonte edhe mbi komisionet e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme.
Shoqata paralajmëron se një barrë më e lartë tatimore mund të shtojë informalitetin nëse nuk forcohet kontrolli ndaj operatorëve të palicencuar.
Për këtë arsye, kërkohet zbatim më i fortë i ligjit nr. 9/2022 për ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme dhe përdorimi i pagesave jo-cash mbi një prag të caktuar.
Çështja e dytë lidhet me rritjen e propozuar të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
Sipas NAREA, barra e kombinuar tatimore mbi fitimin e shpërndarë do të rritej nga 21.8% në rreth 27.8%.
Shoqata kërkon një periudhë tranzitore, duke propozuar që norma 8% të ruhet për fitimet e realizuara deri më 31 dhjetor 2026, edhe nëse shpërndarja e tyre bëhet më vonë.
Pipiria: Synimi është një treg më transparent dhe strehim më i përballueshëm
Në përfundim të fjalës së tij në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria, bëri të ditur se propozimet i janë paraqitur me shkrim Ministrisë së Financave.
Shoqata ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në grupet teknike të punës, duke vënë në dispozicion analizat e tregut dhe ekspertizën evropiane përmes CEPI, organizatës evropiane të profesioneve të pasurive të paluajtshme.
NAREA vlerëson se formalizimi i tregut nuk duhet të mbështetet vetëm te rritja e barrës tatimore, por edhe te stimujt që nxisin regjistrimin e transaksioneve, qiradhënien e ligjshme dhe qarkullimin e pronave.
Objektivi, sipas Pipirias, është krijimi i një tregu të pasurive të paluajtshme më transparent dhe më të formalizuar, si dhe garantimi i një strehimi më të përballueshëm për qytetarët./ekofin.al
