Shqipëria mbetet pjesë e debatit europian për përballueshmërinë e energjisë, në një kohë kur familjet në vendet e Bashkimit Europian kanë përfituar nga një ulje mesatare e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Megjithatë, kjo tendencë mund të mos zgjasë. Rritja e çmimeve në tregjet me shumicë, e nxitur edhe nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, pritet të reflektohet gradualisht në faturat e familjeve, veçanërisht gjatë vitit 2027.
Sipas të dhënave të Eurostat, çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjet në BE ishte 28,3 euro për 100 kWh në gjysmën e parë të vitit 2026, me një rënie prej 1,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe çmimi i gazit për konsumatorët familjarë shënoi rënie, duke arritur mesatarisht në 11 euro për 100 kWh, ose 3,5% më pak në bazë vjetore.
Megjithatë, diferencat mes vendeve europiane mbeten të konsiderueshme, si për energjinë elektrike, ashtu edhe për gazin.
Shqipëria, me çmim 11,9 euro për 100 kWh
Të dhënat për Shqipërinë tregojnë një nivel dukshëm më të ulët të çmimit të energjisë elektrike krahasuar me mesataren e BE-së. Në gjysmën e parë të vitit 2026, familjet shqiptare paguanin mesatarisht 11,9 euro për 100 kWh, kundrejt 28,3 eurove në Bashkimin Europian.
Krahasuar me një vit më parë, çmimi në Shqipëri është rritur lehtë, nga 11,6 euro për 100 kWh në gjysmën e parë të vitit 2025, në 11,9 euro në të njëjtën periudhë të vitit 2026.
Kjo e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve me çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në Europë, megjithëse krahasimi duhet parë edhe në raport me fuqinë blerëse dhe të ardhurat e familjeve. Një çmim më i ulët në euro nuk nënkupton automatikisht një barrë më të lehtë për buxhetin familjar.
Irlanda, vendi me energjinë elektrike më të shtrenjtë
Në renditjen e 38 vendeve europiane të përfshira në analizë, çmimet e energjisë elektrike për familjet, përfshirë taksat, variojnë nga 6,6 euro për 100 kWh në Turqi, në 38,7 euro në Irlandë.
Brenda Bashkimit Europian, Hungaria regjistron çmimin më të ulët, me 11,4 euro për 100 kWh, ndërsa mesatarja europiane arrin në 28,3 euro.
Pas Irlandës, vendet me energjinë elektrike më të shtrenjtë janë:
* Gjermania: 36,2 euro për 100 kWh.
* Belgjika: 35,8 euro.
* Austria: 32,6 euro.
* Italia: 31,4 euro.
* Suedia: 30,6 euro.
Ndërkohë, Spanja, me 25,1 euro, dhe Franca, me 24,9 euro për 100 kWh, qëndrojnë nën mesataren e BE-së.

Rumania kryeson për çmimin e energjisë në raport me fuqinë blerëse
Kur çmimet përshtaten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), renditja ndryshon ndjeshëm. Ky tregues merr parasysh edhe ndryshimet në nivelet e çmimeve dhe fuqinë blerëse ndërmjet vendeve, duke ofruar një pasqyrë më të plotë të kostos reale për konsumatorët.
Në këtë klasifikim, Rumania regjistron çmimin më të lartë të energjisë elektrike, me 46,9 PPS për 100 kWh. Ajo ndiqet nga Polonia me 41,1 PPS dhe Republika Çeke me 34,3 PPS.
Në anën tjetër, Islanda, Turqia, Malta, Hungaria dhe Norvegjia renditen ndër vendet me çmimet më të ulëta sipas këtij treguesi.
Edhe mes ekonomive më të mëdha të BE-së ka diferenca. Italia dhe Gjermania kanë çmimet më të larta në raport me fuqinë blerëse, përkatësisht 32,8 dhe 32,4 PPS, ndërsa Franca rezulton më e favorshme, me 23,3 PPS.
Çmimet e energjisë elektrike, rritja më e fortë në Rumani
Pavarësisht rënies së përgjithshme në BE, zhvillimet në tregjet kombëtare kanë qenë të ndryshme.
Krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjet në BE u ul me 2,2%. Rritjen më të madhe e regjistroi Finlanda, me 19,5%, e ndjekur nga Turqia me 11,2%, Polonia dhe Lituania me nga 10,6%, si dhe Suedia me 10,4%.
Në të kundërt, Danimarka shënoi rënien më të madhe, me 28,2%, ndërsa Luksemburgu me 24,1%.
Në krahasimin vjetor, me gjysmën e parë të vitit 2025, çmimi mesatar i energjisë elektrike në BE u ul me 1,6%. Por Rumania regjistroi rritjen më të fortë, me 51,9%, e ndjekur nga Turqia me 35%, Irlanda me 19,8% dhe Finlanda me 18,4%.
Në katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, çmimet ranë në Francë me 7%, në Gjermani me 5,7%, në Itali me 4,5% dhe në Spanjë me 3,9%.
Sipas ekspertëve, ndryshimet lidhen edhe me politikat e qeverive për taksat, tarifat dhe kostot e rrjetit. Këta komponentë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të faturës përfundimtare që paguajnë familjet.
Për shembull, Danimarka uli përkohësisht taksën mbi energjinë elektrike me rreth 0,10 euro për kWh, duke filluar nga 1 janari 2026. Ndërsa Finlanda nuk aplikoi një lehtësi të ngjashme fiskale.
Një tjetër faktor është struktura e furnizimit me energji, mënyra se si kompanitë blejnë energjinë, skemat tarifore dhe mënyra e shpërndarjes së kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve.
Suedia ka gazin më të shtrenjtë në Europë
Edhe tregu i gazit natyror paraqet diferenca të konsiderueshme ndërmjet vendeve europiane.
Në 29 vendet për të cilat disponohen të dhëna, çmimi i gazit për familjet, përfshirë taksat, varion nga 1,6 euro për 100 kWh në Gjeorgji, në 22 euro në Suedi.
Brenda Bashkimit Europian, Hungaria ka çmimin më të ulët, me 3,3 euro për 100 kWh, ndërsa mesatarja e BE-së është 11 euro.
Pas Suedisë, çmimet më të larta regjistrohen në Holandë, me 16,2 euro, Francë me 13,5 euro, Portugali me 12,6 euro dhe Austri me 12,4 euro për 100 kWh.
Gjermania dhe Italia gjithashtu qëndrojnë mbi mesataren europiane, me përkatësisht 11,6 dhe 11,4 euro. Spanja, ndërkohë, ka një çmim më të ulët, prej 7,9 eurosh.
Kur llogaritja bëhet sipas fuqisë blerëse, renditja ndryshon përsëri. Maqedonia e Veriut shënon nivelin më të lartë, me 20,8 PPS për 100 kWh, pavarësisht se në terma nominalë çmimi i saj është 10,8 euro, nën mesataren e BE-së.
Suedia, Portugalia dhe Holanda mbeten gjithashtu ndër vendet me gazin më të shtrenjtë sipas këtij treguesi.
Sa i përket ecurisë së çmimeve, gazi për familjet në BE u bë mesatarisht 10,2% më i lirë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025. Rëniet më të mëdha u regjistruan në Itali me 23,2%, Spanjë me 17,6% dhe Greqi me 16%.
Në të kundërt, Turqia shënoi rritjen më të madhe, me 12,9%, e ndjekur nga Rumania me 6,3%.
Në krahasimin vjetor, çmimi mesatar i gazit në BE ra me 3,5%.
Pse rritja e çmimeve në tregjet me shumicë nuk reflektohet menjëherë në faturat familjare?
Një nga çështjet kryesore që ngre analiza është vonesa kohore ndërmjet ndryshimeve të çmimeve në tregjet me shumicë dhe ndikimit të tyre te konsumatorët fundorë.
Sipas profesoreshës Xiaoyi Mu, drejtuese e Qendrës për Energjinë, Naftën dhe Politikën e Burimeve Minerare në Universitetin e Dundee, ekziston gjithmonë një diferencë kohore ndërmjet çmimit referencë të gazit natyror në tregun me shumicë (TTF) dhe çmimit që paguajnë familjet.
Kjo vonesë mund të zgjasë nga disa muaj deri në më shumë se një vit, në varësi të mënyrës se si funksionon tregu i energjisë në secilin vend.
Një arsye është se shumë familje kanë kontrata me çmime fikse. Në këto kushte, furnizuesit nuk mund t’ua transferojnë menjëherë konsumatorëve rritjen e kostove në tregjet me shumicë.
Gjithashtu, kompanitë e furnizimit blejnë shpesh energjinë elektrike dhe gazin paraprakisht, për të mbrojtur aktivitetin e tyre nga luhatjet e çmimeve. Kjo bën që ndryshimet në tregjet ndërkombëtare të reflektohen me vonesë në tarifat për konsumatorët.
Faturat e energjisë mund të rriten më shumë në vitin 2027
Pavarësisht rënies së çmimeve në gjysmën e parë të vitit 2026, perspektiva për periudhën në vijim mbetet më pak optimiste.
Sipas Xiaoyi Mu, një nga arsyet kryesore të uljes së faturave të familjeve në gjysmën e parë të vitit ishte rënia e mëparshme e çmimeve të gazit në tregjet europiane.
Çmimi referencë i gazit me shumicë në Europë ra me 19% në gjysmën e dytë të vitit 2025, krahasuar me gjysmën e parë të atij viti, dhe me 14% kundrejt gjysmës së dytë të vitit 2024.
Megjithatë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritja pasuese e çmimeve të gazit në tregjet me shumicë mund të ndryshojnë këtë tendencë.
Ekspertja paralajmëron se familjet europiane mund të përballen me fatura më të larta energjie në gjysmën e dytë të vitit 2026, por ndikimi më i madh pritet të ndihet në gjysmën e parë të vitit 2027.
Të dhënat e indeksit europian HEPI tregojnë se, në kryeqytetet europiane të monitoruara, çmimet e gazit për familjet u rritën mesatarisht me 12% nga 2 shkurti deri më 1 shtator, ndërsa ato të energjisë elektrike u rritën me 4,2%.
Në përditësimin e tetorit, rritje të çmimeve të energjisë elektrike u regjistruan në 21 nga 33 kryeqytetet e monitoruara, ndërsa çmimet e gazit u rritën në 14 nga 27 kryeqytetet për të cilat disponohen të dhëna./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
