Shqipëria renditet në vendin e 86-të mes 170 ekonomive të botës për varësinë nga tregtia ndërkombëtare, me një raport të eksporteve dhe importeve të mallrave dhe shërbimeve ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 79.5%. Të dhënat publikohen nga platforma ndërkombëtare Visual Capitalist, në një renditje të bazuar në statistikat e Bankës Botërore për tregtinë globale.
Ky tregues e vendos Shqipërinë pranë Gjermanisë, e cila ka një raport prej 78.5%, si dhe Greqisë me 83.5%. Në rajon, ekonomitë e vendeve fqinje paraqiten më të ekspozuara ndaj tregtisë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut regjistron 133% të PBB-së, Kosova 118.2%, Serbia 112.9%, ndërsa Mali i Zi 105.8%.
Raporti mat peshën e eksporteve dhe importeve të mallrave dhe shërbimeve në raport me ekonominë e një vendi. Sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më e madhe është pesha e tregtisë ndërkombëtare në aktivitetin ekonomik.

Luksemburgu, San Marino dhe Singapori kryesojnë renditjen
Në krye të klasifikimit botëror qëndron Luksemburgu, ku vlera e eksporteve dhe importeve arrin në 349.9% të PBB-së. Pas tij renditen San Marino me 341% dhe Singapori me 320.3%. Irlanda dhe Malta plotësojnë pesë vendet e para, përkatësisht me 240% dhe 219%.
Sipas analizës, 16 nga 20 ekonomitë më të varura nga tregtia kanë më pak se 10 milionë banorë. Kjo lidhet me faktin se ekonomitë e vogla kanë kapacitete më të kufizuara për të prodhuar të gjitha mallrat dhe shërbimet që u nevojiten, duke u mbështetur më shumë te importet dhe eksportet. Disa prej tyre shërbejnë gjithashtu si qendra financiare, porte dhe nyje tranziti për tregjet më të mëdha.
Ekonomitë e mëdha kanë varësi më të ulët relative
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara renditen ndër ekonomitë me raportin më të ulët të tregtisë ndaj PBB-së, me vetëm 25%, ndërsa Kina regjistron 38%, pavarësisht se është eksportuesja më e madhe në botë e mallrave.
Kjo nuk do të thotë se këto vende kanë volum të vogël tregtie. Përkundrazi, SHBA-ja dhe Kina realizojnë shkëmbime tregtare me vlera trilionë dollarëshe, por madhësia e tregjeve të tyre të brendshme bën që një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik të zhvillohet brenda kufijve kombëtarë.
Sipas të dhënave të publikuara, 58 vende kanë një volum të kombinuar eksportesh dhe importesh që tejkalon vlerën e PBB-së së tyre, ndërsa mediana globale e këtij raporti është rreth 80%./ekofin.al
