Qeveria po përgatit ndryshime ligjore që do t’u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare të verifikojnë drejtpërdrejt të dhënat e qytetarëve në regjistrat shtetërorë, pa qenë e nevojshme që klientët të paraqesin dokumente nga institucione të ndryshme. Aksesi do të lejohet vetëm me pëlqimin e qytetarit, ndërsa për përdorimin e paautorizuar të të dhënave parashikohen gjoba nga 1 deri në 10 milionë lekë.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar një projektligj që parashikon hapjen e kontrolluar të bazave të të dhënave shtetërore për sektorin privat, duke krijuar një mekanizëm të ri për shkëmbimin dhe verifikimin elektronik të informacionit.
Nisma, e cila ndryshon ligjin nr. 10 325, datë 23 shtator 2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, synon të reduktojë burokracitë, të shkurtojë kohën e marrjes së shërbimeve financiare dhe të forcojë sigurinë në identifikimin e klientëve.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, aktualisht bankat dhe institucionet financiare mbështeten kryesisht te dokumentacioni që paraqesin klientët, pasi nuk ekziston një mekanizëm i plotë ligjor për verifikimin e drejtpërdrejtë të të dhënave në burimet shtetërore.
Kjo situatë sjell vonesa, kosto administrative dhe rrezik të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, të pasakta apo të vjetruara.
Bankat do të verifikojnë të dhënat drejtpërdrejt në regjistrat shtetërorë
Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i mundësisë që bankat dhe institucionet financiare të licencuara të aksesojnë drejtpërdrejt të dhënat që disponohen nga institucionet shtetërore.
Kjo do të thotë se, për shërbime si hapja e një llogarie bankare apo aplikimi për kredi, institucionet financiare do të mund të verifikojnë informacionin e nevojshëm në regjistrat shtetërorë, në vend që t’i kërkojnë klientit të sigurojë dokumente nga disa institucione.
Megjithatë, e drejta për akses të drejtpërdrejtë nuk do t’i jepet automatikisht çdo biznesi privat.
Projektligji përcakton katër kushte që duhet të përmbushen njëkohësisht nga subjektet që kërkojnë këtë akses: Të ushtrojnë veprimtari bankare ose financiare; Të jenë të licencuara nga autoritetet përgjegjëse; Të ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët ose bizneset, për të cilat nevojiten të dhëna shtetërore; Të kenë detyrim ligjor për përpunimin e këtyre të dhënave.
Në këtë mënyrë, aksesi i drejtpërdrejtë do të kufizohet te subjektet e rregulluara dhe të mbikëqyrura, të cilat kanë një nevojë të përcaktuar ligjore për informacionin.
Pa pëlqimin e qytetarit nuk mund të aksesohen të dhënat personale
Projektligji vendos si kusht themelor marrjen e pëlqimit të qytetarit për aksesin në të dhënat e tij personale.
Në nenin e ri 8/1 përcaktohet se aksesi kryhet vetëm me pëlqimin e subjektit të të dhënave dhe vetëm për qëllimin e përcaktuar në këtë pëlqim.
Kjo do të thotë se një bankë nuk do të ketë të drejtë të kontrollojë në mënyrë të pakufizuar informacionet personale të klientit.
Edhe në rastet kur qytetari jep pëlqimin, institucioni financiar do të mund të përdorë vetëm të dhënat që lidhen me shërbimin për të cilin është autorizuar.
Gjithashtu, subjektet private do të kenë vetëm të drejtën e leximit dhe verifikimit të informacionit. Ato nuk do të mund të shtojnë, ndryshojnë apo fshijnë të dhëna në regjistrat shtetërorë.
Çdo akses do të regjistrohet nga institucioni administrues i bazës së të dhënave, duke evidentuar subjektin që ka kryer verifikimin, datën, orën, informacionin e aksesuar dhe qëllimin e përdorimit.
Gjoba deri në 10 milionë lekë për akses të paautorizuar
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me forcimin e sanksioneve ndaj subjekteve private që shkelin rregullat e aksesit.
Projektligji parashikon gjoba nga 1 milion deri në 10 milionë lekë për aksesin e paautorizuar në bazat e të dhënave shtetërore, përfshirë rastet kur një institucion përdor informacione përtej atyre për të cilat qytetari ka dhënë pëlqimin.
Sanksionet do të zbatohen për shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative dhe jo vepra penale.
Sipas relacionit, gjobat aktuale të ligjit, që variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, konsiderohen të pamjaftueshme për të parandaluar shkeljet nga subjektet e mëdha financiare.
Kontrolli i ligjshmërisë së aksesit do të jetë përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në cilësinë e Autoritetit Rregullator Koordinues të bazave të të dhënave shtetërore.
Ndërkohë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ruajë kompetencat për sanksionimin e shkeljeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Aksesi i privatëve do të jetë me pagesë, të ardhurat kalojnë në buxhet
Përveç lehtësimit të shërbimeve, ndryshimet ligjore pritet të krijojnë edhe një burim të ri të ardhurash për buxhetin e shtetit.
Relacioni shpjegon se nisma shoqërohet me ndryshime në ligjin nr. 43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të cilat do të përcaktojnë mekanizmin teknik të aksesit dhe tarifat që duhet të paguajnë subjektet private.
Lidhja me regjistrat shtetërorë do të realizohet përmes platformës qeveritare të ndërveprimit, ndërsa AKSHI do të mundësojë shërbimet elektronike për subjektet e autorizuara.
Tarifat do të derdhen në buxhetin e shtetit dhe do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Aktualisht, dokumenti nuk përcakton vlerën e tarifave dhe as të ardhurat që mund të gjenerohen nga kjo skemë. Vlerësimi financiar do të kryhet gjatë hartimit të akteve nënligjore.
Kostot e lidhjes teknike me sistemet shtetërore do të përballohen nga vetë subjektet private.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, zbatimi i projektligjit nuk pritet të sjellë shpenzime shtesë për buxhetin, pasi do të përdoren infrastruktura dhe kapacitetet ekzistuese. /ekofin.al
