Një platformë e re kombëtare për transparencën dhe komunikimin me qytetarët parashikohet të krijohet përmes ndryshimeve në ligjin “Për qeverisjen elektronike”. Projektligji i propozuar synon të forcojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në informacionin publik, të mundësojë ndjekjen e projekteve publike dhe të krijojë një mekanizëm elektronik për gjurmimin e kërkesave dhe ankesave drejtuar institucioneve.
Nisma parashikon shtimin e një neni të posaçëm në ligjin nr. 43/2023, përmes të cilit përcaktohet krijimi i platformës “Pasqyra Albania”, e konceptuar si një pikë ndërveprimi mes autoriteteve publike dhe qytetarëve.
Sipas projektligjit, platforma do të ndërveprojë me sistemet qeveritare përmes platformës qeveritare të ndërveprimit, si dhe me sisteme të tjera elektronike të autoriteteve publike. Në këtë mënyrë, përdoruesit do të kenë mundësi të aksesojnë informacionin dhe dokumentacionin publik, të konsultojnë dokumentet përkatëse dhe të ndjekin ecurinë e projekteve publike.
Një tjetër funksionalitet i parashikuar është ndjekja dhe gjurmimi i kërkesave dhe ankesave të qytetarëve dhe subjekteve private, në përputhje me afatet e përcaktuara nga legjislacioni përkatës. Kjo synon të krijojë më shumë transparencë mbi trajtimin e kërkesave dhe komunikimin me administratën.
Projektligji parashikon gjithashtu që platforma të mund të zgjerohet në të ardhmen me module dhe funksionalitete të tjera, në funksion të qëllimit të saj. Zhvillimi dhe mirëmbajtja do të kryhen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtpërdrejt ose përmes shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Akses më i gjerë i bizneseve dhe individëve në bazat e të dhënave shtetërore
Një tjetër ndryshim me rëndësi lidhet me mundësinë e aksesit të personave fizikë dhe juridikë privatë në të dhënat e bazave të të dhënave shtetërore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për këtë qëllim, projektligji parashikon që sistemet TIK dhe faqet web të përfshihen në fushën e përgjegjësive përkatëse, si dhe të mundësohet ekspozimi i shërbimeve web (web services) të bazave të të dhënave, përmes të cilave individët dhe subjektet private mund të aksesojnë të dhënat parësore.
Këto ndërhyrje synojnë të krijojnë mundësi më të strukturuara për ndërveprimin e sektorit privat me bazat e të dhënave shtetërore, gjithmonë sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin përkatës.
Përfshirja e infrastrukturës virtuale dhe shërbimeve cloud
Ndryshimet prekin edhe infrastrukturën teknologjike të qeverisjes elektronike. Projektligji zgjeron përkufizimin e infrastrukturës, duke përfshirë krahas asaj fizike edhe infrastrukturën virtuale dhe shërbimet cloud computing.
Konkretisht, parashikohet që Qendra e të Dhënave Qeveritare dhe Qendra e Vazhdimësisë së Punës të përfshijnë infrastrukturën fizike dhe virtuale, si dhe shërbimet cloud computing, të cilat administrohen nga AKSHI, drejtpërdrejt ose përmes shoqërive operatore TIK.
Në këtë mënyrë, projektligji synon të përshtatë kuadrin ligjor me zhvillimet teknologjike dhe zgjerimin e infrastrukturës digjitale të administratës publike./ekofin.al
