Autoriteti italian i mbikëqyrjes së tregjeve financiare, Consob, i ka dhënë dritën jeshile bankës Intesa Sanpaolo për blerjen e asaj që cilësohet banka më e vjetër në botë ende në operim. Institucioni ka miratuar dokumentin e ofertës publike të blerjes dhe shkëmbimit të aksioneve (OPAS), të paraqitur nga banka me seli në Milano për Monte dei Paschi di Siena (MPS).
Ky është një hap vendimtar në procesin e gjatë të miratimeve rregullatore për blerjen e bankës së Sienës nga grupi i drejtuar nga Carlo Messina. Miratimi i Consob hap rrugën për publikimin e prospektit të ofertës dhe nisjen e periudhës së pranimit më 24 nëntor.
Nga kjo datë, aksionerët e Monte dei Paschi di Siena do të mund t’ia ofrojnë aksionet e tyre Intesa Sanpaolo.
Afati për pranimin e ofertës është caktuar më 22 janar 2027, duke përfshirë gjithsej 40 ditë tregtimi në bursë. Parashikohet gjithashtu mundësia e rihapjes së ofertës për pesë ditë të tjera, nga 1 deri më 5 shkurt.
Sipas kushteve të ofertës, për çdo aksion të MPS-së, aksionerët do të marrin 1,664 aksione të reja të Intesa Sanpaolo dhe 1,25 euro në para, pas rritjes me 25 cent të komponentit monetar, të vendosur më 3 tetor.
Ditët e fundit, raporti i shkëmbimit të aksioneve është rregulluar nga niveli fillestar prej 1,6 aksionesh, për të neutralizuar efektin e shpërndarjes së këstit paraprak të dividendit nga Intesa.
Bazuar në këtë kalendar, banka parashikon që shlyerja e ofertës të kryhet më 29 janar, kur do të realizohet shkëmbimi i aksioneve të dorëzuara dhe pagesa në para për secilin aksion.
Nëse oferta rihapet për një periudhë të dytë, në të do të mund të marrin pjesë edhe investitorët që nuk e kanë pranuar gjatë fazës së parë.
Tashmë vëmendja zhvendoset te Këshilli i Administrimit i Monte dei Paschi di Siena, i cili duhet të vlerësojë nëse oferta e Intesa Sanpaolo është e përshtatshme nga pikëpamja financiare.
MPS ka bërë të ditur se do ta përfundojë vlerësimin brenda nëntorit. Pritet që Këshilli i Administrimit të nisë analizimin e ofertës gjatë kësaj jave.
Miratimit të Consob i shtohet edhe qëndrimi pozitiv i Autoritetit Italian të Konkurrencës (Antitrust), i cili ditët e fundit ka pranuar në thelb paketën e angazhimeve të paraqitura nga Intesa Sanpaolo për mbrojtjen e konkurrencës.
Megjithatë, autoriteti ka vendosur disa kushte shtesë, veçanërisht lidhur me Generali.
Objektivi është të shmanget mundësia që grupi bankar, i cili përmes Mediobanca do të zotëronte rreth 13,3% të aksioneve të Generali, konkurrentit të tij kryesor në sektorin e sigurimeve të jetës, të ushtrojë ndikim përtej rolit të një investitori financiar.
Qëllimi është të parandalohet shkëmbimi me Intesa Sanpaolo i informacioneve strategjike ose të ndjeshme nga pikëpamja tregtare, veçanërisht atyre që diskutohen në Këshillin e Administrimit të Generali.
Një tjetër çështje e ngritur nga Autoriteti i Konkurrencës lidhet me përqendrimin e degëve bankare në nivel provincial.
Intesa Sanpaolo kishte ndërmarrë paraprakisht masa për këtë problematikë, duke parashikuar shitjen e 635 degëve të MPS-së te Unipol, e cila më pas do t’ia transferojë ato Bper.
Megjithatë, Antitrust ka kërkuar shitjen e disa degëve të tjera. Sipas vlerësimeve, numri i tyre nuk pritet të kalojë disa dhjetëra dhe ato janë të përqendruara në rreth 20 provinca.
Vendimi përfundimtar i Autoritetit Italian të Konkurrencës pritet në fillim të dhjetorit, me datën 2 dhjetor si afatin më të mundshëm. /Përshtati nga IlSole24ore.com, ekofin.al
