Komunikimi i institucioneve publike po ndryshon me shpejtësi, ndërkohë që algoritmet e rrjeteve sociale, krijuesit e përmbajtjes dhe inteligjenca artificiale po përcaktojnë gjithnjë e më shumë mënyrën se si qytetarët informohen për politikat dhe vendimet qeveritare. Ndërkohë, mediat tradicionale po humbasin rolin e tyre si kanali kryesor i komunikimit mes qeverive dhe publikut.
Ky është një nga përfundimet kryesore të raportit të ri të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), “Reforming Government Communication for the Age of Algorithms”, i cili analizon transformimin e komunikimit qeveritar në kushtet e zhvillimit të teknologjisë dhe ndryshimit të sjelljes së qytetarëve.
Raporti mbështetet, ndër të tjera, në një anketim të zhvilluar gjatë vitit 2025 me 57 drejtues të komunikimit publik nga 25 vende anëtare ose kandidate për anëtarësim në OECD dhe Komisioni Europian.
77% e drejtuesve të komunikimit: Mediat nuk kanë më të njëjtin ndikim
Sipas të dhënave të OECD-së, 28% e drejtuesve të komunikimit qeveritar deklarojnë se mediat tradicionale nuk përbëjnë më kanalin kryesor për arritjen e objektivave të komunikimit.
Ndërkohë, 49% vlerësojnë se mediat janë bërë më pak efektive, por vazhdojnë të mbeten prioritet për shkak të rëndësisë që u japin drejtuesit politikë.
Të marra së bashku, këto dy kategori përfaqësojnë 77% të të anketuarve, duke evidentuar një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhënien ndërmjet institucioneve publike, mediave dhe qytetarëve.
Vetëm 21% e të anketuarve konsiderojnë se mediat vazhdojnë të jenë kanali kryesor për realizimin e objektivave të komunikimit.
OECD thekson se ky transformim lidhet me faktin që informacioni nuk shpërndahet më kryesisht sipas autoritetit të burimit apo numrit të ndjekësve, por gjithnjë e më shumë sipas algoritmeve që përcaktojnë përmbajtjen e shfaqur për përdoruesit.
Të rinjtë informohen më shumë nga rrjetet sociale
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me ndryshimin e burimeve të informacionit, veçanërisht te të rinjtë.
Sipas të dhënave të paraqitura në raport, 68.3% e personave të moshës 18–29 vjeç përdorin rrjetet sociale për t’u informuar mbi politikën dhe aktualitetin.
Për të njëjtën grupmoshë, televizioni dhe radioja përdoren nga 54.3%, ndërsa gazetat, revistat dhe portalet informative nga 41.9%.
Kjo tregon se rrjetet sociale kanë kaluar përpara kanaleve tradicionale si burim informacioni për brezin e ri.
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e ndikimit të platformave si Facebook, YouTube, Instagram, TikTok, WhatsApp dhe X, ku informacioni shpërndahet në formate gjithnjë e më të personalizuara.
Në këtë mjedis, videot e shkurtra, podkastet, transmetimet e drejtpërdrejta dhe përmbajtjet e krijuara nga individët po konkurrojnë drejtpërdrejt me produktet tradicionale të gazetarisë.
Inteligjenca artificiale, sfidë e re për mediat dhe institucionet
OECD paralajmëron se përhapja e inteligjencës artificiale gjenerative mund të ndryshojë më tej mënyrën se si qytetarët kërkojnë dhe marrin informacion.
Përdorimi i asistentëve virtualë dhe sistemeve që gjenerojnë përgjigje automatike po krijon ndërmjetës të rinj informacioni, duke reduktuar në disa raste nevojën që përdoruesit të vizitojnë drejtpërdrejt faqet e mediave apo institucioneve.
Raporti citon studime që parashikojnë se trafiku i mediave nga motorët e kërkimit mund të pësojë rënie deri në 40%, si pasojë e përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale që u japin përdoruesve përgjigje pa qenë e nevojshme të hapin faqen burimore.
Kjo nuk paraqitet si një rënie tashmë e realizuar, por si një rrezik i mundshëm për industrinë e informacionit.
Për këtë arsye, OECD evidenton orientimin e organizatave mediatike drejt gazetarisë investigative, analizave të thelluara dhe përmbajtjeve origjinale, të cilat janë më të vështira për t’u zëvendësuar nga sistemet automatike.
Institucionet po përdorin AI, por ende pa një strategji të konsoliduar
Transformimi teknologjik po ndikon edhe në mënyrën se si funksionojnë zyrat e komunikimit të institucioneve publike.
Sipas anketimit, 46% e drejtuesve të komunikimit e përshkruajnë përdorimin e inteligjencës artificiale në ekipet e tyre si një proces eksplorues.
Ndërkohë, 35% deklarojnë se përdorimi i kësaj teknologjie mbështetet kryesisht në eksperimentimin individual të punonjësve.
Këto të dhëna tregojnë se, megjithëse inteligjenca artificiale po hyn në administratën publike, përdorimi i saj mbetet ende i fragmentuar.
OECD rekomandon hartimin e udhëzimeve të përbashkëta, investimin në aftësitë digjitale të administratës dhe vendosjen e standardeve etike për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Qëllimi është që teknologjia të përmirësojë cilësinë dhe shpejtësinë e komunikimit, pa cenuar saktësinë e informacionit, transparencën dhe besimin e publikut.
Komunikimi qeveritar duhet të jetë pjesë e hartimit të politikave
Një nga rekomandimet më të rëndësishme të raportit lidhet me ndryshimin e rolit të komunikimit në administratën publike.
Sipas OECD-së, komunikimi nuk duhet të konsiderohet më thjesht si një funksion që publikon vendime apo njoftime për shtyp pasi ato janë marrë.
Përkundrazi, ai duhet të integrohet në të gjitha fazat e hartimit dhe zbatimit të politikave publike.
Megjithatë, vetëm rreth një e katërta e drejtuesve të anketuar deklarojnë se përfshihen në të gjitha fazat e procesit të politikëbërjes.
OECD argumenton se institucionet duhet të kuptojnë më mirë shqetësimet e qytetarëve, të analizojnë reagimet e tyre dhe të shpjegojnë në mënyrë konkrete ndikimin e reformave në jetën e përditshme.
Në këtë drejtim, komunikimi duhet të mbështetet më shumë në të dhëna, kërkime mbi opinionin publik dhe vlerësime të rezultateve, sesa vetëm në numrin e publikimeve apo shikimeve në rrjetet sociale.
Besimi te qeveritë lidhet edhe me cilësinë e informacionit
Raporti i OECD-së e lidh drejtpërdrejt cilësinë e komunikimit institucional me besimin e qytetarëve ndaj qeverive.
Sipas të dhënave të cituara, vetëm rreth 40% e qytetarëve të anketuar në 30 vende të OECD-së në vitin 2023 mendonin se qeveritë e tyre shpjegonin qartë ndikimin e reformave.
Ndërkohë, të dhënat më të fundit të anketimit për besimin tregojnë se 68% e qytetarëve, mesatarisht, konsiderojnë se informacioni për shërbimet administrative është lehtësisht i aksesueshëm.
OECD thekson se transparenca për arsyet e vendimmarrjes, provat mbi të cilat mbështeten politikat dhe efektet e tyre konkrete është thelbësore për forcimin e besimit publik.
Raporti evidenton gjithashtu se 77% e drejtuesve të komunikimit konsiderojnë se debatet polarizuese pengojnë komunikimin e qartë, ndërsa 65% shohin politizimin në rritje si faktor që ndikon negativisht në përpjekjet për ndërtimin e besimit.
Çfarë nënkupton raporti për Shqipërinë?
Megjithëse raporti nuk ofron një vlerësim të posaçëm për Shqipërinë dhe vendi nuk figuron në listën e pjesëmarrësve në anketimin e drejtuesve të komunikimit, përfundimet e OECD-së janë të rëndësishme parë në kontekstin dhe zhvillimet e fundit.
Digjitalizimi i shërbimeve, përdorimi gjithnjë e më i gjerë i rrjeteve sociale nga institucionet dhe përhapja e inteligjencës artificiale krijojnë nevojën për një model të ri komunikimi publik.
Për institucionet shqiptare, sfida nuk lidhet vetëm me shtimin e kanaleve digjitale apo publikimin më të shpeshtë të informacionit, por me aftësinë për t’u shpjeguar qytetarëve ndikimin real të vendimeve dhe reformave.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për politikat ekonomike, ndryshimet fiskale, shërbimet publike dhe reformat që prekin drejtpërdrejt bizneset dhe familjet.
Në të njëjtën kohë, transformimi i komunikimit institucional nuk duhet të nënkuptojë zëvendësimin e rolit të medias së pavarur me komunikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë në rrjetet sociale. Gazetaria profesionale mbetet thelbësore për verifikimin e informacionit dhe llogaridhënien publike. /ekofin.al
