Bizneset që kundërshtojnë rezultatet ose dokumentet e tenderave publikë mund të humbasin tarifën e ankimit edhe kur Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ua pranon pjesërisht ankesën.
Sipas ligjit aktual nr. 162/2020, tarifa e paguar nga operatori ekonomik kthehet brenda pesë ditëve nga vendimi i KPP-së, nëse ankesa është pranuar plotësisht ose pjesërisht.
Projektligji me ndryshime në ligjin për prokurimin publik propozon kufizimin e këtij rregulli, duke e lidhur kthimin e tarifës me ndikimin që ka pasur ankesa në vendimmarrjen e institucionit kontraktor.
Nëse ankesa pranohet plotësisht, biznesi vijon të përfitojë kthimin e tarifës. Por kur ankesa pranohet pjesërisht, pagesa do të kthehet vetëm nëse vendimi sjell ndryshime në dokumentet e tenderit ose në procesin e vlerësimit të ofertave.
Në rast se KPP pranon pjesërisht pretendimet e një operatori ekonomik, por vendimi nuk ndryshon rezultatin ose dokumentet e procedurës, tarifa nuk do t’i kthehet.
Kjo do të thotë se pranimi i pjesshëm i ankesës nuk do të jetë më, në vetvete, i mjaftueshëm që kompania të marrë mbrapsht shumën e paguar.
Vendimmarrja e KPP-së, tre anëtarë pavarësisht vlerës së tenderit
Projektligji ndryshon edhe rregullat për shqyrtimin e ankesave nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Sipas ligjit aktual, KPP shqyrton ankesat kur janë të pranishëm të paktën tre nga pesë anëtarët e tij. Megjithatë, për disa vendime deklarative që lidhen me procedurat mbi kufirin e ulët monetar, kërkohet vendimmarrja nga të pesë anëtarët.
Me ndryshimet e propozuara, shqyrtimi dhe vendimmarrja për ankesat do të bëhen nga të paktën tre anëtarë, pavarësisht vlerës së procedurës së prokurimit.
Njëri prej anëtarëve pjesëmarrës duhet të jetë kryetari ose nënkryetari, ndërsa vendimet merren me shumicë votash.
Projektligji parashikon gjithashtu që, nëse nuk janë emëruar drejtuesit apo anëtarët e rinj deri në përfundimin e mandatit, ata që janë në detyrë mund të vijojnë ushtrimin e funksioneve, por jo më shumë se gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.
Ndryshojnë afatet për kundërshtimin e kontratave të nënshkruara
Dispozitat e ndryshuara parashikojnë mundësinë e kundërshtimit të kontratave publike pasi ato janë nënshkruar.
Ligji aktual parashikon që, kur një kontratë është lidhur pa procedurën e kërkuar të prokurimit ose nuk janë publikuar njoftimet përkatëse, operatorët ekonomikë mund të ankohen brenda 60 ditëve nga konstatimi i saj, por jo më vonë se gjashtë muaj nga data e nënshkrimit.
Projektligji propozon një rregullim të ri për kërkesat që synojnë shpalljen e pavlefshmërisë së kontratës.
Në rastet kur është publikuar njoftimi i fituesit ose autoriteti kontraktor ka informuar ofertuesit për lidhjen e kontratës, duke përmbushur kërkesat ligjore për arsyetimin e vendimit, kërkesa për shqyrtimin e pavlefshmërisë duhet të paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike. Afati llogaritet nga dita pas publikimit të njoftimit ose informimit përkatës.
Për rastet e tjera, projektligji parashikon paraqitjen e kërkesës përpara përfundimit të një periudhe prej të paktën gjashtë muajsh nga dita pas lidhjes së kontratës. Formulimi nuk përcakton në mënyrë të shprehur një afat maksimal të vetëm, çka kërkon saktësim për të garantuar qartësi në zbatim.
Ligji aktual njeh tashmë rastet kur një kontratë mund të shpallet absolutisht e pavlefshme, përfshirë nënshkrimin e saj në kushtet e konfliktit të interesit, cenimin e së drejtës së ankimit ose mosrespektimin e një vendimi të KPP-së.
Projektligji i ruan këto shkaqe, por rregullon më hollësisht procedurën dhe afatet për shqyrtimin e kërkesave.
Tenderat pa shpallje, njoftimet duhet të përmbajnë edhe arsyetimin
Ndryshimet prekin edhe procedurat me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Ligji aktual parashikon që, kur publikohet një njoftim vullnetar transparence, operatorët ekonomikë kanë 10 ditë për të kundërshtuar kushtet e përdorimit të kësaj procedure dhe dokumentet e tenderit.
Ndryshimi i propozuar përcakton më hollësisht informacionin që duhet të përmbajë njoftimi, përfshirë objektin e kontratës, arsyetimin e vendimit për përdorimin e procedurës pa shpallje paraprake dhe të dhënat e operatorit ekonomik të përzgjedhur.
Projektligji parashikon gjithashtu kushtet kur kontrata mund të mos shpallet e pavlefshme, nëse autoriteti ka publikuar njoftimin vullnetar të transparencës dhe ka respektuar periudhën e pritjes prej të paktën 10 ditësh kalendarike përpara nënshkrimit.
KPP do të vijojë të ketë mundësinë të mos shpallë të pavlefshme një kontratë kur një vendim i tillë do të cenonte interesa thelbësore publike. Në këto raste mund të zbatohen masa alternative, përfshirë gjobitjen e autoritetit kontraktor ose shkurtimin e afatit të kontratës. Kufiri maksimal i gjobës mbetet 10% i vlerës së kontratës. /ekofin.al
