Kompanitë që fitojnë tendera publikë mund të mos kufizohen më në nënkontraktimin e maksimumi 50% të vlerës së kontratës. Qeveria propozon heqjen e këtij kufiri në projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, (të ndryshuar) ndërsa parashikon edhe rregulla të reja për modifikimin e kontratave pa tender dhe kontrollin e kompanive që përfshihen në realizimin e tyre.
Sipas ligjit aktual, neni 126 përcakton se pjesa e kontratës që mund t’u kalohet nënkontraktorëve nuk duhet të tejkalojë 50% të vlerës së përgjithshme. Projektligji, në nenin 56, propozon shfuqizimin e kësaj dispozite, pa vendosur një kufi tjetër në vend të saj.
Nëse miratohet, ndryshimi do t’u krijojë mundësi operatorëve fitues të nënkontraktojnë një pjesë më të madhe të kontratës. Megjithatë, heqja e kufirit nuk nënkupton heqjen e përgjegjësive të kontraktorit kryesor apo të detyrimeve për verifikimin e nënkontraktorëve.
Përkundrazi, projektligji shton disa mekanizma kontrolli. Kompania fituese duhet të njoftojë institucionin kontraktor për ndryshimet gjatë zbatimit të kontratës dhe për përfshirjen e nënkontraktorëve të rinj.
Autoritetet do të mund të kërkojnë informacion edhe për nënkontraktorët e këtyre kompanive, duke e shtrirë kontrollin në hallkat e tjera të zinxhirit. Nëse një nënkontraktor rezulton se ndodhet në kushtet ligjore të skualifikimit, institucioni duhet të kërkojë zëvendësimin e tij.
Ndryshimet në kontrata, deri në 15% pa tender të ri
Po kështu, dispozitat ligjore parashikojnë një mundësi tjetër për modifikimin e kontratave publike gjatë zbatimit të tyre.
Më konkretisht, do të lejohet ndryshimi i kontratës pa zhvilluar një procedurë të re prokurimi, kur vlera e modifikimit është nën kufirin e lartë monetar dhe nuk tejkalon 10% të vlerës fillestare për mallrat dhe shërbimet ose 15% për punët publike.
Për shembull, për një kontratë punësh publike me vlerë 100 milionë lekë, kufiri në përqindje i këtij mekanizmi do të ishte 15 milionë lekë, por vetëm nëse respektohet edhe kufiri i lartë monetar dhe kushtet e tjera të ligjit.
Ky parashikim nuk zëvendëson automatikisht rregullat aktuale. Ligji në fuqi lejon modifikimin e kontratave pa tender të ri në disa rrethana dhe përcakton një kufi prej 20% të vlerës fillestare për kategori të caktuara ndryshimesh. Projektligji rishikon fushën e zbatimit të këtij kufiri, ndërsa shton mekanizmin e veçantë me pragjet 10% dhe 15%.
Në çdo rast, modifikimet nuk duhet të ndryshojnë natyrën e përgjithshme të kontratës. Për të shmangur anashkalimin e rregullave, ndryshimet e njëpasnjëshme do të vlerësohen mbi bazën e vlerës së tyre kumulative.
Kur mund të zëvendësohet kompania fituese?
Projektligji saktëson edhe rastet kur një operator tjetër mund të zëvendësojë kompaninë që ka fituar fillimisht tenderin.
Kjo mund të ndodhë kur zëvendësimi është parashikuar në kontratën fillestare ose kur operatori i ri është pasuesi ligjor i kompanisë fituese, për shkak të ndryshimit të pronësisë, bashkimit, ndarjes apo falimentimit.
Kompania që merr përsipër kontratën duhet të përmbushë kërkesat fillestare të tenderit dhe zëvendësimi nuk duhet të sjellë ndryshime të tjera thelbësore apo të përdoret për shmangien e rregullave të prokurimit.
Projektligji shton gjithashtu mundësinë e zgjidhjes së kontratës në rastet kur rezulton se operatori ekonomik, në momentin e dhënies së saj, ndodhej në kushte që kërkonin skualifikimin nga tenderi./ekofin.al
