Bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri po përballen me një krizë që po e vë gjithnjë e më shumë në vështirësi qëndrueshmërinë ekonomike të fermerëve. Rritja e çmimeve të farërave, plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, mungesa e fuqisë punëtore, pasiguria e tregut dhe dëmet nga fatkeqësitë natyrore janë ndër faktorët që po rëndojnë kostot e prodhimit dhe po ulin sigurinë për vijimin e aktivitetit.
Në këtë situatë, fermerët përballen jo vetëm me rreziqet që vijnë nga tregu dhe kushtet klimatike, por edhe me vështirësi në përfitimin e mbështetjes publike. Sipas shqetësimeve të ngritura nga sektori, edhe fondet e vëna në dispozicion për investime përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po shoqërohen me procedura të gjata administrative, kërkesa të përsëritura për dokumentacion dhe pasiguri në përfundimin e financimit.
Një nga problematikat kryesore lidhet me skualifikimin e aplikuesve për arsye burokratike. Fermerët pretendojnë se interpretime të ndryshme administrative për dokumentacionin, statusin e aplikuesit apo kushtet e investimit mund të çojnë në përjashtimin e tyre, edhe në raste kur qëllimi dhe realizueshmëria e investimit janë të qarta.

Shqetësime ngrihen edhe për procesin e vlerësimit të investimeve. Gjatë shqyrtimit kërkohen ulje të vlerave të parashikuara, nuk njihen disa shpenzime dhe kërkohen dokumente, relacione dhe shpjegime shtesë. Këto procedura, sipas fermerëve, zgjasin procesin dhe e bëjnë të vështirë planifikimin financiar dhe realizimin e investimeve.
Një tjetër problem lidhet me afatet e kontratave, të cilat jo gjithmonë konsiderohen të përshtatshme për kohën që kërkohet për prokurimin, blerjen dhe instalimin e makinerive apo pajisjeve. Në një sektor ku investimet varen edhe nga disponueshmëria e pajisjeve dhe kushtet e tregut, afatet e papërshtatshme mund të krijojnë rrezik për mosrealizimin në kohë të detyrimeve kontraktore.
Dokumentet që varen nga institucionet, rrezik për skualifikimin e fermerëve
Fermerët ngrenë shqetësimin se në disa raste penalizohen për mungesë dokumentesh shtetërore, si leje ndërtimi, certifikata përdorimi apo dokumente të tjera, afatet e sigurimit të të cilave nuk varen drejtpërdrejt prej tyre. Kjo krijon një situatë ku aplikuesi mund të përballet me pasoja financiare për vonesa që lidhen me procedurat e institucioneve publike.
Problematika shtrihet edhe te kontrollet dhe verifikimet. Sipas ankesave të ngritura, kontrollet e vonuara dhe mungesa e bashkëpunimit gjatë zbatimit të projekteve e vështirësojnë përfundimin e investimeve. Në vend që procesi të funksionojë si një mekanizëm orientimi dhe mbështetjeje, fermerët pretendojnë se shpesh përballen me një qasje administrative që shton pengesat.
Veçanërisht shqetësuese paraqitet situata në fazën e pagesave. Krijimi i komisioneve, kërkesat për sqarime të njëpasnjëshme dhe pretendimet e ndryshme gjatë verifikimit mund të zvarrisin disbursimin e fondeve të miratuara, duke lënë investitorët pa sigurinë e nevojshme financiare.
Në disa raste, shqetësimet lidhen edhe me reduktimin e vlerës së investimeve, skualifikimet dhe kërkesat për kthimin e parapagimeve. Këto detyrime mund të krijojnë presion të konsiderueshëm financiar për fermerët, të cilët ndërkohë kanë angazhuar kapitalin e tyre dhe kanë marrë përsipër detyrime për realizimin e projekteve.
Vonesat në subvencione rëndojnë kostot e prodhimit
Përtej skemave të investimeve, një tjetër shqetësim është vonesa në pagesat e skemave kombëtare të mbështetjes. Për fermerët, këto fonde janë pjesë e planifikimit financiar të sezonit bujqësor dhe përdoren për të përballuar një pjesë të kostove të prodhimit.
Kur pagesat nuk kryhen në kohë, fermerët detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet, në një kohë kur çmimet e inputeve bujqësore dhe kostot e tjera vijojnë të rëndojnë aktivitetin. Mungesa e skemave të sigurimit për dëmet nga fatkeqësitë natyrore e shton më tej ekspozimin e tyre ndaj humbjeve.
Në këto kushte, kërkesa për më shumë prodhim vendas dhe konkurrueshmëri përballet me një kontradiktë: fermerëve u kërkohet të investojnë dhe të rrisin prodhimin, por njëkohësisht ata përballen me pasiguri për tregun, financimin dhe mbështetjen institucionale. /ekofin.al
