Detyrimet e papaguara nga bizneset, familjarët dhe taksapaguesit e tjerë ndaj Bashkisë Vlorë arritën në rreth 830 milionë lekë në fund të vitit 2025, duke u rritur me 10.5 milionë lekë krahasuar me një vit më parë. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se bashkia nuk ka marrë masa të mjaftueshme për arkëtimin e borxheve, ndërsa administrimi i taksave dhe tarifave vendore mbetet i fragmentuar dhe me mangësi në evidentimin e debitorëve.
Sipas raportit përfundimtar të auditimit financiar, vlera e detyrimeve të akumuluara arriti në 829,623,808 lekë, nga 819,113,810 lekë në fund të vitit 2024. Gjatë vitit 2025 u krijuan detyrime të reja prej 37,932,379 lekësh, ndërsa pakësimet arritën në 27,422,381 lekë, duke bërë që borxhi të rritej me 10,509,998 lekë.
Shifra nuk përfshin detyrimet nga gjobat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë Bashkiake, qiratë e stacioneve të plazhit dhe tarifat e licencimit të pikave të karburantit, të cilat trajtohen veçmas në raport.
Bizneset me mbi 503 milionë lekë detyrime
Një pjesë e konsiderueshme e borxhit lidhet me bizneset që nuk kanë shlyer taksat dhe tarifat vendore. Sipas KLSH-së, detyrimet e akumuluara të kësaj kategorie arritën në 503,272,592 lekë në fund të vitit 2025, nga 477,644,073 lekë një vit më parë.
Bizneset e vogla kishin detyrime prej 356,375,091 lekësh, ndërsa bizneset e mëdha 146,897,501 lekë. Vetëm gjatë vitit 2025, detyrimet e bizneseve u rritën me 25,628,519 lekë.
KLSH konstaton se bashkia nuk ka ndjekur në mënyrë shteruese procedurat ligjore për mbledhjen e këtyre detyrimeve, të cilat lidhen me taksa dhe tarifa për pasurinë, truallin, pastrimin, ndriçimin dhe gjelbërimin.
Problemi nuk kufizohet vetëm te mospagesat, por edhe te administrimi i informacionit. Drejtoria e të Ardhurave Vendore, e cila gjatë vitit 2025 kishte 46 punonjës, administronte kryesisht të dhënat e bizneseve, ndërsa një pjesë e të ardhurave të tjera ndiqeshin nga struktura të ndryshme të bashkisë, pa një sistem të mirëkoordinuar.
Rreth 168 milionë lekë të mbledhura nga qytetarët nuk iu transferuan bashkisë
Sipas KLSH-së, deri më 31 dhjetor 2025, ujësjellësi kishte detyrime ndaj bashkisë në vlerën 167,743,479 lekë, shumë e arkëtuar nga qytetarët, por e patransferuar në llogarinë e pushtetit vendor.
Këto janë të ardhura që familjet i paguajnë për shërbime si pastrimi, gjelbërimi dhe ndriçimi, por që sipas auditimit nuk kishin kaluar në buxhetin e bashkisë.
Raporti evidenton gjithashtu se bashkia merrte të mirëqena shumat e raportuara nga ujësjellësi, pa disponuar informacion të plotë për numrin e abonentëve familjarë, detyrimet individuale dhe familjet debitore. Ndërkohë, ujësjellësi mbante drejtpërdrejt nga arkëtimet tarifën prej 3% për shërbimin e kryer si agjent tatimor, sipas marrëveshjes ndërmjet palëve.
Mungesa e një regjistri të plotë të taksapaguesve familjarë vështirëson kontrollin e pagesave dhe evidentimin e saktë të detyrimeve që qytetarët kanë ndaj bashkisë.

Të ardhurat tejkaluan planin, por borxhet vijuan të rriten
Një kontrast tjetër del nga realizimi i të ardhurave vendore. Gjatë vitit 2025, Bashkia Vlorë arkëtoi 3.40 miliardë lekë, nga 2.31 miliardë lekë të planifikuara, duke e realizuar planin në masën 147.46%.
Rritja u ndikua veçanërisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila arriti në 1.85 miliardë lekë, ose 301% të planit. Ndërkohë, arkëtimet nga gjobat dhe debitorët u realizuan vetëm në masën 37%, ndërsa të ardhurat nga qiratë e mjeteve, godinave dhe tokës arritën vetëm 3% të planifikimit.
Sipas KLSH-së, këto diferenca tregojnë se planifikimi i të ardhurave nuk mbështetet gjithmonë në të dhëna të sakta dhe se ka mangësi në evidentimin dhe ndjekjen e burimeve të arkëtimit.
Në përfundim, audituesit rekomandojnë që Drejtoria e të Ardhurave Vendore, në bashkëpunim me strukturat e tjera të bashkisë dhe administratorët e njësive administrative, të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për arkëtimin e 829.6 milionë lekëve të detyrimeve të papaguara./ekofin.al
