Zgjerimi i shpejtë i energjisë së erës në Finlandë po krijon një situatë të pazakontë në tregun elektrik: në periudhat kur prodhimi është më i lartë se kërkesa, çmimet e energjisë bien nën zero, deri në pikën që prodhuesit mund të paguajnë për ta hedhur energjinë në rrjet. Vetëm gjatë vitit 2025, energjia elektrike u tregtua me çmime nën zero për 465 orë, ndërsa në vitin 2024 ky fenomen ishte regjistruar për 724 orë.
Agjencia e lajmeve Reuters pasqyroi se kapacitetet e instaluara të energjisë së erës në Finlandë janë pothuajse trefishuar brenda katër viteve, nga 3,257 megavat (MW) në vitin 2021, në 9,433 MW në fund të vitit 2025. Ndërkohë, numri i orëve kur çmimi i energjisë ka zbritur nën zero është rritur ndjeshëm, nga vetëm pesë orë në vitin 2021, në qindra orë gjatë dy viteve të fundit.
Sipas raportit vjetor 2025 të programit të energjisë së erës pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA Wind TCP), vetëm gjatë vitit të kaluar Finlanda shtoi 1,023 MW kapacitete të reja, përmes instalimit të 158 turbinave. Në total, vendi numëron 2,002 turbina, ndërsa prodhimi nga era arriti një rekord prej 22 teravat-orësh (TWh), duke mbuluar 26.1% të kërkesës kombëtare për energji elektrike.
Energjia e erës është kthyer në burimin e dytë më të madh të prodhimit të energjisë elektrike në Finlandë, pas energjisë bërthamore. Prodhimi nga era u rrit me rreth 9% krahasuar me vitin 2024, ndërsa pothuajse të gjitha kapacitetet e instaluara ndodhen në tokë.
Si mund të bjerë çmimi i energjisë nën zero?
Fenomeni ndodh kur prodhimi i energjisë elektrike është më i lartë se kërkesa dhe tregu nuk arrin të përthithë të gjithë sasinë e prodhuar. Në periudhat me erëra të forta, turbinat prodhojnë sasi të mëdha energjie, ndërsa konsumi mund të jetë relativisht i ulët, sidomos gjatë natës ose në ditët me temperatura të buta.
Në këto kushte, çmimi në tregun me shumicë mund të zbresë nën zero. Kjo do të thotë se disa prodhues pranojnë të paguajnë për energjinë që hedhin në rrjet, në vend që të ndërpresin prodhimin. Në tregjet ndërkombëtare, ky fenomen njihet si çmim negativ i energjisë.
Një rast konkret u regjistrua më 24 maj 2026, kur sipas transmetuesit publik finlandez Yle, çmimi i energjisë qëndroi nën zero për shtatë orë, duke arritur në nivelin më të ulët prej minus 0.96 eurocent për kilovat-orë (kWh). Rënia erdhi në kushtet e temperaturave të buta dhe erërave të forta, të cilat rritën prodhimin nga turbinat.
Megjithatë, çmimi nën zero në tregun me shumicë nuk nënkupton automatikisht energji falas për të gjithë konsumatorët. Familjet që kanë kontrata të lidhura me çmimet e bursës mund të përfitojnë drejtpërdrejt nga këto ulje, por vijojnë të paguajnë tarifat e rrjetit dhe taksat. Ndërsa konsumatorët me kontrata me çmim fiks nuk përfitojnë menjëherë nga luhatjet e tregut.
Sipas Yle, më shumë se një e treta e familjeve finlandeze kanë kontrata ku çmimi i energjisë ndryshon sipas tregut.
Finlanda kryesoi Europën për orët me çmime nën zero
Raporti Electricity 2026 i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë evidenton se Finlanda ishte vendi europian me përqindjen më të lartë të orëve kur çmimi i energjisë zbriti nën zero gjatë vitit 2024.
Në rreth 8% të kohës, energjia elektrike në tregun me shumicë u tregtua nën zero, ndërsa Suedia renditej pas saj, me rreth 7%.
Megjithatë, gjatë vitit 2025 fenomeni u zbut. Numri i orëve me çmime nën zero ra nga 724 në 465, një ulje prej rreth 36%, pavarësisht se kapacitetet e energjisë së erës vijuan të zgjeroheshin.
Pavarësisht se orët me çmime nën zero u pakësuan, çmimi mesatar i energjisë elektrike në tregun e një dite përpara ra nga 46.1 euro/MWh në vitin 2024, në 40.8 euro/MWh në vitin 2025, sipas të dhënave të Electricity Maps. Kjo përfaqëson një ulje prej rreth 11.5%.
Bateritë, zgjidhja për të ruajtur energjinë kur prodhimi është i lartë
Rritja e prodhimit nga era po krijon një sfidë të re për kompanitë energjetike: si të ruajnë energjinë në periudhat kur prodhimi është i lartë dhe çmimet zbresin nën zero, për ta përdorur ose shitur më vonë, kur kërkesa dhe çmimet rriten.
Kjo dukuri po nxit investimet në sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive. Më 25 shkurt 2026, kompania norvegjeze Statkraft dhe zhvilluesi suedez OX2 njoftuan një marrëveshje shtatëvjeçare për dy sisteme të mëdha baterish në Finlandën perëndimore, me fuqi përkatësisht 110 MW dhe 125 MW.
Të dyja sistemet do të kenë një kapacitet të përbashkët ruajtjeje prej 470 megavat-orësh (MWh) dhe parashikohet të nisin funksionimin në vitin 2028. Ato do të vendosen pranë dy parqeve me erë, duke shfrytëzuar lidhjen e përbashkët me rrjetin elektrik./ekofin.al
