Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri “Për turizmin”, i publikuar për konsultim publik. Ndër risitë parashikohet formalizimi i apartamenteve dhe vilave që jepen me qira për qëndrime afatshkurtra, njohjen ligjore të modeleve të reja të investimeve turistike, forcimin e mbrojtjes së udhëtarëve dhe riorganizimin e institucioneve përgjegjëse për sektorin.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit argumenton se zhvillimi i shpejtë i sektorit, përhapja e formave të reja të akomodimit dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i platformave digjitale kanë krijuar nevojën për rregulla më të qarta.
Një tjetër objektiv është përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian, veçanërisht për shërbimet turistike dhe mbrojtjen e konsumatorëve që blejnë paketa udhëtimi.
Apartamentet dhe vilat me qira afatshkurtër, regjistrim në e-Albania
Një nga ndryshimet më të rëndësishme prek tregun e akomodimit afatshkurtër, i cili është zgjeruar ndjeshëm me përdorimin e platformave të rezervimit online.
Projektligji parashikon që njësitë akomoduese për qëndrime afatshkurtra të regjistrohen nëpërmjet portalit e-Albania dhe të pajisen me një kod unik regjistrimi.
Kjo masë synon të identifikojë apartamentet, vilat, dhomat dhe njësitë e tjera që ofrohen për turistët, duke krijuar një bazë më të plotë të dhënash për aktivitetin e tyre.
Relacioni shoqërues e identifikon mungesën e regjistrimit dhe të standardeve minimale si një nga problematikat e tregut aktual. Sipas argumentimit të ministrisë, sistemi i ri do të përmirësojë gjurmueshmërinë e aktivitetit, formalizimin dhe administrimin e statistikave turistike.
Në praktikë, ndryshimi pritet të ndikojë te pronarët që shfrytëzojnë pasuritë e tyre për akomodim turistik, si dhe te subjektet që menaxhojnë disa apartamente ose vila njëkohësisht.
Resortet mikse dhe hotelet e shpërndara marrin rregullim të posaçëm
Projektligji përfshin në terminologjinë dhe rregullimin ligjor disa modele akomodimi që janë zhvilluar gjatë viteve të fundit.
Një prej tyre është resorti miks, i cili ndërthur funksionin turistik me atë rezidencial. Sipas projektligjit, këto komplekse mund të përfshijnë struktura hoteliere, njësi banimi, ambiente shërbimi dhe infrastrukturë të përbashkët.
Njësitë rezidenciale mund të jenë objekt i pronësisë dhe disponimit të veçantë, ndërsa pjesa e destinuar për akomodim turistik i nënshtrohet procedurave të kategorizimit dhe klasifikimit.
Një tjetër kategori është hoteli i shpërndarë, i cili përbëhet nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të ndryshme, por të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës. Ky model lidhet veçanërisht me shfrytëzimin turistik të ndërtesave ekzistuese në zona historike dhe me vlera të trashëgimisë kulturore.
Po kështu, projektligji njeh strukturat e njësive akomoduese të menaxhuara, ku dy ose më shumë njësi akomodimi administrohen në mënyrë të unifikuar, pavarësisht pronësisë së tyre.
Sipas relacionit, këto forma tashmë janë pjesë e ofertës turistike shqiptare, por kërkojnë një bazë më të qartë ligjore për funksionimin dhe kontrollin e tyre.
Certifikatat e kategorizimit pa afat vlefshmërie
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm për bizneset turistike lidhet me procedurat e kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese.
Sipas relacionit, certifikata e kategorizimit parashikohet të lëshohet pa afat vlefshmërie, për sa kohë subjekti vazhdon të plotësojë kriteret dhe standardet ligjore.
Kjo synon të reduktojë procedurat administrative të përsëritura për bizneset, por njëkohësisht ruan detyrimin për përmbushjen e vazhdueshme të standardeve të shërbimit, sigurisë dhe higjienës.
Garanci më të forta për turistët që blejnë paketa udhëtimi
Projektligji sjell rregulla më të detajuara për marrëdhëniet ndërmjet agjencive turistike, operatorëve dhe konsumatorëve.
Ndryshimet lidhen me informacionin që duhet t’i jepet udhëtarit përpara lidhjes së kontratës, përgjegjësitë e organizatorëve dhe shitësve të paketave turistike, si dhe garancitë financiare për mbrojtjen e udhëtarëve.
Rregullimi përfshin edhe paketat e krijuara nëpërmjet rezervimeve online, duke marrë parasysh mënyrat e reja të kombinimit të transportit, akomodimit dhe shërbimeve të tjera turistike.
Relacioni thekson se këto dispozita synojnë përafrimin me standardet europiane për paketat e udhëtimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Krijohet një zyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pa gjykatë
Për herë të parë, projektligji parashikon krijimin e Zyrës për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve (ZAM), pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
Kjo strukturë do të trajtojë mosmarrëveshjet ndërmjet konsumatorëve dhe subjekteve turistike, duke ofruar një mekanizëm jashtëgjyqësor për zgjidhjen e tyre.
Synimi është që ankesat dhe konfliktet që lindin gjatë ofrimit të shërbimeve turistike të mund të trajtohen më shpejt, pa qenë e nevojshme që çdo rast t’i drejtohet gjykatës.
Megjithatë, përdorimi i këtij mekanizmi nuk cenon të drejtën e palëve për të kërkuar zgjidhje gjyqësore.
Agjencia Kombëtare e Turizmit merr rol më të gjerë
Ndryshimet prekin edhe organizimin institucional të sektorit.
Agjencia Kombëtare e Turizmit do të vijojë veprimtarinë, por me përgjegjësi më të gjera në promovimin dhe organizimin e ngjarjeve turistike.
Përveç promovimit të Shqipërisë si destinacion, agjencia do të ketë kompetenca për organizimin, bashkëorganizimin, financimin dhe mbështetjen e aktiviteteve me interes për turizmin.
Sipas relacionit, kjo synon krijimin e një kalendari më të pasur aktivitetesh gjatë gjithë vitit, me qëllim zgjatjen e sezonit turistik dhe shpërndarjen e flukseve të vizitorëve në më shumë zona të vendit.
Agjencia e Bregdetit mund të krijojë të ardhura të veta
Një risi me rëndësi financiare lidhet me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, e cila parashikohet të funksionojë si agjencia përgjegjëse për menaxhimin e integruar të zonës bregujore.
Përveç financimit nga buxheti i shtetit, institucioni do të mund të krijojë dhe administrojë të ardhura të veta nga veprimtaria e tij, sipas legjislacionit në fuqi.
Këto burime synohet të përdoren për projekte dhe shërbime që lidhen me administrimin e plazheve, monitorimin e bregdetit, zhvillimin e sistemeve digjitale dhe menaxhimin e zonës bregujore.
Në këtë mënyrë, qeveria synon t’i japë agjencisë më shumë autonomi operacionale dhe mundësi financimi për aktivitetet e saj.
Rregulla të reja për stacionet e plazhit dhe sigurinë e pushuesve
Projektligji parashikon forcimin e standardeve për administrimin e stacioneve të plazhit, duke përfshirë sigurinë, higjienën, cilësinë e shërbimit dhe aksesin publik në plazhe.
Rregullimet synojnë të përcaktojnë më qartë detyrimet e operatorëve që ushtrojnë këtë aktivitet, si dhe përgjegjësitë për garantimin e kushteve të përshtatshme për pushuesit.
Për bizneset që administrojnë stacione plazhi, ndryshimet nënkuptojnë një kuadër më të detajuar detyrimesh dhe standardesh që duhet të respektohen gjatë ushtrimit të aktivitetit.
Shtigjet turistike do të regjistrohen dhe standardizohen
Projektligji i kushton vëmendje edhe turizmit natyror dhe të aventurës.
Parashikohen rregulla për projektimin, hapjen, regjistrimin, kategorizimin, sinjalistikën dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike.
Gjithashtu, propozohet ngritja e Komisionit Kombëtar të Shtigjeve Turistike, i cili do të jetë pjesë e mekanizmave të administrimit dhe standardizimit të këtij produkti turistik.
Sipas relacionit, ndërhyrjet synojnë rritjen e sigurisë së vizitorëve, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe zhvillimin e turizmit të aventurës sipas standardeve më të qarta.
Një sistem i integruar digjital për të dhënat e turizmit
Projektligji parashikon krijimin e Sistemit të të Dhënave në Turizëm (SDT), një platformë kombëtare për administrimin, përpunimin dhe analizimin e informacionit mbi sektorin.
Sistemi do të përfshijë Regjistrin Qendror të Turizmit, modulin elektronik e-Visitor dhe komponentë të tjerë për raportimin dhe analizimin e të dhënave.
Qëllimi është përmirësimi i statistikave turistike, identifikimi më i saktë i strukturave dhe aktiviteteve turistike, si dhe mbështetja e vendimmarrjes publike me të dhëna më të besueshme.
Kjo ndërhyrje merr rëndësi të veçantë në kushtet kur zgjerimi i akomodimit privat dhe i rezervimeve online e ka bërë më të vështirë evidentimin e plotë të aktivitetit turistik.
Shërbimet turistike hapen më shumë ndaj tregut rajonal dhe europian
Projektligji përfshin dispozita për lehtësimin e ofrimit të përkohshëm dhe rastësor të shërbimeve turistike nga agjencitë dhe operatorët e vendosur ligjërisht në vendet pjesëmarrëse të CEFTA-s.
Këto rregulla synojnë të reduktojnë barrierat e panevojshme administrative dhe të lehtësojnë tregtinë ndërkufitare të shërbimeve turistike.
Ndërkohë, për operatorët e vendosur në vendet e Bashkimit Europian dhe të Zonës Ekonomike Europiane, projektligji parashikon trajtim të barabartë me operatorët vendas, por dispozitat përkatëse do të zbatohen nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. /ekofin.al
