Rreth 100 milionë euro parashikohet të shpenzojë buxheti i shtetit gjatë vitit 2027 për pagesat e shtatë kontratave koncesionare dhe të partneritetit publik-privat (PPP). Sipas të dhënave të projektbuxhetit, fatura financiare për këto kontrata arrin në rreth 10 miliardë lekë, me një ulje prej rreth 2 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026.
Rënia e pagesave lidhet me përfundimin e tri kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë, shërbimet e të cilave pritet të ofrohen nga vetë shteti pas mbylljes së kontratave në muajin nëntor.
Sipas të dhënave të publikuara, pagesat për koncesionet parashikohen të zbresin nga rreth 12.08 miliardë lekë në vitin 2026, në 10.05 miliardë lekë në vitin 2027. Diferenca mes dy viteve është rreth 2.03 miliardë lekë.
Rruga e Arbrit dhe laboratorët spitalorë me faturën më të lartë
Ndër kontratat që do të financohen gjatë vitit 2027, peshën më të madhe e zë ndërtimi dhe operimi i Rrugës së Arbrit, për të cilën janë parashikuar 3.36 miliardë lekë.
Në vendin e dytë renditet kontrata për ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore, me rreth 2.2 miliardë lekë. Për shërbimin e skanimit në dogana janë parashikuar rreth 1.47 miliardë lekë, ndërsa për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës rreth 1 miliard lekë.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu financim për kontratën e portit të jahteve Orikum-Dukat, subvencionimin e rrugës Milot-Morinë dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë.

Përfundojnë tri kontrata koncesionare në shëndetësi
Një nga ndryshimet e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027 është ndërprerja e pagesave për tri kontrata koncesionare në sektorin e shëndetësisë.
Bëhet fjalë për shërbimin e dializës në pesë spitale rajonale, kontrollin bazë të popullsisë dhe sterilizimin. Sipas të dhënave të publikuara, këto kontrata përfundojnë në muajin nëntor dhe shërbimet përkatëse do të ofrohen nga vetë shteti.
Përfundimi i tyre pritet të ndikojë në uljen e shpenzimeve të planifikuara për koncesionet në vitin 2027. Megjithatë, ndikimi përfundimtar në financat publike do të varet edhe nga kostot që do të ketë shteti për të garantuar vazhdimësinë e këtyre shërbimeve. /ekofin.al
