Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektligjin për buxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një instrument për garantimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, konsolidimin fiskal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Projektbuxheti, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike për periudhën buxhetore, ndërsa për vitin 2027 të ardhurat llogariten në 907.9 miliardë lekë, ose rreth 9.4 miliardë euro.
Gjatë prezantimit, Malaj theksoi se buxheti është hartuar duke marrë në konsideratë zhvillimet politike dhe ekonomike, nevojat e vendit dhe mundësitë reale financiare, me synimin për të ruajtur ekuilibrin mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Ai identifikoi tri shtylla kryesore të buxhetit: mirëqenien sociale dhe mbështetjen për qytetarët, stabilitetin fiskal dhe qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe investimet, reformat dhe integrimin europian.
Ministria e Financave ka hartuar një projektbuxhet që u përgjigjet nevojave të vendit, mundësive reale financiare që kemi, por nga ana tjetër ruan balancën me të ardhurat edhe shpenzimeve. Projektbuxheti 2027 i sapomiratuar nga Këshilli i Ministrave reflekton qartë prioritetet për periudhën 2027-2029.
Pensionet dhe mbështetja sociale në fokus
Një nga drejtimet kryesore të projektbuxhetit është rritja e mbështetjes për pensionistët, familjet me fëmijë dhe kategoritë në nevojë. Sipas Malajt, nga 1 janari 2027 do të dyfishohet bonusi mujor i pensionistëve, me një kosto të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për buxhetin e shtetit. Ndërkohë, indeksimi i pensioneve parashikohet të kryhet më herët, në muajin prill 2027, me një fond prej 1.35 miliardë lekësh.
“Projektbuxheti 2027 ka tre prioritete themelore që përcaktojnë edhe drejtimin e vendit: e para është mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët, e dyta është stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme dhe e treta janë investimet, reformat dhe integrimi në BE.
Një nga prioritetet kryesore të qeverisë do të jetë mbështetja për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e buxhetit përmes masave që synojnë të rrisin mbështetjen financiare për pensionistët dhe të përmirësojnë të ardhurat e tyre. Konkretisht në këtë buxhet ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027 në një fond të parashikuar prej 1.35 miliard lekësh. Gjithashtu duke filluar nga një janari 2027 do të dyfishohet bonusi mujor i pensionistëve me një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 20 miliard lekësh.
Ekonomia po krijon më shumë fuqi punësimi, inflacioni vijon të mbetet në normën e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe vazhdon që të mbetet në vlerën 3%. Investimet e huaja direkte vazhdojnë rritjen e qëndrueshme. Në tërësi këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme, duke e afruar ekonominë me atë të Bashkimit Europian. Të ardhurat buxhetore në vitin 2027 parashikohet që të jetë 9.4 miliardë euro.”
Financimi për mbrojtjen sociale parashikohet në 279.7 miliardë lekë, rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Masat përfshijnë dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Do të vijojë gjithashtu mbështetja financiare për fëmijët deri në moshën pesë vjeç, me vlera që rriten në varësi të radhës së lindjes, si dhe kompensimi i tatimit mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç. Për shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm janë parashikuar rreth 1.3 miliardë lekë në vit.
“Ndër masat kryesore mund të përmendim: Dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Vijimin i bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Rreth 1,3 miliardë lekë në vit për shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm. Do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.”
Arsimi, 93.6 miliardë lekë financim
Arsimi është një tjetër sektor prioritar, me shpenzime të parashikuara në 93.6 miliardë lekë për vitin 2027, ose 4.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit. Në fokus janë rritja e bursave për studentët në nevojë, përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe zgjerimi i shërbimeve për nxënësit.
Projektbuxheti parashikon 1.1 miliardë lekë shtesë për bursat e studentëve në nevojë, 400 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë dhe 500 milionë lekë për programin “Pas Shkollës”, që synon zgjatjen e qëndrimit të fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00. Për kërkimin shkencor parashikohen gjithashtu 100 milionë lekë shtesë.
“Arsimi është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,6 miliardë lekë, me një rritje prej 4,5 miliardë lekësh krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit.
Prioritetet kryesore që do të financohen janë: 1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët në nevojë. 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë. 500 milionë lekë do të investohen për programin “Pas Shkollës” (After School), duke mundësua zgjatjen e orarit për fëmijët që qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00. 100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor.”
Shëndetësia, më shumë fonde për barna dhe spitale
Për shëndetësinë, fondet e planifikuara për vitin 2027 arrijnë në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6 miliardë lekësh. Ministri bëri të ditur se një miliard lekë shtesë do të përdoret për financimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, me qëllim përmirësimin e shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor.
Në paketën e masave përfshihet trajtimi me receta të rimbursueshme për rreth 400 mijë pacientë, si dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i 20 spitaleve në vend. Investimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbime e trajtime mjekësore.
“Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin në shërbime dhe për të garantuar mbështetje më të mirë për pacientët. Për vitin 2027, shpenzimet për sektorin parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5,6 miliardë lekësh. Masat kryesore përfshijnë: 1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor. Trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë. Rehabilitimin dhe ndërtimin e 20 spitaleve në vend.”
Bujqësia, 17.9 miliardë lekë dhe mbështetje për fermerët
Për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, me 1.1 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit. Qeveria synon të zgjerojë numrin e përfituesve të skemave mbështetëse, me rreth 43,660 përfitues të parashikuar për vitin 2027.
Masat përfshijnë vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh, 100 milionë lekë shtesë për Skemën Kombëtare dhe 400 milionë lekë për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit. Sipas të dhënave të projektbuxhetit, skema e mbështetjes së drejtpërdrejtë për fermerët parashikohet të rritet me 5.3 miliardë lekë.
Infrastruktura dhe energjia, 75.4 miliardë lekë investime
Shpenzimet për infrastrukturën dhe energjinë parashikohen në 75.4 miliardë lekë, ose rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në listën e projekteve përfshihen ndërhyrje në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve në disa bashki, ndërtimi i depove të ujit në Tiranë, si dhe investime në portet dhe hekurudhat.
Ndër projektet e përmendura janë porti i ri i Durrësit në Porto Romano, Porti i Triportit, hekurudhat Tiranë-Durrës/Rinas, Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë. Në sektorin rrugor parashikohen investime në akset Elbasan-Lekaj, Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, aksin Tiranë-Ndroq-Plepa, bypass-in e Elbasanit dhe bypass-in e Tiranës.
Në nivelin afatmesëm, për periudhën 2027-2029, investimet publike synojnë të arrijnë mesatarisht rreth 6.6% të PBB-së në vit, duke përfshirë edhe projekte që mund të financohen përmes Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Për vitin 2027, investimet publike parashikohen në 201.5 miliardë lekë, ose 6.9% e PBB-së.
Mbrojtja dhe siguria, 76.7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes
Projektbuxheti parashikon 76.7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, me 7 miliardë lekë financim shtesë. Shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2.35% të PBB-së, në funksion të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Për rendin parashikohen 36.7 miliardë lekë, ndërsa 3.3 miliardë lekë shtesë do të përdoren për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 8,500 punonjës. Për kategorinë e inspektorëve, paga bazë për gradë parashikohet të rritet me 20 mijë lekë, nga 73 mijë në 93 mijë lekë, ndërsa për kategoritë e tjera shtesa do të variojë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë për gradë.
Financat vendore, 114.6 miliardë lekë në vitin 2027
Një tjetër zë i rëndësishëm i buxhetit është financimi i pushtetit vendor. Shpenzimet për buxhetin vendor parashikohen në 114.6 miliardë lekë, me rritje 17% krahasuar me vitin 2026. Nga kjo shumë, 58.6 miliardë lekë parashikohet të sigurohen nga të ardhurat e vetëqeverisjes vendore, ndërsa 56 miliardë lekë do të vijnë nga buxheti i shtetit përmes transfertave të pakushtëzuara dhe sektoriale.
Të ardhurat, deficiti dhe borxhi publik
Në aspektin makrofiskal, qeveria synon të vijojë konsolidimin e financave publike, me një deficit buxhetor prej 2.3% të PBB-së dhe uljen e borxhit publik në 52.4% të PBB-së në vitin 2027.
Të ardhurat buxhetore parashikohen në 907.9 miliardë lekë, ose 30.9% të PBB-së, krahasuar me rreth 843.1 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2026. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore pritet të arrijnë në 793.8 miliardë lekë, rreth 56 miliardë lekë më shumë se niveli i pritshëm i vitit 2026, me një rritje prej 7.6%.
Sipas ministrit, kjo rritje mbështetet te ecuria ekonomike, inflacioni, masat e reja të paketës fiskale dhe zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. Malaj vuri në dukje se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi, inflacioni vijon të jetë në nivelin 3%, ndërsa investimet e huaja direkte po shënojnë rritje të qëndrueshme.
Duke e lidhur projektbuxhetin me objektivin e integrimit europian, ministri theksoi se financimi i prioriteteve ekonomike dhe sociale duhet të shoqërohet me ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike. Sipas tij, buxheti për vitin 2027 synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, pa cenuar ekuilibrat makrofiskalë të vendit.
