Qeveria ka paralajmëruar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, duke e hequr atë nga çmimi i karburantit dhe duke e transferuar te automjetet. Sipas Kryeministrit Edi Rama, kjo masë do të sjellë një ulje automatike prej 32 lekësh për litër në çmimin e naftës në pikat e furnizimit. Ndërkohë, do të vendoset edhe një taksë e re për automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të paralajmëruara në kuadër të reformës fiskale për vitin 2027 lidhet me taksën e qarkullimit të automjeteve, e cila aktualisht është e përfshirë në çmimin e karburantit që paguajnë konsumatorët.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do ta heqë këtë taksë nga çmimi i naftës, duke e zhvendosur detyrimin fiskal nga konsumi i karburantit te zotërimi apo përdorimi i automjetit, sipas një mekanizmi të ri që do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor”, deklaroi Rama.
Aktualisht, taksa e qarkullimit mbi naftën është 27 lekë për litër, ndërsa me përfshirjen e TVSH-së prej 20%, efekti i saj në çmimin final arrin në 32.4 lekë për litër.
Kjo do të thotë se heqja e taksës nga karburanti, duke supozuar që të gjithë faktorët e tjerë të çmimit mbeten të pandryshuar dhe ulja reflektohet plotësisht nga tregtarët, do të sillte një reduktim prej rreth 32 lekësh për litër, në përputhje me shifrën e deklaruar nga Kryeministri.
Për një automjet që furnizohet me 50 litra naftë, ulja e çmimit do të përkthehej në një kursim të menjëhershëm prej rreth 1,600 lekësh për çdo furnizim.
Ndërsa për një drejtues automjeti që konsumon mesatarisht 100 litra naftë në muaj, kursimi bruto nga blerja e karburantit do të arrinte në rreth 3,200 lekë në muaj ose 38,400 lekë në vit.
Megjithatë, ky nuk do të jetë domosdoshmërisht kursimi neto për drejtuesit e automjeteve, pasi taksa nuk do të eliminohet si detyrim fiskal, por do të transferohet në një formë tjetër pagese.
Taksa rikthehet te automjeti, ende pa një formulë të përcaktuar
Ndryshimi i paralajmëruar do të zhvendosë barrën e taksës së qarkullimit nga litrat e karburantit të konsumuar drejt një detyrimi që do të mblidhet përmes strukturave të transportit rrugor.
Aktualisht, sa më shumë karburant konsumon një automjet, aq më e lartë është shuma që paguan pronari i tij përmes taksës së qarkullimit.
Me sistemin e ri, mbetet për t’u përcaktuar nëse detyrimi do të jetë një shumë fikse vjetore për çdo automjet apo do të diferencohet sipas cilindratës, fuqisë motorike, kategorisë, llojit të karburantit ose karakteristikave të tjera teknike.
Gjithashtu, nuk është bërë ende e ditur nëse taksa do të paguhet gjatë kontrollit teknik, rinovimit të dokumentacionit apo përmes një procedure tjetër pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Këto detaje do të jenë vendimtare për të përcaktuar se cilët drejtues automjetesh do të përfitojnë më shumë nga ndryshimi dhe cilët mund të përballen me një barrë më të lartë vjetore.
Në parim, një taksë fikse për automjetin do të ndryshonte shpërndarjen e barrës fiskale mes drejtuesve që përdorin makinën çdo ditë dhe atyre që e përdorin më rrallë.
Përdoruesit intensivë të automjeteve mund të përfitojnë më shumë nga ulja e çmimit të karburantit, ndërsa për përdoruesit me konsum të ulët, përfitimi do të varet nga niveli i taksës së re.
Taksë e re edhe për automjetet me targa të huaja
Një tjetër risi e paralajmëruar është vendosja e një takse qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar.
“Do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri.
Kjo masë synon të përfshijë në pagesën për përdorimin e infrastrukturës rrugore edhe automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura tarifat, mënyra e pagesës, kohëzgjatja e vlefshmërisë së saj apo nëse do të ketë përjashtime për kategori të caktuara automjetesh.
Një element tjetër që mbetet për t’u sqaruar është nëse taksa do të aplikohet për çdo hyrje në territorin shqiptar apo për një periudhë të caktuar përdorimi të rrugëve. /ekofin.al
