A është favorizuar Agro Blend nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), apo ka pasur arsye objektive që ky subjekt të kontrollohej vetëm një herë në gjashtë vite, ndërkohë që një tjetër operator i të njëjtit sektor është inspektuar plot 14 herë?
Kjo është një nga pikëpyetjet që ngrihet nga të dhënat e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi veprimtarinë e AKU-së në sektorin e drithërave dhe miellit gjatë periudhës 2020–2025.
Sipas të dhënave të paraqitura në raportin e auditimit, subjekti Agro Blend është inspektuar vetëm një herë gjatë kësaj periudhe, ndërsa Atlas Mills është kontrolluar 14 herë. Diferenca bëhet edhe më e diskutueshme kur shihet kategorizimi i riskut të operatorëve.
Agro Blend rezulton me klasifikimin e riskut M, U, të njëjtin klasifikim që kanë edhe Atlas Mills dhe një numër i konsiderueshëm operatorësh të tjerë, të cilët janë kontrolluar shumë më shpesh.
Kjo ngre një pyetje thelbësore: Nëse subjektet kanë të njëjtin klasifikim risku, mbi çfarë kriteresh AKU ka vendosur që njëri të inspektohet 14 herë dhe tjetri vetëm një herë në gjashtë vite?
Nga të dhënat e publikuar në auditim rezulton se Atlas Mills kryeson listën me 14 inspektime. Pas tij renditen 4 Vëllezërit Nela, Italy Agrofood dhe Mielli Tirana, me nga 7 inspektime secili.
Subjektet Intek dhe Bloja janë kontrolluar nga 6 herë, ndërsa Dieta dhe Skraqi nga 5 herë. Një grup tjetër operatorësh, përfshirë Euromill Erina, Hekta Group dhe Sulova, rezultojnë me nga 4 inspektime.
Në fund të listës qëndrojnë Ndreca SH Kompani me 3 kontrolle, Altamura me 2 dhe Agro Blend me vetëm 1 inspektim.
Edhe brenda grupit të operatorëve me të njëjtin klasifikim risku, diferencat janë të konsiderueshme. Për shembull, Atlas Mills, 4 Vëllezërit Nela dhe Mielli Tirana kanë klasifikimin M, U, njësoj si Agro Blend, por janë inspektuar përkatësisht 14, 7 dhe 7 herë.
A ka pasur AKU një plan inspektimesh të bazuar në risk, historikun e shkeljeve, kapacitetet e prodhimit apo kritere të tjera të matshme? Apo përzgjedhja e subjekteve për kontroll ka qenë selektive?
Inspektimet përbëjnë një detyrim kontrolli për institucionin dhe një proces që kërkon kohë e burime nga subjektet. Për këtë arsye, diferenca kaq të mëdha mes operatorëve me klasifikim të njëjtë risku duhet të kenë një justifikim të qartë dhe të verifikueshëm.

Vetëm një rast problematik me gjurmueshmërinë dhe katër raste me etiketimin
Një aspekt tjetër që tërheq vëmendjen në auditimin e KLSH-së lidhet me rezultatet e kontrolleve të kryera në sektorin e drithërave.
Sipas dokumentacionit të administruar nga audituesit, AKU ka konstatuar vetëm një rast me problematika në gjurmueshmërinë e produkteve, katër raste me problematika në etiketim dhe asnjë rast të konstatuar të përzierjes së drithërave apo miellit gjatë periudhës së shqyrtuar.
Në rastin e vetëm të evidentuar për gjurmueshmërinë, subjektit fillimisht i është dhënë një paralajmërim për korrigjimin e mangësive në sistemin e tij. Në inspektimin pasues, pasi problematika nuk ishte korrigjuar, është vendosur masë administrative me gjobë.
Por këto rezultate duhen lexuar edhe në raport me shtrirjen e kontrolleve.
Sipas auditimit të KLSH-së, nga 56 operatorë të licencuar në sektorin e grumbullimit, magazinimit, përpunimit dhe tregtimit të drithërave dhe miellit, vetëm 18 subjekte, ose 32% e totalit, janë inspektuar të paktën një herë gjatë periudhës 2020–2025.
Plot 38 operatorë, që përfaqësojnë rreth 68% të totalit, nuk rezultojnë të jenë inspektuar asnjëherë gjatë gjashtë viteve.
Në këto kushte, numri i ulët i problematikave të konstatuara nuk mund të interpretohet automatikisht si dëshmi se sektori ka funksionuar pa shkelje.
Nëse një pjesë kaq e madhe e operatorëve nuk është kontrolluar, lind pyetja nëse mungesa e konstatimeve lidhet me respektimin e standardeve apo me mbulimin e kufizuar të tregut nga inspektimet.
Gjurmueshmëria, hallkë kritike për sigurinë ushqimore
KLSH thekson në auditim rëndësinë e veçantë që ka gjurmueshmëria në sektorin e drithërave.
Ky mekanizëm duhet të garantojë identifikimin e origjinës së produkteve, ndjekjen e lëvizjes së tyre përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tërheqjen e shpejtë nga tregu në rast se konstatohen probleme me sigurinë apo cilësinë ushqimore.
Në mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, identifikimi dhe tërheqja e produkteve të pasigurta mund të vështirësohen, duke krijuar rreziqe për konsumatorët.
Pikërisht për këtë arsye, efektiviteti i inspektimeve nuk matet vetëm me numrin e gjobave apo të shkeljeve të konstatuara, por edhe me aftësinë e institucionit për të mbuluar operatorët dhe për të identifikuar në kohë problematikat.
A ka pasur trajtim preferencial? AKU duhet të sqarojë kriteret
Të dhënat e auditimit nuk provojnë se Agro Blend është favorizuar nga inspektorët e AKU-së. Por ato evidentojnë një diferencë të madhe në frekuencën e kontrolleve, e cila kërkon sqarim institucional.
Për të kuptuar nëse ka pasur trajtim të pabarabartë, duhet të bëhen publike planet vjetore të inspektimit, vlerësimet individuale të riskut, arsyet e përzgjedhjes së operatorëve dhe historiku i kontrolleve të secilit subjekt.
Po ashtu, duhet të sqarohet nëse frekuenca e inspektimeve është përcaktuar nga drejtoritë rajonale, nga strukturat qendrore të AKU-së apo nga sinjalizime të veçanta.
Nëse një operator me klasifikim risku M, U është kontrolluar 14 herë dhe një tjetër me të njëjtin klasifikim vetëm një herë, institucioni duhet të shpjegojë arsyet konkrete të kësaj diference. /ekofin.al
