Ndërsa Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane, politikat e saj fiskale po ecin në drejtim të kundërt me kërkesat e Brukselit. Pajisjet me eficiencë të lartë energjetike, si kondicionerët inverter, taksohen në Shqipëri me 10%, ndërkohë që në vendet e BE-së kjo tarifë është pothuajse zero (0% deri në 2,2%).
Kjo mospërputhje nuk është thjesht një barrë financiare për xhepat e qytetarëve, por, sipas ekspertëve, përbën një pengesë reale në procesin e anëtarësimit.
Kundër frymës së negociatave me BE-në
Eficienca energjetike është një nga shtyllat kryesore të kapitujve që Shqipëria duhet të negociojë për t’u anëtarësuar në BE. Dhomat e biznesit në vend kanë ngritur alarmin se mbajtja e tarifave doganore mbi nivelin evropian për pajisjet që kursejnë energji është në kundërshtim të hapur me vetë procesin e integrimit.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, Shqipëria nuk mund të pretendojë përafrim me standardet e “Agjendës së Gjelbër” të BE-së, ndërkohë që penalizon fiskalisht qytetarët që blejnë teknologji që kursejnë energji.
Krahasimi i tarifave tregon se si Shqipëria rëndon konsumatorin fundor më shumë se vendet fqinje:
- Kondicionerët inverter: Shqipëria 10%, kundrejt Malit të Zi me 0% dhe BE-së me 0–2,2%.
- Televizorët (eficienca A+): Shqipëria 10%, kundrejt Malit të Zi me 3% dhe Greqisë me 4%.
Një barrë e dyfishtë për qytetarin
Nëse qeveria do të ndiqte modelin evropian, duke e ulur këtë tarifë në 2%, efekti do të ishte i menjëhershëm: qytetarët do të blinin pajisje që konsumojnë më pak energji dhe fatura e energjisë elektrike në fund të muajit do të ishte më e ulët.
Për dhomat e biznesit, kjo heshtje disavjeçare e institucioneve ndaj kërkesave për rishikimin e tarifave tregon mungesë vizioni.
“Në vend që të inkurajohet eficienca për të lehtësuar sistemin energjetik kombëtar, shteti zgjedh të mbledhë taksa të larta në doganë, duke e lënë qytetarin të vetëm përballë kostove të larta të jetesës”, shprehen përfaqësuesit e bizneseve.
Edhe në këtë rast, me paketën e re fiskale nuk pati asnjë reflektim në këtë drejtim, madje me ndryshimet e parashikuara në draftin për taksat kombëtare, pritet edhe përfshirja në taksim e mjeteve elektrike.
