Grupi BALFIN vijon zgjerimin e investimeve në tregun gjerman të pasurive të paluajtshme. Pas investimit të mëparshëm në Mynih, grupi i drejtuar nga biznesmeni Samir Mane ka njoftuar blerjen e ndërtesës së njohur Galeria Kaufhof në Bonn, një pronë me sipërfaqe prej 23,300 metrash katrorë, e vendosur në zemër të qytetit gjerman.
Investimi i ri shënon një tjetër hap në strategjinë e ndërkombëtarizimit të BALFIN, duke zgjeruar portofolin e grupit në një nga tregjet më të mëdha dhe më të zhvilluara të pasurive të paluajtshme në Europë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Samir Mane përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar blerjen e objektit tregtar dhe ka paralajmëruar zhvillime të tjera në vijim.
Ndërtesa Galeria Kaufhof Bonn ndodhet në një pozicion qendror të qytetit, ish-kryeqytetit të Gjermanisë Perëndimore. Me një sipërfaqe prej 23,300 metrash katrorë hapësirash tregtare dhe komerciale, prona përfaqëson një investim të rëndësishëm në segmentin e pasurive të paluajtshme për përdorim tregtar.
Në njoftimin e tij, Mane e ka prezantuar investimin duke krijuar një lidhje simbolike me kompozitorin Ludwig van Beethoven, i lindur në Bonn në vitin 1770.
Nga Mynihu në Bonn, investime në pronat e ish-gjigantit Signa
Blerja në Bonn vjen pas investimit të mëparshëm të BALFIN në ndërtesën historike Tietz, pranë stacionit qendror hekurudhor të Mynihut.
Objekti, i njohur edhe si ish-Hertie/Karstadt, është ndërtuar në fillim të shekullit XX dhe përbën një nga pronat historike tregtare të qytetit. Sipas raportimeve të mediave gjermane gjatë muajit gusht, vlera e marrëveshjes për blerjen e tij vlerësohej në rreth 110–120 milionë euro, megjithëse çmimi përfundimtar i transaksionit nuk është bërë publik.
Për këtë pronë është diskutuar një projekt rizhvillimi që parashikon hapësira tregtare dhe gastronomike në katet e poshtme, zyra në katet e sipërme dhe një bar të hapur për publikun në tarracën e ndërtesës.
Si objekti në Mynih, ashtu edhe prona në Bonn, lidhen me portofolin e pasurive të ish-grupit austriak Signa, të themeluar nga René Benko, falimentimi i të cilit ka nxjerrë në treg një numër të konsiderueshëm pronash tregtare në Gjermani.
Në shtator, revista e specializuar gjermane Immobilien Zeitung raportoi se BALFIN kishte arritur marrëveshje për dy prona të tjera të rrjetit Galeria, në Bonn dhe Hanover. Në atë kohë, transaksionet nuk ishin konfirmuar publikisht nga grupi.
Edhe Ekofin raportoi në shtator për këto zhvillime, duke evidentuar zgjerimin e investimeve të grupit shqiptar në tregun gjerman.
Njoftimi i fundit i Samir Manes konfirmon tashmë blerjen e objektit në Bonn, ndërsa nuk jepen detaje për vlerën e investimit apo planet konkrete të zhvillimit të pronës.
Zgjerimi në Gjermani vjen në një periudhë kur BALFIN po diversifikon gjithnjë e më shumë investimet ndërkombëtare. Krahas aktivitetit në Ballkan, grupi është shtrirë edhe në tregjet e Amerikës së Veriut, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Blerjet në Mynih dhe Bonn tregojnë orientimin e BALFIN drejt pronave tregtare në vendndodhje qendrore të qyteteve të mëdha europiane, me potencial për zhvillim dhe shfrytëzim afatgjatë. /ekofin.al
