Ndryshimi synon të vendosë kritere më të përcaktuara për profesionistët që vlerësojnë ndikimin e projekteve në natyrë, ujëra, ajër, tokë dhe biodiversitet, përfshirë projektet e ndërtimit, industrisë, minierave, energjisë dhe turizmit.
Dokumenti është ende në formën e një projektvendimi, ndaj masat e parashikuara nuk duhen konsideruar si rregulla tashmë në fuqi.
Provim për ekspertët e rinj, kalimi me të paktën 70 pikë
Një nga risitë kryesore është vendosja e një provimi për kandidatët që kërkojnë të certifikohen për herë të parë si ekspertë mjedisorë.
Sipas projektvendimit, provimi do të organizohet nga ministria përgjegjëse për mjedisin, në bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë ose institucione të tjera publike të specializuara. Provimet parashikohen të zhvillohen të paktën dy herë në vit.
Testimi do të vlerësohet me maksimumi 100 pikë dhe kandidati do të konsiderohet kalues nëse siguron të paktën 70 pikë.
Vlerësimi do të përfshijë njohuritë teorike dhe praktike për legjislacionin mjedisor, procedurat e VNM-së, ekspertizën dhe auditimin mjedisor, monitorimin, si dhe fushat specifike për të cilat kërkohet certifikimi.
Kandidatët që nuk arrijnë pragun minimal do të kenë të drejtë të aplikojnë sërish në sesionet e ardhshme të provimit. Gjithashtu, parashikohet e drejta e ankimit administrativ ndaj rezultatit.
Certifikata do të lëshohet nga ministri përgjegjës për mjedisin, brenda 10 ditëve nga marrja e rezultateve të provimit.
Master dhe të paktën dy vite përvojë profesionale
Projektvendimi përcakton edhe kriteret arsimore dhe profesionale për kandidatët.
Për t’u certifikuar si ekspert mjedisor, personi fizik duhet të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve, Master i Shkencave ose një diplomë ekuivalente, në një fushë të lidhur drejtpërdrejt me ekspertizën që kërkon të ushtrojë.
Krahas diplomës, kërkohet të paktën dy vjet përvojë profesionale në mbrojtjen e mjedisit, vlerësimin e ndikimit mjedisor, menaxhimin e burimeve natyrore, auditimin ose fusha të ngjashme.
Në rastin e diplomave të marra jashtë Shqipërisë, do të kërkohet njohja ose njësimi i tyre sipas legjislacionit në fuqi.
Lista e fushave të pranueshme është e gjerë dhe përfshin inxhinierinë mjedisore, shkencat natyrore, biologjinë, kiminë, inxhinierinë civile, gjeologjinë, hidrogjeologjinë, agronominë, shkencat pyjore dhe fusha të tjera të lidhura me mjedisin.
Gjithashtu, kandidatët nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale që lidhen me mjedisin, korrupsionin ose falsifikimin e dokumenteve, dhe nuk duhet të jenë subjekt i masave administrative të formës së prerë për shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor.
Certifikimi do të ndahet sipas fushave të ekspertizës
Një tjetër element i rëndësishëm është përcaktimi i fushave konkrete në të cilat eksperti mund të ushtrojë veprimtarinë.
Projektvendimi parashikon që certifikimi të mund të merret në një ose disa fusha, në varësi të formimit akademik dhe përvojës profesionale të kandidatit.
Ndër fushat e parashikuara janë: Biodiversiteti dhe zonat e mbrojtura, ndikimet mbi habitatet natyrore, ekosistemet, peizazhin dhe speciet; ujërat dhe burimet natyrore: ujërat sipërfaqësore e nëntokësore dhe infrastruktura hidroteknike. Ajri dhe klima: emetimet atmosferike, gazrat me efekt serrë dhe menaxhimi i karbonit. Toka dhe gjeologjia: përdorimi i territorit, proceset gjeodinamike dhe ndikimet mbi tokën. Mbetjet dhe industria: menaxhimi i mbetjeve, aktivitetet industriale, kimike, energjetike dhe minerare. Ndërtimi, infrastruktura dhe transporti: ndikimet e projekteve urbane, rrugëve, infrastrukturës inxhinierike dhe telekomunikacionit. Bujqësia dhe turizmi: ndikimet nga aktivitetet bujqësore, pyjore, peshkimi, akuakultura dhe zhvillimi turistik, si edhe auditimi dhe monitorimi mjedisor: verifikimi i përputhshmërisë dhe vlerësimi i gjendjes mjedisore.
Kjo ndarje synon të lidhë ekspertizën e deklaruar me kualifikimin dhe përvojën reale të profesionistit, në mënyrë që vlerësimet të kryhen nga persona me njohuritë përkatëse për natyrën e projektit.
Sa do të kushtojë certifikimi?
Projektvendimi parashikon tarifa të veçanta për aplikimet e personave fizikë dhe juridikë. Ku për person fizik, tarifa e aplikimit për ekspertin individual është 10 000 lekë. Për person juridik, tarifa e përcaktuar në kriteret e certifikimit 15 000 lekë.
Sipas dokumentit, tarifa e aplikimit të personit fizik është e pakthyeshme edhe nëse kërkesa nuk miratohet. Pagesa derdhet në buxhetin e shtetit.
Për personat juridikë, pra kompanitë që ofrojnë shërbime të ekspertizës mjedisore, parashikohet që të kenë në objektin e veprimtarisë VNM-në, ekspertizën dhe auditimin mjedisor, një administrator të certifikuar dhe të paktën një ekspert të certifikuar të punësuar me kontratë.
Një paqartësi që duhet sqaruar para miratimit: në pjesën e kritereve për personat juridikë parashikohet tarifë prej 15 mijë lekësh, ndërsa në procedurën e aplikimit për ta përmendet një pagesë prej 10 mijë lekësh. Kjo mospërputhje duhet të sqarohet në versionin përfundimtar të vendimit.
Aplikimi do të bëhet përmes e-Albania
Për personat fizikë, procedura e aplikimit parashikohet të kryhet përmes portalit qeveritar e-Albania.
Kandidatët do të duhet të dorëzojnë diplomën, dokumentet që vërtetojnë përvojën profesionale, jetëshkrimin, vetëdeklarimin për gjendjen gjyqësore, deklaratën për konfliktin e interesit dhe dokumentet e tjera të kërkuara.
Struktura përgjegjëse në ministri do të ketë shtatë ditë pune për shqyrtimin e dokumentacionit. Nëse konstatohen mangësi, aplikantit do t’i kërkohet plotësimi i tyre brenda shtatë ditëve nga njoftimi.
Kur dokumentacioni është i plotë dhe kriteret përmbushen, kandidati regjistrohet për provim dhe njoftohet për datën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të tij.
Për personat juridikë, ministria do të shqyrtojë dokumentacionin e kompanisë dhe të ekspertëve të saj, përpara se t’i propozojë ministrit miratimin e certifikatës.
Megjithatë, projektvendimi parashikon që aplikimet online të fillojnë në momentin e ngritjes së regjistrit përkatës. Deri atëherë, aplikimet do të dorëzohen pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin.
Konflikti i interesit mund të sjellë pezullimin e certifikatës
Projektvendimi parashikon gjithashtu masa për rastet kur ushtrimi i një funksioni publik krijon konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi.
Në këto raste, certifikata e ekspertit do të pezullohet nga data e fillimit të marrëdhënies së punës ose e ushtrimit të funksionit publik dhe do të mbetet e pezulluar deri në përfundimin e shkakut.
Gjatë kësaj periudhe, eksperti nuk do të lejohet të përgatisë raporte të VNM-së, ekspertiza apo auditime mjedisore.
Parashikohet gjithashtu ngritja e një Komisioni të Certifikimit të Ekspertëve Mjedisorë, me përfaqësues nga ministria, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, institucionet e arsimit të lartë dhe unioni i ekspertëve. Anëtarët do të duhet të deklarojnë mungesën e konfliktit të interesit për çdo procedurë certifikimi.
Ministria do të administrojë dhe publikojë listën e ekspertëve të certifikuar, ku do të pasqyrohen emri, numri i certifikatës, fusha e ekspertizës dhe data e lëshimit.
Çfarë ndryshon për qytetarët dhe projektet e ndërtimit?
Ndikimi i drejtpërdrejtë i projektvendimit është te profesionistët dhe kompanitë që ofrojnë shërbime mjedisore. Megjithatë, pasojat mund të shtrihen edhe te qytetarët, veçanërisht në zonat ku planifikohen ndërtime, investime turistike, veprimtari minerare apo projekte industriale.
Raportet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis shërbejnë për të identifikuar dhe vlerësuar pasojat e mundshme të një projekti mbi mjedisin. Cilësia e tyre ka rëndësi për vlerësimin e rreziqeve që lidhen me ndotjen e ajrit dhe ujit, dëmtimin e habitateve, zhurmat, mbetjet dhe përdorimin e territorit.
Vendosja e kritereve më të qarta për ekspertët mund të ndihmojë në rritjen e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë në hartimin e këtyre raporteve. Por certifikimi, në vetvete, nuk garanton që çdo raport do të jetë i saktë apo që çdo projekt do të ketë ndikim të ulët në mjedis.
Për qytetarët, rëndësi do të ketë mënyra se si institucionet do të kontrollojnë cilësinë e raporteve, do të verifikojnë konfliktet e interesit dhe do të zbatojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Çfarë ndodh me ekspertët që janë tashmë të certifikuar?
Projektvendimi nuk parashikon që të gjithë ekspertët ekzistues të kalojnë automatikisht nga e para procesin e provimit.
Sipas dispozitave kalimtare, personat fizikë dhe juridikë të pajisur me certifikatë sipas vendimit të mëparshëm të Këshillit të Ministrave, nr. 1124, datë 30 korrik 2008, dhe që kanë ushtruar veprimtarinë përkatëse, do të konsiderohen të certifikuar edhe sipas rregullave të reja.
Megjithatë, ata do të duhet të regjistrohen në listën e re të ekspertëve mjedisorë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, duke paraqitur certifikatën dhe dokumentacionin që provon ushtrimin e veprimtarisë.
Ministria do të verifikojë dokumentet dhe do të përcaktojë fushat e ekspertizës në bazë të kualifikimit akademik dhe përvojës profesionale./ekofin.al
