Paketa fiskale 2027 parashikon ndryshime të rëndësishme në tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi, duke lehtësuar barrën fiskale për punonjësit me paga të mesme dhe të larta, ndërsa vendos një normë të re tatimore prej 32% për pjesën e pagës që tejkalon 700 mijë lekë në muaj.
Ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” synojnë të rishikojnë shkallën progresive të tatimit mbi pagat, duke rritur nga 200 mijë në 300 mijë lekë kufirin e pagës bruto mujore deri në të cilin zbatohet norma tatimore 13%.
Sipas relacionit të projektligjit, nga kjo masë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 25,704 punonjës, të cilëve do t’u ulet tatimi mbi pagën, duke u rritur të ardhurat neto mujore.
Aktualisht, për pagat bruto mbi 200 mijë lekë në muaj, pjesa që tejkalon këtë kufi tatohet me 23%. Me formulën e re, kjo normë do të fillojë të zbatohet vetëm për pjesën e pagës që tejkalon 300 mijë lekë.
Kjo do të thotë se punonjësit që marrin një pagë bruto prej 300 mijë lekësh në muaj do të paguajnë 35,100 lekë tatim, nga 45,100 lekë që paguajnë aktualisht. Diferenca është 10 mijë lekë më pak tatim çdo muaj, ose 120 mijë lekë në vit.
Përfitimi shtrihet edhe te punonjësit me paga më të larta se 300 mijë lekë, pasi edhe për ta pjesa e të ardhurave nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë do të tatohet me normën më të ulët prej 13%.
Megjithatë, për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, përfitimi nga zgjerimi i fashës së parë do të kombinohet me efektin e normës së re prej 32%, e cila do të zbatohet mbi pjesën e pagës që tejkalon këtë kufi.
Si ndryshon tatimi për pagat nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë?
Sipas skemës së propozuar, për pagat bruto deri në 50 mijë lekë në muaj nuk do të ketë tatim mbi të ardhurat personale, pasi zbritja personale mbulon të gjithë shumën e pagës.
Për pagat nga 50,001 deri në 60 mijë lekë në muaj do të vijojë të zbatohet zbritja personale prej 35 mijë lekësh, ndërsa për pagat mbi 60 mijë lekë zbritja personale mbetet 30 mijë lekë në muaj.
Ndryshimi kryesor fillon te pagat mbi 200 mijë lekë, ku punonjësit do të përfitojnë nga zgjerimi i fashës së tatimit 13%.
Për pagat nga 300,001 deri në 700 mijë lekë në muaj, tatimi do të llogaritet sipas formulës 35,100 lekë, plus 23% e shumës që tejkalon 300 mijë lekë.
Kështu, për një punonjës me pagë bruto 500 mijë lekë, tatimi mujor do të jetë 81,100 lekë, kundrejt 91,100 lekëve sipas formulës aktuale.
Ndërsa për një pagë bruto prej 700 mijë lekësh, tatimi do të ulet nga 137,100 lekë në 127,100 lekë në muaj.
Sa ndryshon tatimi mujor mbi pagën?

Normë e re 32% për pagat mbi 700 mijë lekë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i paketës fiskale është vendosja e një shkalle të tretë progresive të tatimit mbi të ardhurat personale.
Për herë të parë në skemën e propozuar do të aplikohet një normë prej 32% për pjesën e pagës bruto mujore që tejkalon 700 mijë lekë.
Kjo normë nuk do të zbatohet mbi të gjithë pagën, por vetëm mbi shumën që tejkalon pragun e përcaktuar.
Për këtë kategori, tatimi mujor do të llogaritet me formulën 127,100 lekë, plus 32% e pjesës së pagës mbi 700 mijë lekë.
Sipas relacionit, nga kjo masë do të ndikohen drejtpërdrejt rreth 1,293 punonjës, të cilëve do t’u rritet norma marxhinale e tatimit nga 23% në 32%.
Megjithatë, për shkak të lehtësimit prej 10 mijë lekësh që sjell zgjerimi i fashës 13%, efekti përfundimtar mbi tatimin e pagave më të larta nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë.
Për shembull, një punonjës me pagë bruto 800 mijë lekë në muaj do të paguajë 159,100 lekë tatim sipas formulës së re, kundrejt 160,100 lekëve aktualisht, duke përfituar ende një ulje prej 1,000 lekësh.
Ndërsa për një pagë bruto prej 1 milion lekësh, tatimi mujor do të rritet nga 206,100 lekë në 223,100 lekë, ose 17 mijë lekë më shumë në muaj.
Kjo do të thotë se efekti i kombinuar i dy ndryshimeve e kthen në rritje neto tatimin për pagat bruto mbi rreth 811 mijë lekë në muaj.
Efekti në buxhet, rreth 1 miliard lekë më pak të ardhura
Ndryshimet e propozuara do të kenë edhe ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Sipas relacionit, zgjerimi i fashës së tatimit 13% deri në pagën bruto 300 mijë lekë do të sjellë një ulje të të ardhurave buxhetore prej rreth 1.98 miliardë lekësh.
Nga ana tjetër, vendosja e normës së re prej 32% për pagat mbi 700 mijë lekë pritet të gjenerojë rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë.
Si rezultat, efekti i kombinuar i dy masave përllogaritet në rreth 1.01 miliardë lekë më pak të ardhura për buxhetin, duke reflektuar një lehtësim fiskal neto për të punësuarit.
Qeveria argumenton se rishikimi i formulës synon të mbështesë shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, të cilët, për shkak të rritjes nominale të pagave gjatë viteve të fundit, kanë kaluar në fashën më të lartë të tatimit prej 23%.
Ndërkohë, vendosja e normës 32% për pagat më të larta mbështetet në parimin e progresivitetit fiskal, sipas të cilit individët me të ardhura më të larta duhet të kontribuojnë proporcionalisht më shumë në buxhet. /ekofin.al
