Automjetet e braktisura në rrugët e lagjeve, hapësirat publike apo zona të tjera urbane do t’i nënshtrohen procedurave të identifikimit dhe largimit nga autoritetet vendore. Një projektvendim i ri i qeverisë synon të vendosë rregulla më të qarta për administrimin e automjeteve që kanë dalë jashtë përdorimit, duke përcaktuar përgjegjësitë e bashkive, Policisë së Shtetit dhe operatorëve të autorizuar për trajtimin e tyre.
Sipas projektvendimit të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkitë, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit përgjegjëse për qarkullimin rrugor, do të marrin masa për identifikimin dhe heqjen e automjeteve të braktisura në territorin që administrojnë.
Nisma synon të adresojë një problematikë të pranishme në hapësirat urbane, ku automjetet e lëna jashtë përdorimit mund të zënë për periudha të gjata vende parkimi dhe hapësira publike, ndërsa në raste të caktuara përbëjnë edhe burim ndotjeje.
Por largimi i automjeteve nuk do të nënkuptojë automatikisht dërgimin e tyre për shkatërrim.
Projektvendimi përcakton se, përpara dorëzimit të një automjeti të braktisur për trajtim, struktura që ka kryer heqjen duhet të verifikojë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, numrin e identifikimit të automjetit, targën, pronësinë dhe të dhënat e regjistrimit.
Gjithashtu, do të kontrollohet gjendja juridike dhe administrative e mjetit, për të përcaktuar nëse rezulton i vjedhur, në kërkim, i sekuestruar, i konfiskuar apo i ngarkuar me barrë.
Pas identifikimit, autoritetet duhet të njoftojnë zotëruesin ose pronarin e automjetit dhe të sigurojnë ruajtjen e tij sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin për qarkullimin rrugor.
Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, automjeti mund t’i dorëzohet një operatori të autorizuar për trajtim.
Për automjetet, pronarët e të cilave nuk identifikohen, si edhe për mjetet e sekuestruara, të konfiskuara, në kërkim apo të ngarkuara me barrë, dorëzimi për trajtim do të kërkojë vendim të organit kompetent.
Një tjetër risi e projektvendimit lidhet me kostot e dorëzimit të automjeteve që kanë arritur në fund të jetës së tyre.
Sipas rregullave të propozuara, pronarët do të mund t’i dorëzojnë automjetet për trajtim pa asnjë kosto, edhe në rastet kur mjeti nuk ka më vlerë tregu ose vlera e tij është negative.
Megjithatë, parashikohen përjashtime. Operatorët e autorizuar do të kenë të drejtë të kërkojnë pagesë nëse automjetit i mungojnë pjesë thelbësore, veçanërisht motori apo karroceria, ose nëse brenda tij janë depozituar mbetje që nuk i përkasin automjetit.
Kostot e sistemit të grumbullimit do të mbulohen tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme nga prodhuesit, përfshirë importuesit profesionistë, sipas legjislacionit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.
Projektvendimi vendos edhe një mekanizëm për të garantuar gjurmueshmërinë e automjeteve që dalin përfundimisht nga qarkullimi.
Çdo automjet i dorëzuar për trajtim do të pajiset me një certifikatë shkatërrimi, të lëshuar nga operatori i autorizuar. Ky dokument do të jetë kusht për çregjistrimin e përhershëm të automjetit nga regjistri i mjeteve rrugore.
Certifikatat do të kenë një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ndërsa të dhënat do të regjistrohen në sistemin elektronik të institucionit.
Në rastin e automjeteve të braktisura që largohen nga autoritetet, certifikata e shkatërrimit do të lëshohet në emër të strukturës që e dorëzon automjetin për trajtim.
Përveç largimit të automjeteve të braktisura, projektvendimi përcakton edhe standarde për riciklimin dhe rikuperimin e materialeve të tyre.
Nga 1 janari 2028, operatorët do të duhet të sigurojnë ripërdorimin dhe rikuperimin e të paktën 85% të peshës mesatare të automjeteve të trajtuara, ndërsa ripërdorimi dhe riciklimi duhet të arrijnë të paktën 80%.
Nga 1 janari 2030, këto objektiva do të rriten përkatësisht në 95% dhe 85%.
Rregullat synojnë gjithashtu të parandalojnë ndotjen nga vajrat, karburantet, bateritë, lëngjet e frenave dhe substancat e tjera të rrezikshme që përmbajnë automjetet e dala jashtë përdorimit.
Trajtimi dhe çmontimi do të kryhen vetëm nga operatorë të pajisur me lejet mjedisore dhe licencat përkatëse.
Sipas relacionit shoqërues, një pjesë e automjeteve në fund të jetës aktualisht braktisen në mjedis, çmontohen në mënyrë të parregullt ose trajtohen nga subjekte që nuk plotësojnë standardet teknike dhe mjedisore. /ekofin.al
