Wizz Air, një nga kompanitë ajrore më të mëdha me kosto të ulët në Evropë dhe Amadeus, kompania lider në teknologjinë e udhëtimeve, njoftuan sot arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme, falë së cilës ofertat e fluturimeve të Wizz Air do të jenë të disponueshme për herë të parë përmes platformës Amadeus Travel. Marrëveshja zgjeron aksesin në ofertat e kompanive ajrore me kosto të ulët, duke u mundësuar agjencive të udhëtimit një gamë më të gjerë opsionesh fluturimi.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ofertat e Wizz Air do të jenë të aksesueshme për rrjetin e gjerë të agjencive dhe operatorëve të udhëtimit të Amadeus në tregje të përzgjedhura, përmes zgjidhjes Amadeus Ticketless Access (ATLA). Kjo do të zgjerojë ndjeshëm praninë e kompanisë ajrore në treg dhe do t’i mundësojë Wizz Air të lidhet me një gamë të gjerë kanalesh shpërndarjeje, duke përfshirë kompanitë e menaxhimit të udhëtimeve, agjencitë e udhëtimit, agjencitë online të udhëtimit (OTA), operatorët turistikë dhe biznese të tjera që ofrojnë shërbime udhëtimi. Gjithashtu, kjo marrëveshje do ta bëjë më të lehtë për agjencitë dhe operatorët e udhëtimit kërkimin dhe rezervimin e fluturimeve të Wizz Air, si dhe të shërbimeve shtesë, përmes sistemeve ekzistuese të Amadeus.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e Wizz Air, duke duke rritur ekspozimin e kompanisë ajrore në rrjetin e agjencive dhe operatorëve të udhëtimit, si dhe duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit të saj.
Më shumë mundësi zgjedhjeje për agjencitë dhe operatorët e udhëtimit
Përmes kombinimit të rrjetit gjithnjë në zgjerim të destinacioneve të Wizz Air me teknologjinë, shtrirjen në treg dhe kapacitetet e platformës Amadeus, ky bashkëpunim do t’u mundësojë agjencive dhe operatorëve të udhëtimit akses më të lehtë dhe të drejtpërdrejtë në tarifat ekonomike, paketat e udhëtimit dhe shërbimet shtesë të Wizz Air. Kjo ofertë më e gjerë do t’i ndihmojë agjencitë e udhëtimit t’u përgjigjen në mënyrë më efikase nevojave të klientëve, duke u ofruar më shumë alternativa përmes një platforme të vetme. Njëkohësisht, bashkëpunimi do të lehtësojë aksesin e kompanive dhe udhëtarëve të biznesit në tarifat konkurruese të Wizz Air, përmes platformave dhe kanaleve që ata përdorin aktualisht për rezervimin e udhëtimeve.
“Ndërsa Wizz Air vijon të zgjerohet, ne jemi vazhdimisht në kërkim të mënyrave të reja për ta bërë rrjetin tonë të gjerë të destinacioneve dhe tarifat tona të përballueshme edhe më të aksesueshme për udhëtarët. Përfshirja për herë të parë e ofertës sonë në platformën Amadeus Travel Platform do t’i mundësojë rrjetit të gjerë të agjencive dhe operatorëve të udhëtimit që përdorin Amadeus të kenë akses në tarifat dhe shërbimet tona shtesë, duke e bërë ofertën e Wizz Air më lehtësisht të disponueshme për një numër më të madh klientësh. Jemi të kënaqur që po ndërmarrim këtë hap së bashku me Amadeus dhe presim me interes mundësitë e reja që ky partneritet do të krijojë për industrinë e udhëtimeve,” u shpreh Silvia Mosquera, Drejtuese e Marketingut dhe të Ardhurave në Wizz Air.
Elena Avila, Zëvendëspresidente Ekzekutive për Shpërndarjen e Udhëtimeve në Amadeus, u shpreh:
“Agjencitë dhe operatorët e udhëtimit kanë gjithnjë e më shumë nevojë për akses në një gamë më të gjerë ofertash nga kompanitë ajrore, përmes platformave dhe sistemeve që përdorin çdo ditë. Nga ana tjetër, kompanitë ajrore po kërkojnë mënyra më efikase për të zgjeruar praninë dhe shtrirjen e tyre në treg. Përfshirja e ofertës së Wizz Air në platformën Amadeus Travel Platform zgjeron mundësitë e zgjedhjes për agjencitë e udhëtimit, thjeshton aksesin në oferta në një treg ku kanalet e shpërndarjes janë të fragmentuara dhe mbështet synimin e Wizz Air për të zhvilluar më tej strategjinë e saj të shpërndarjes përmes kanaleve indirekte. Ky bashkëpunim përforcon angazhimin tonë për një sistem të hapur dhe të larmishëm të shpërndarjes së ofertave të kompanive ajrore dhe dëshmon rolin e Amadeus në ndërlidhjen e aktorëve të industrisë së udhëtimeve, duke krijuar vlerë të shtuar për kompanitë ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe vetë udhëtarët.” – vijoi ajo.
