Tirana përballet këtë të diel me një tjetër ditë protestash, pas përplasjeve të dhunshme të së shtunës mes protestuesve dhe forcave të policisë. Të rinjtë dhe qytetarët kanë paralajmëruar një tubim të ri në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa pritet që protesta të zhvendoset në zona të tjera të kryeqytetit, siç ka ndodhur edhe herët e tjera.
Protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione dhe incidente të dhunshme në disa zona të Tiranës, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.
Sipas bilancit të publikuar këtë të diel nga Policia e Shtetit, 23 persona janë arrestuar, 13 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 30 shtetas janë shpallur në kërkim për përfshirje të dyshuar në incidentet e së shtunës.
Policia bën të ditur se gjatë protestës, persona të maskuar kanë sulmuar për disa orë efektivët e rendit me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Nga këto sulme, sipas autoriteteve, mbetën të plagosur pesë punonjës policie, ndërsa u shkaktuan dëmtime edhe në godinat e institucioneve shtetërore.
Një nga incidentet më të rënda të mbrëmjes ishte plagosja në sy e një protestuesi 28-vjeçar, i identifikuar me inicialet E. V., për të cilin është raportuar se është goditur me plumb gome.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale do të shqyrtojë veprimet e punonjësve të policisë të përfshirë në incident.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të diel ftesën për dialog me studentët dhe protestuesit. Përpara godinës së Kryeministrisë është vendosur sërish një sofër guri me karrige, si pjesë e thirrjes së kreut të qeverisë për diskutime.
Protestat e ditëve të fundit kanë ndikuar edhe në funksionimin normal të kryeqytetit, duke sjellë kufizime në qarkullim, ndërprerje të përkohshme të disa shërbimeve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Protesta e paralajmëruar për orën 14:00 do të jetë një tjetër provë për situatën e rendit dhe sigurisë në kryeqytet. /ekofin.al
