Qeveria synon të zgjerojë programet e strehimit përtej familjeve në nevojë ekonomike, duke përfshirë edhe qytetarët që kanë të ardhura, por nuk arrijnë të përballojnë çmimet e blerjes apo qiratë e banesave në tregun e lirë. Një nga risitë kryesore është programi “Qira me të drejtë blerjeje”, që u jep mundësi përfituesve të jetojnë në një banesë kundrejt pagesave periodike, një pjesë e të cilave mund të llogaritet në çmimin përfundimtar të blerjes.
Ky është një nga ndryshimet e parashikuara në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të paraqitur për shqyrtim në Kuvend. Nisma synon të krijojë një sistem më të gjerë mbështetjeje për strehimin, duke kombinuar banesat sociale, qiratë e përballueshme, kreditimin me kushte të lehtësuara dhe përfshirjen e sektorit privat në financimin e banesave.
Për herë të parë, kuadri ligjor synon të bëjë një dallim më të qartë mes strehimit social dhe strehimit të përballueshëm. Ky i fundit do të përfshijë individë dhe familje që nuk kualifikohen domosdoshmërisht për ndihmë sociale, por për të cilët kostoja e strehimit është tepër e lartë në raport me të ardhurat.
Projektligji prezanton konceptin e pragut të përballueshmërisë, që synon të përcaktojë sa mund të shpenzojë një familje për strehimin pa cenuar nevojat e tjera bazë të jetesës.
Qira me të drejtë blerjeje, si funksionon programi i ri?
Programi “Qira me të drejtë blerjeje” është një nga instrumentet kryesore të propozuara. Ai parashikon që individët dhe familjet përfituese të përdorin një banesë në pronësi të Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social (AKTSS), kundrejt pagesave periodike.
Në varësi të kushteve të kontratës, një pjesë e pagesës mund të kreditohet në çmimin e blerjes së banesës. Kjo krijon mundësinë që familjet të kalojnë gradualisht nga statusi i qiramarrësit në atë të pronarit.
Projektligji lejon gjithashtu që banesa të caktuara sociale me qira të kalojnë në këtë program, por vetëm nëse ndryshimi nuk cenon nevojat ekzistuese për banesa sociale me qira në bashkinë përkatëse. Kriteret e hollësishme të përfitimit dhe procedurat do të përcaktohen me akte nënligjore.
Të rinjtë deri në 29 vjeç dhe familjet e reja, mes përfituesve
Një ndryshim i rëndësishëm është zgjerimi i kategorive që mund të përfitojnë nga programet e strehimit të përballueshëm.
Në projektligj përfshihen familjet me të ardhura të mesme që nuk përballojnë çmimet e tregut, të rinjtë deri në 29 vjeç që janë në pesë vitet e para të karrierës profesionale, si dhe familjet e reja ku anëtari më i madh është jo më shumë se 45 vjeç.
Mbështetja synon të shtrihet edhe te familjet njëprindërore me fëmijë të mitur, punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët e rikthyer nga emigracioni.
Megjithatë, përfshirja në këto kategori nuk garanton automatikisht përfitimin e banesës. Aplikantët duhet të plotësojnë kushtet e pronësisë, aksesit në tregun e lirë dhe të ardhurave, ndërsa kufijtë financiarë dhe mënyra e kategorizimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Banesa sociale dhe apartamente me çmim tregu në të njëjtat projekte
Një tjetër risi është programi i zhvillimit të banesave me destinacion të kombinuar.
Sipas projektligjit, AKTSS-ja do të mund të zhvillojë projekte që përfshijnë njëkohësisht banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët dhe apartamente që shiten me çmimet e tregut të lirë.
Të ardhurat e siguruara nga shitja e apartamenteve në treg do të përdoren vetëm për financimin, zgjerimin dhe mirëmbajtjen e programeve të strehimit social. Shitja e këtyre banesave do të kryhet përmes procedurave transparente dhe konkurruese.
Modeli synon të krijojë burime shtesë financimi për strehimin, duke mos e mbështetur ndërtimin e banesave sociale vetëm te fondet e buxhetit të shtetit.
Projektligji parashikon gjithashtu zhvillimin e zonave të integruara të banimit, ku krahas apartamenteve mund të financohen rrugë, rrjete ujësjellësi e kanalizimesh, infrastruktura publike dhe shërbime sociale.
Kredi me garanci dhe financim të kombinuar për blerjen e banesës
Projektligji krijon mundësi edhe për instrumente të reja financiare që synojnë të lehtësojnë blerjen e banesave të përballueshme.
Financimi mund të realizohet përmes kombinimit të kontributit financiar të familjes, kredisë nga institucionet financiare, garancive dhe mbështetjes publike në formën e granteve ose subvencioneve.
Në projektligj parashikohet mundësia e miratimit të skemave standarde të financimit, përfshirë modele të tipit 30-40-30, ndërsa përqindjet dhe kushtet konkrete do të përcaktohen nga qeveria.
Mbështetja publike do të kushtëzohet me përdorimin e banesës si vendbanim kryesor dhe mund të shoqërohet me kufizime për shitjen ose dhënien e saj me qira për një periudhë të caktuar.
Kjo synon të garantojë që përfitimet nga programet e strehimit të përdoren për nevojat reale të banimit dhe jo për qëllime investimi.
Ndërtuesit do të kontribuojnë me vlerën e 3% të sipërfaqes
Ndryshime parashikohen edhe në mekanizmin e kontributit të sektorit privat për strehimin social.
Sipas projektligjit, subjektet private që aplikojnë për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtesa banimi me sipërfaqe ndërtimore mbi 2,000 metra katrorë do të duhet të derdhin në Fondin për Strehim dhe Kohezion Social një kontribut monetar të barasvlefshëm me shitjen e 3% të sipërfaqes funksionale, sipas çmimit të tregut në momentin e marrjes së lejes.
Pagesa mund të realizohet me këste, por duhet të përfundojë jo më vonë se momenti i aplikimit për certifikatën e përdorimit.
Ndërtuesi duhet të lidhë marrëveshje me AKTSS-në për mënyrën e pagesës brenda 30 ditëve nga konfirmimi i plotësimit të kushteve për leje ndërtimi. Pa këtë marrëveshje ose pa kryerjen e pagesës së plotë, leja nuk mund të lëshohet.
Në rast refuzimi, subjekti konsiderohet se ka hequr dorë nga aplikimi për leje.
Falje e detyrimeve për disa familje që kanë blerë banesa nga EKB
Një dispozitë tjetër e projektligjit parashikon faljen e detyrimeve të mbetura për një kategori të caktuar familjesh që kanë përfituar banesa me kosto të ulët nga Enti Kombëtar i Banesave.
Masa parashikohet për familjet që kanë shlyer detyrimet për të paktën 10 vjet, por që për shkak të fatkeqësive familjare, si vdekja ose sëmundjet e rënda që shkaktojnë paaftësi për punë, kanë humbur aftësinë ekonomike për të vazhduar pagesat.
Falja nuk do të jetë e përgjithshme për të gjithë përfituesit e banesave të EKB-së, por lidhet me plotësimin e këtyre kushteve.
Krijohet Fondi për Strehim dhe Kohezion Social, ndryshon edhe organizimi institucional
Projektligji parashikon riorganizimin e financimit të strehimit përmes Fondit për Strehim dhe Kohezion Social, i cili do të administrohet nga AKTSS-ja.
Fondi do të përdoret për ndërtimin, blerjen, rikonstruksionin dhe përmirësimin e banesave sociale dhe të përballueshme. Ai mund të financojë edhe blerjen e banesave në tregun e lirë, kur kjo rezulton ekonomikisht më e favorshme se ndërtimi i tyre.
Në këtë fond mund të përfshihen edhe pasuri të paluajtshme të konfiskuara, të cilat, me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të vihen në dispozicion të programeve të strehimit.
Për orientimin dhe shpërndarjen e burimeve parashikohet krijimi i Bordit për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm, i drejtuar nga ministri përgjegjës për strehimin.
Bordi do të përcaktojë prioritetet dhe do të miratojë projektet që financohen, ndërsa AKTSS-ja do të merret me administrimin e fondit dhe zbatimin e vendimeve.
Një tjetër ndryshim institucional është transformimi i Entit Kombëtar të Banesave në Shoqërinë Shqiptare të Strehimit Social, sh.a., e cila do të ketë rol në zhvillimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe zgjerimin e fondit të banesave.
Përzgjedhja e përfituesve me pikëzim
Projektligji rishikon edhe mënyrën e përzgjedhjes së familjeve përfituese, duke parashikuar një sistem vlerësimi me 100 pikë.
Secili nga katër kriteret e përcaktuara në ligj do të ketë peshën prej 25 pikësh, ndërsa shpërndarja e detajuar e pikëve do të miratohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Bashkitë do të përgatisin listat paraprake të përfituesve dhe do t’ia përcjellin AKTSS-së, e cila do të planifikojë zbatimin e programeve duke marrë parasysh numrin e aplikantëve, burimet financiare dhe politikat kombëtare të strehimit.
Një lehtësi tjetër është mundësia që një aplikant që nuk plotëson kushtet për një program të caktuar të orientohet drejt një programi tjetër, nëse përmbush kriteret përkatëse.
Megjithatë, individët dhe familjet nuk do të mund të përfitojnë njëkohësisht nga më shumë se një program strehimi social./ekofin.al
