Shqipëria renditet ndër vendet me çmime relativisht të ulëta të produkteve ushqimore në Europë, por ushqimet në tregun shqiptar rezultojnë më të shtrenjta se në disa vende të rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, një shportë me 18 produkte ushqimore kushton mesatarisht 63 euro në Shqipëri, vetëm 6.84 euro më pak se mesatarja e Bashkimit Europian.
Bazuar në të dhënat e platformës Numbeo për mesin e vitit 2026, Shqipëria ka një indeks të çmimeve të ushqimeve prej 80.5 pikësh, kundrejt mesatares prej 100 pikësh të Bashkimit Europian.
Kjo do të thotë se çmimet e produkteve ushqimore në Shqipëri janë mesatarisht 19.5% më të ulëta se në BE. Megjithatë, krahasimi me vendet e rajonit tregon se konsumatorët shqiptarë përballen me çmime më të larta se në disa prej ekonomive fqinje.
Në Serbi, indeksi i çmimeve të ushqimeve është 68.8 pikë, ndërsa në Mal të Zi 70.3 pikë. Maqedonia e Veriut regjistron një indeks edhe më të ulët, prej 59.8 pikësh, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 67.9 pikë.
Në këtë mënyrë, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri rezulton rreth 17% më i lartë se në Serbi dhe rreth 14.5% më i lartë se në Mal të Zi. Diferenca është edhe më e theksuar me Maqedoninë e Veriut, ku indeksi shqiptar është rreth 34.6% më i lartë.

Nga ana tjetër, ushqimet në Shqipëri rezultojnë më të lira se në Greqi, ku indeksi arrin në 89.3 pikë, dhe në Itali, ku regjistrohet niveli 110.2 pikë.
Shporta ushqimore në Shqipëri kushton 63 euro, vetëm 6.84 euro më pak se mesatarja e BE-së
Një tjetër krahasim i realizuar bazuar në çmimet e mbledhura gjatë tetorit 2026, tregon se një shportë me 18 produkte ushqimore kushton mesatarisht 63 euro në Shqipëri.
Në nivel të Bashkimit Europian, e njëjta shportë kushton mesatarisht 69.84 euro. Pra, konsumatorët shqiptarë paguajnë vetëm 9.8% më pak për këtë grup produktesh, krahasuar me mesataren europiane.
Interesant është fakti se shporta ushqimore në Shqipëri ka të njëjtën kosto me atë në Spanjë, ku 18 produktet kushtojnë gjithashtu 63 euro.
Ndërkohë, në disa vende të rajonit, e njëjta shportë rezulton ndjeshëm më e lirë.

Në Maqedoninë e Veriut kushton 43.90 euro, në Kosovë 45.50 euro, në Serbi 49.70 euro, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 49.80 euro.
Kjo do të thotë se një konsumator në Shqipëri paguan rreth 19.10 euro më shumë se një konsumator në Maqedoninë e Veriut për të njëjtën shportë, ose rreth 43.5% më shumë.
Krahasuar me Kosovën, diferenca arrin në 17.50 euro, ndërsa me Serbinë në 13.30 euro.
Edhe në raport me Malin e Zi, ku shporta kushton 49.80 euro, konsumatori shqiptar paguan 13.20 euro më shumë, ose rreth 26.5%.
Në krahasim me vendet e tjera europiane, shporta ushqimore në Shqipëri rezulton më e lirë se në Greqi, ku kushton 67.40 euro, në Itali me 80 euro dhe në Francë me 87.40 euro.
Çmime më të ulëta nuk do të thotë domosdoshmërisht ushqime më të përballueshme
Megjithëse Shqipëria renditet poshtë mesatares europiane për nivelin e çmimeve, kjo nuk do të thotë automatikisht se ushqimet janë më të përballueshme për familjet shqiptare.
Analiza thekson se krahasimi i çmimeve nominale nuk merr parasysh diferencat në paga, të ardhura dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, ku krahasimi i kostos së shportës me vendet e Bashkimit Europian duhet të shoqërohet edhe me analizën e pagave dhe fuqisë blerëse.
Një shportë prej 63 eurosh mund të përfaqësojë një barrë shumë të ndryshme financiare për një familje shqiptare, krahasuar me një familje në Spanjë, edhe pse kostoja nominale e produkteve është e njëjtë.
Sipas Eurostat, ushqimet dhe pijet joalkoolike zënë mesatarisht 13.6% të shpenzimeve të familjeve në Bashkimin Europian. Megjithatë, në vende me të ardhura më të ulëta, pesha e ushqimeve në buxhetin familjar mund të jetë dukshëm më e madhe. Për shembull, në Rumani kjo kategori përfaqëson 23.1% të shpenzimeve familjare, ndërsa në Bullgari tejkalon 20%.
Pse ndryshojnë kaq shumë çmimet e ushqimeve?
Sipas ekspertëve, diferencat e çmimeve të ushqimeve mes vendeve europiane ndikohen nga një kombinim faktorësh, përfshirë kostot e punës, energjinë, transportin, qiratë, taksat, strukturën e tregut dhe produktivitetin bujqësor.
Kostot e energjisë dhe karburanteve ndikojnë në të gjithë zinxhirin ushqimor, nga prodhimi bujqësor dhe përpunimi deri te transporti dhe shpërndarja në supermarket.
Ndërkohë, një tjetër element është fakti se ngadalësimi i inflacionit nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje të çmimeve. Për sa kohë inflacioni mbetet pozitiv, çmimet vijojnë të rriten, por me ritëm më të ngadaltë.
Në Europë, Zvicra mbetet vendi më i shtrenjtë për ushqimet, me një indeks prej 189.2 pikësh dhe një shportë prej 137.90 eurosh. Në Norvegji, e njëjta shportë kushton 116.10 euro, ndërsa në Luksemburg 99 euro.
Për Shqipërinë, të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të rëndësishëm: megjithëse çmimet e ushqimeve mbeten nën mesataren e BE-së, ato janë më të larta se në disa vende fqinje. Ndërsa për të vlerësuar barrën reale mbi konsumatorët shqiptarë, krahasimi i çmimeve duhet të shoqërohet me atë të të ardhurave dhe fuqisë blerëse. /ekofin.al
