Pronarët e automjeteve të dala jashtë përdorimit, të cilave u mungojnë pjesët kryesore, mund të përballen me pagesa për trajtimin e tyre.
Një projektvendim i ri i hedhur në konsultim nga Ministria e Mjedisit, ndryshon mënyrën e dorëzimit të këtyre mjeteve dhe përcakton procedura më të detajuara për certifikatën e shkatërrimit dhe çregjistrimin përfundimtar.
Sipas projektvendimit, dorëzimi i automjeteve në fund të jetës te operatorët e autorizuar do të vazhdojë të jetë pa pagesë për pronarin, edhe kur mjeti nuk ka vlerë tregu ose ka vlerë negative. Megjithatë, parashikohet një përjashtim për automjetet që nuk përmbajnë pjesët thelbësore, veçanërisht motorin dhe karrocerinë, ose që kanë të ngarkuara mbetje të tjera që nuk u përkasin atyre.
Në këto raste, operatori i autorizuar do të ketë të drejtë t’i kërkojë pronarit pagesën e kostove të trajtimit. Projektvendimi nuk përcakton një tarifë fikse apo metodën e llogaritjes së shumës.
Ndryshimi qëndron te mënyra e trajtimit të këtyre rasteve. Vendimi i vitit 2012 parashikonte që operatorët të mos i pranonin automjetet kur mungonin pjesët kryesore ose kur në to ishin shtuar mbetje të tjera. Rregullimi i propozuar lejon pranimin e automjeteve të tilla, por kundrejt mbulimit të kostove të trajtimit.
Projektvendimi parashikon gjithashtu gjurmimin elektronik të automjeteve të dala jashtë përdorimit. Certifikata e shkatërrimit do të lëshohet vetëm nga operatori i autorizuar i trajtimit dhe do të pajiset me një kod serial unik, të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Operatori duhet të njoftojë elektronikisht strukturën përgjegjëse për shërbimet e transportit rrugor brenda pesë ditëve pune nga lëshimi i certifikatës. Çregjistrimi i përhershëm i automjetit do të kryhet vetëm pas paraqitjes së këtij dokumenti, ndërsa pronari duhet të dorëzojë kërkesën dhe dokumentacionin sipas afateve të legjislacionit rrugor.
Për automjetet e dorëzuara drejtpërdrejt te operatori i autorizuar, certifikata lëshohet në momentin e marrjes në dorëzim. Kur mjeti dorëzohet fillimisht te një grumbullues apo subjekt tjetër i sistemit, certifikata lëshohet pasi automjeti të ketë mbërritur dhe të jetë regjistruar në vendin e trajtimit./ekofin.al
