Kufizimet e lëvizjes dhe devijimet e linjave po rëndojnë aktivitetin e transportit urban dhe interurban, si pasojë e protestave të ditëve të fundit. Dashnor Mema, kreu i shoqatës së transportit urban dhe interurban, i tha ekofin.al se operatorët po përballen me humbje, ndërsa presin koordinimin me Bashkinë e Tiranës për kilometrat e përshkuar dhe kompensimin përkatës.
Ditët e protestave masive, të shoqëruara me bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit, po sjellin vështirësi edhe për sektorin e transportit urban dhe interurban. Ndërsa lëvizja e qytetarëve ndikohet nga zhvillimet në terren, operatorët e transportit duhet të përballojnë kostot e aktivitetit, edhe në kushtet kur shërbimi ndërpritet përkohësisht, devijohet apo nuk mund të funksionojë sipas itinerarit të zakonshëm.
Për kompanitë e transportit, vështirësia nuk lidhet vetëm me organizimin e linjave dhe garantimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Çdo kufizim i qarkullimit përkthehet edhe në kosto financiare, pasi pagat e punonjësve, siguracionet dhe shpenzimet e tjera operative vijojnë të jenë detyrime të pashmangshme.
Mema thotë se operatorët po përshtatin aktivitetin në varësi të situatës, por pasojat ekonomike të bllokimeve mbeten të ndjeshme.
“Herë pas here kemi pezullime, devijime, në varësi të situatës. Operojmë me kapacitet të plotë.
Rrjedhimisht, në këtë situatë protestash nuk kemi shumë çfarë të themi, por transporti është në humbje, sepse edhe kur nuk ka qarkullim, normalisht pagat, siguracionet dhe shpenzimet e tjera janë kryer”, thekson Mema.
Sipas tij, pamundësia për të zhvilluar aktivitetin në kushte normale krijon një mospërputhje mes kostove që operatorët duhet të përballojnë dhe shërbimit që arrijnë të ofrojnë. Edhe kur autobusët pezullojnë përkohësisht lëvizjen apo detyrohen të ndjekin itinerare alternative, detyrimet financiare të kompanive nuk pezullohen.
Në pritje të koordinimit me Bashkinë e Tiranës
Një tjetër çështje që mbetet për t’u zgjidhur lidhet me koordinimin e kilometrave të përshkuar, mbi bazën e të cilëve llogaritet edhe kompensimi për transportin urban në kryeqytet.
Mema bën të ditur se shoqata u është drejtuar zyrtarisht institucioneve vendore, duke kërkuar koordinimin e nevojshëm me Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, sektori është në pritje të një përgjigjeje dhe të përcaktimit të mëtejshëm të procedurave.
“I kemi bërë shkresa zyrtare Bashkisë së Tiranës, në pritje të koordinimit të kilometrave, pasi në varësi të tyre merret edhe kompensimi nga Bashkia e Tiranës për transportin urban, vetëm në qytetin e Tiranës”, shprehet ai.
Koordinimi i kilometrave merr rëndësi të veçantë në kushtet kur devijimet dhe pezullimet e përkohshme mund të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të linjave. Për operatorët, qartësimi i këtij procesi është i rëndësishëm për të kuptuar se si do të trajtohen financiarisht pasojat e situatave që pengojnë ushtrimin normal të aktivitetit.
Më të ekspozuara linjat drejt Vorës dhe Kamzës
Sipas kreut të shoqatës, vështirësitë paraqiten më të theksuara për disa prej linjave që lidhin Tiranën me zonat përreth, veçanërisht ato drejt Vorës dhe Kamzës.
Linjat ndërurbane dhe ato që lidhin kryeqytetin me zonat e banuara përreth janë të rëndësishme për lëvizjen e përditshme të qytetarëve. Për këtë arsye, kufizimet në rrugë dhe ndryshimet në itinerare mund të krijojnë vështirësi si për operatorët, ashtu edhe për pasagjerët që mbështeten te këto shërbime.
“Linjat Tiranë–Vorë apo Tiranë–Kamëz e kanë më problematike. Të shikojmë tani se si do të marrin situatat”, thotë Mema.
Një sektor mes detyrimit për të shërbyer dhe kostove të aktivitetit
Situata nxjerr në pah një problem që shkon përtej vështirësive të përkohshme të qarkullimit: ndikimin financiar që ndërprerjet e aktivitetit kanë mbi operatorët e transportit publik. Ndërsa protestat dhe masat e menaxhimit të trafikut mund të sjellin ndryshime të pashmangshme në funksionimin e linjave, kostot e përditshme të shërbimit mbeten një barrë për kompanitë. Kjo ndërkohë që për kompanitë janë rritur tashmë kostot, me rritjen e çmimit të naftës. /ekofin.al
