Tregu i sigurimeve ka vijuar të zgjerohet gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, por me një ritëm dukshëm më të ngadaltë të rritjes së të ardhurave nga primet krahasuar me dëmet e paguara. Sipas të dhënave të AMF, primet e shkruara bruto u rritën me vetëm 1.94%, ndërsa dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit shënuan një rritje prej 8.29%, ose mbi katër herë më të shpejtë.
Në total, gjatë periudhës janar–shtator 2026, primet e shkruara bruto arritën në 20.57 miliardë lekë, ndërsa kompanitë e sigurimit paguan 6.69 miliardë lekë për dëmet e mbuluara nga kontratat e sigurimit.
Të dhënat tregojnë se, ndërsa tregu vijon të zgjerohet në numër kontratash, rritja e volumit të aktivitetit nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm të rritjes së primeve. Numri i kontratave të lidhura u rrit me 6.80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i dëmeve të paguara u shtua me 6.05%.
Struktura e tregut shqiptar të sigurimeve vijon të dominohet nga segmenti Jo-Jetë, i cili përfaqëson 91.32% të totalit të primeve të shkruara bruto.
Gjatë nëntëmujorit, primet në këtë segment arritën në 18.79 miliardë lekë, me një rritje prej 1.53% në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërkohë, dëmet e paguara bruto në sigurimet Jo-Jetë arritën në 6.22 miliardë lekë, duke u rritur me 9.99%.
Pjesën më të madhe të aktivitetit e zënë sigurimet e detyrueshme motorike, të cilat përfaqësojnë 68.93% të tregut Jo-Jetë.
Primet e shkruara bruto në këtë kategori arritën në 12.95 miliardë lekë, me një rritje prej 3.83%, ndërsa dëmet e paguara u rritën me 10.56%, duke arritur në 4.40 miliardë lekë.
Kjo do të thotë se rreth 66% e të gjitha dëmeve të paguara nga tregu i sigurimeve gjatë nëntëmujorit lidhen me sigurimet e detyrueshme motorike.
Numri i kontratave të këtyre produkteve u rrit me 3.98%, ndërsa numri i dëmeve të paguara me 4.54%.
Sipas AMF-së, një ndër faktorët që vijon të ndikojë zhvillimet në tregun e sigurimeve motorike është zbatimi i faktorit të riskut që lidhet me historikun e dëmeve, i parashikuar në rregulloren nr. 156, të datës 19 shtator 2024.
Ky mekanizëm merr në konsideratë historikun e dëmeve në përcaktimin e primit të sigurimit, duke lidhur çmimin e policës me profilin e riskut.
Ndërkohë, sigurimi kufitar ka regjistruar rënie, e lidhur me lehtësimin e lëvizjes së automjeteve drejt vendeve kufitare anëtare të CEFTA-s.
Produkti i Kartonit Jeshil ka shfaqur një ecuri pothuajse të qëndrueshme, me një rritje të lehtë të primeve, pavarësisht rënies së numrit të kontratave.
Ndryshe nga sigurimet e detyrueshme motorike, segmenti i sigurimeve vullnetare Jo-Jetë ka regjistruar tkurrje të të ardhurave nga primet.
Sipas AMF-së, primet e shkruara bruto në këtë kategori arritën në 5.84 miliardë lekë, me një rënie prej 3.22% krahasuar me periudhën janar–shtator 2025.
Ndërkohë, dëmet e paguara në sigurimet vullnetare Jo-Jetë arritën në 1.82 miliardë lekë, me një rritje prej 8.66%.
Segmenti i sigurimeve të Jetës ka vijuar të shfaqë një ecuri pozitive, megjithëse pesha e tij në treg mbetet relativisht e ulët.
Primet e shkruara bruto arritën në 1.78 miliardë lekë, duke u rritur me 6.79% krahasuar me nëntëmujorin e vitit të kaluar.
Sigurimet e Jetës përfaqësojnë vetëm 8.67% të tregut të përgjithshëm të sigurimeve në Shqipëri.
Numri i kontratave në këtë segment u rrit me 6.74%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 280 milionë lekë, me një rritje prej 7.78%.
Një zhvillim i veçantë është rritja me 23.99% e numrit të dëmeve të paguara, një ritëm dukshëm më i lartë se rritja e vlerës së përgjithshme të pagesave.
Sipas AMF-së, zhvillimet në primet e sigurimit të Jetës lidhen kryesisht me produktet e lidhura me kreditimin dhe kontratat e sigurimit në grup.
Ndërsa rritja e numrit të dëmeve të paguara është ndikuar kryesisht nga kontratat e produktit Flexi Plan. /ekofin.al
