Aksionarët e shoqërive tregtare do të detyrohen të kthejnë fitimet ose pagesat e përfituara në kundërshtim me kufizimet ligjore, ndërsa drejtuesit mund të mbajnë përgjegjësi solidare për dëmin e shkaktuar.
Sipas ndryshimeve të propozuara në ligjin nr. 9901, një shoqëri nuk mund të shpërndajë fitime apo të kryejë pagesa të tjera në favor të aksionarëve, nëse pasuria neto e saj është ose bëhet, pas shpërndarjes, më e ulët se shuma e kapitalit të regjistruar dhe rezervave që nuk lejohen të shpërndahen.
Ky kufizim synon të parandalojë shpërndarjen e fondeve në rastet kur ajo cenon nivelin e kapitalit dhe rezervave që duhet të ruhen nga shoqëria.
Ndryshe nga dispozitat e mëparshme, projektligji përcakton në mënyrë të veçantë detyrimin për kthimin e pagesave të paautorizuara dhe përgjegjësinë e organeve drejtuese që kanë lejuar kryerjen e tyre.
Nëse një aksionar ka marrë pagesa në kundërshtim me ligjin, statutin ose vendimet e organeve të shoqërisë, ai duhet t’ia kthejë shumën e përfituar kompanisë.
Megjithatë, projektligji parashikon një përjashtim: aksionari mund ta mbajë shumën vetëm nëse ka vepruar me mirëbesim dhe pagesa nuk është e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të shoqërisë ndaj kreditorëve. Të dyja kushtet duhet të plotësohen.
Përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te aksionarët. Anëtarët e organeve drejtuese që, me faj ose për shkak të mosushtrimit të detyrave të tyre, kanë lejuar pagesa të paautorizuara do të përgjigjen solidarisht ndaj shoqërisë për dëmin e shkaktuar.
Kjo përgjegjësi përfshin edhe shumat që kompania nuk ka arritur t’i rikuperojë nga aksionarët përfitues.
Projektligji vendos një afat parashkrimi prej pesë vjetësh nga data e pagesës për kërkesat e kthimit të fitimeve të shpërndara në mënyrë të paautorizuar. Përjashtim bëjnë rastet kur shoqëria provon se përfituesi ishte në dijeni të paligjshmërisë së pagesës.
Ndryshimet parashikojnë edhe krijimin e një rezerve të veçantë, të pashpërndashme, kur shoqëria zotëron aksione të veta përmes një personi tjetër që vepron në emër të saj. Kjo rezervë duhet të jetë e barabartë me vlerën kontabël të aksioneve përkatëse dhe nuk mund të përdoret për shpërndarje dividendësh apo rritje kapitali.
Dispozitat e reja synojnë të forcojnë mbrojtjen e kapitalit dhe interesave të kreditorëve, duke përcaktuar më qartë kushtet në të cilat mund të shpërndahen fitimet dhe përgjegjësinë për pagesat e kryera në kundërshtim me ligjin./ekofin.al
