Shitja dhe transferimi me kontratë i kuotave të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar (SHPK) dhe aksioneve të shoqërive aksionare (SHA) do të kërkojë detyrimisht akt noterial. Ndryshimi parashikohet në projektligjin e ri për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, të miratuar së fundmi nga qeveria, i cili e kthen noterizimin në kusht për vlefshmërinë e kontratës, ndryshe nga rregullat aktuale.
Sipas ligjit ekzistues nr. 9901, kalimi i kuotave dhe aksioneve mund të realizohet me kontratë me shkrim, ndërsa noterizimi nuk përbën kusht për vlefshmërinë e saj. Projektligji i miratuar dje ndryshon nenet 73 dhe 117, duke përcaktuar shprehimisht se kontrata duhet të lidhet me akt noterial.
Në praktikë, kjo do të thotë se marrëveshja private me shkrim nuk do të jetë më e mjaftueshme për transferimin me kontratë të kuotave ose aksioneve, në rast se ndryshimet miratohen. Palët do të duhet të kryejnë edhe procedurën noteriale, e cila sjell formalitete dhe kosto shtesë për transaksionet e pronësisë së bizneseve.
Ndërkohë, projektligji ruan parimin se momenti i kalimit të pronësisë, pagesa e çmimit dhe kushtet e tjera të transferimit përcaktohen nga marrëveshja ndërmjet palëve.
Gjithashtu, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe ose palët bien dakord në kontratë, vlefshmëria e kalimit të pronësisë nuk kushtëzohet nga formalitetet me karakter deklarativ, përfshirë regjistrimin apo publikimin e kontratës.

Për aksionet, projektligji parashikon edhe njohjen e transaksioneve elektronike si transaksione të kryera në formë shkresore, sipas legjislacionit që rregullon tregjet e kapitalit.
Ndryshimi prek një nga procedurat bazë të veprimtarisë së shoqërive tregtare, pasi kalimi i kuotave përdoret jo vetëm në shitblerjen e bizneseve, por edhe në ndryshimin e strukturës së ortakërisë dhe hyrjen e investitorëve të rinj.
Në këtë mënyrë, detyrimi për akt noterial do të shtojë një kërkesë ligjore për këto transaksione, ndërsa kushtet ekonomike të shitjes dhe momenti i transferimit do të vijojnë të përcaktohen nga palët, brenda kufijve të ligjit. /ekofin.al
