Shoqata ProEksport Albania i ka paraqitur Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit një paketë propozimesh për Paketën Fiskale 2027, me fokus lehtësimin e barrës tatimore mbi pagat dhe mbështetjen e industrisë prodhuese e eksportuese, veçanërisht sektorëve të veshjeve dhe këpucëve.
Në shkresën drejtuar institucioneve përgjegjëse, shoqata argumenton se rritja e kostos së jetesës, mungesa e fuqisë punëtore dhe shtrenjtimi i kostove të prodhimit po ushtrojnë presion mbi bizneset, duke kërkuar masa konkrete për ruajtjen e vendeve të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.
Një nga kërkesat kryesore të ProEksport Albania është rritja e pragut të patatueshëm të pagës në 60,000 lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit, me zbatim nga 1 janari 2027.
Sipas propozimit, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi do të llogaritej vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon këtë prag.
Shoqata vlerëson se kjo masë do të rriste pagën neto të punonjësve dhe fuqinë e tyre blerëse, ndërsa do të ndihmonte bizneset të ruanin punësimin formal në një periudhë kur gjetja dhe mbajtja e punonjësve po bëhet gjithnjë e më sfiduese.
Propozimi synon gjithashtu të lehtësojë presionin mbi sektorët prodhues, ku kostot e punës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë e kompanive për të konkurruar në tregjet e huaja.
ProEksport Albania kërkon që Paketa Fiskale 2027 të mos kufizohet vetëm te ndryshimet në tatimin mbi pagat, por të përfshijë edhe instrumente të posaçme për mbështetjen e industrisë prodhuese dhe eksportuese.
Shoqata evidenton forcimin e vazhdueshëm të lekut ndaj euros dhe rritjen e kostove të prodhimit si faktorë që kanë dobësuar konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare.
Sipas saj, investimet e ndërmarrjeve në teknologji, automatizim dhe rritjen e produktivitetit nuk mjaftojnë për të kompensuar presionin e krijuar nga këta faktorë.
Për këtë arsye, kërkohet përfshirja e granteve për investime produktive, lehtësive tatimore dhe instrumenteve financiare që do të ndihmonin kompanitë të modernizojnë proceset e prodhimit dhe të rrisin konkurrueshmërinë.
Një tjetër kërkesë lidhet me programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, për të cilin shoqata propozon rishikimin e kritereve dhe thjeshtimin e procedurave bankare.
Sipas ProEksport Albania, kërkesat dhe procedurat aktuale vazhdojnë të krijojnë pengesa për shumë ndërmarrje që synojnë të përfitojnë financim.
Thjeshtimi i këtyre procedurave shihet si një hap i nevojshëm për të përmirësuar aksesin e bizneseve në kapital dhe për të nxitur investimet në kapacitete prodhuese, teknologji dhe zhvillim. /ekofin.al
