Është publikuar në Fletore Zyrtare rregullorja e re e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që përcakton kërkesat për regjistrimin, miratimin dhe funksionimin e stabilimenteve që mbajnë kafshë, si dhe rregullat për identifikimin dhe gjurmueshmërinë e tyre. Akti përfshin fermat blegtorale, qendrat e grumbullimit të kafshëve, stabilimentet e shpendëve, inkubatorët për çeljen e vezëve dhe një sërë aktivitetesh të tjera që lidhen me mbajtjen dhe transportimin e kafshëve.
Në dokument parashikohen se efektet e Urdhrit do të nisin nga data 11 korrik 2027, duke u lënë operatorëve dhe institucioneve përgjegjëse kohë për t’u përgatitur për zbatimin e kërkesave të reja. Ndryshimet synojnë forcimin e kontrollit veterinar, përmirësimin e biosigurisë dhe krijimin e një sistemi më të plotë të gjurmueshmërisë së kafshëve, nga stabilimenti i origjinës deri në destinacionin e tyre, thekson Ministria e Bujqësisë.
Rregullorja përdor konceptin e stabilimentit për objektet dhe mjediset ku mbahen kafshë ose zhvillohen veprimtari të lidhura me to, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shëndetin e kafshëve.
Në këtë kategori përfshihen fermat që mbajnë gjedhë, dele, dhi, derra dhe kuaj, stabilimentet e shpendëve, qendrat e grumbullimit, vendet e çeljes së vezëve, strukturat e karantinës dhe strehimit të kafshëve, si dhe stabilimentet e mbyllura.
Dispozita të veçanta parashikohen edhe për qendrat e grumbullimit dhe strehimit të qenve, maceve dhe nuselaleve, transportuesit e kafshëve, aktivitetet e bletarisë dhe cirqet udhëtuese.
Rregullorja përcakton kërkesa të diferencuara sipas llojit të aktivitetit, kategorisë së kafshëve dhe rrezikut që mund të paraqesë veprimtaria për shëndetin e tyre.
Një nga elementet kryesore të kuadrit të ri është përcaktimi i kërkesave për regjistrimin dhe miratimin e stabilimenteve.
Për kategori të caktuara, veçanërisht qendrat e grumbullimit të kafshëve dhe shpendëve, vendet e çeljes së vezëve dhe strukturat që kryejnë lëvizje të kafshëve ndërmjet vendeve, parashikohen kërkesa specifike për miratimin nga autoriteti kompetent.
Miratimi lidhet me përmbushjen e kushteve për izolimin, biosigurinë, strukturat dhe pajisjet, personelin, si dhe mbikëqyrjen veterinare.
Kjo do të thotë se për operatorët që i nënshtrohen procedurës së miratimit, vetëm ekzistenca fizike e një objekti nuk mjafton. Stabilimenti duhet të plotësojë kërkesat përkatëse teknike dhe veterinare.
Megjithatë, rregullorja parashikon edhe përjashtime nga detyrimi për të aplikuar për miratim për disa kategori të caktuara stabilimentesh, sipas kushteve të përcaktuara në akt.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me detyrimet për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve.
Operatorët e stabilimenteve të regjistruara ose të miratuara duhet të mbajnë informacion për kafshët që ndodhen në objektet e tyre, duke përfshirë kodet e identifikimit, kur ato kërkohen, dhe të dhënat mbi origjinën e destinacionin.
Në rastet kur kafshët transferohen nga një stabiliment në tjetrin, dokumentacioni duhet të mundësojë identifikimin e vendit nga kanë ardhur dhe të vendit ku janë dërguar.
Për këtë qëllim, rregullorja parashikon përdorimin e numrave unikë të regjistrimit ose miratimit të stabilimenteve.
Për kategori të ndryshme kafshësh përcaktohen edhe mjetet e identifikimit, përfshirë matrikujt konvencionalë dhe elektronikë, sipas kërkesave specifike.
Këto masa synojnë të mundësojnë gjurmimin e lëvizjes së kafshëve dhe identifikimin më të shpejtë të origjinës së tyre në rast të shfaqjes së sëmundjeve.
Rregullorja vendos kërkesa të posaçme për stabilimentet që grumbullojnë kafshë, mbajnë shpendë, kryejnë karantinimin apo zhvillojnë veprimtari të tjera që kërkojnë miratim.
Këto kërkesa përfshijnë kushtet e izolimit, masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve, organizimin e ambienteve, pajisjet e nevojshme dhe mbikëqyrjen veterinare.
Rëndësi e veçantë i kushtohet strukturave ku grumbullohen kafshë nga origjina të ndryshme, pasi përqendrimi i tyre mund të rrisë rrezikun e transmetimit të sëmundjeve.
Për stabilimentet e karantinës dhe strukturat e mbyllura parashikohen kërkesa të veçanta për kontrollin, izolimin dhe mbikëqyrjen nga veterineri.
Kuadri i ri rregullon gjithashtu veprimtarinë e stabilimenteve që merren me çeljen e vezëve dhe lëvizjen e zogjve njëditorë.
Për këta operatorë përcaktohen kërkesa për miratimin e stabilimenteve, kushtet e biosigurisë, mbajtjen e regjistrimeve dhe gjurmueshmërinë e vezëve për çelje.
Qëllimi është që origjina dhe lëvizja e vezëve dhe e shpendëve të mund të ndiqen përgjatë zinxhirit të prodhimit dhe shpërndarjes.
Rregullorja përfshin edhe transportuesit e kafshëve, duke përcaktuar kërkesa për regjistrimin dhe informacionin që duhet t’u paraqitet autoriteteve kompetente.
Transportuesit e qenve, maceve, nuselaleve dhe shpendëve, për veprimtaritë e mbuluara nga rregullorja, duhet të japin informacion mbi identitetin e operatorit, llojet e kafshëve, natyrën e transportit dhe mjetet që do të përdoren. /ekofin.al
