Në Paris, studentët protestojnë për shkak të mungesës së mësuesve, klasave të mbipopulluara dhe godinave shkollore që janë në gjendje të rënduar.
Në Spanjë, dëbimi nga banesa i 87-vjeçares Maricarmen Abascal — e cila ndërroi jetë më 7 tetor — u bë një pikënisje për protestat lidhur me çështjet e strehimit.
Në Tiranë, studentët iu bashkuan demonstratave më të gjera kundër kostove të arsimit dhe akuzave për korrupsion.
Këto nuk janë pjesë e një lëvizjeje të vetme dhe protestat nuk kanë një kauzë të përbashkët. Megjithatë, ato nxjerrin në pah një sfidë të përbashkët: a mund të shohin të rinjtë një rrugë të besueshme nga arsimimi drejt një pune dinjitoze, dhe nga varësia financiare drejt një jete të pavarur?
Francë: kushtet në shkolla përcaktojnë vijën e nisjes
Që nga shtatori, studentët francezë kanë protestuar për shkak të mungesës së mësuesve, klasave të mbipopulluara dhe godinave shkollore që janë në gjendje të rënduar. Kërkesat e tyre shkojnë përtej funksionimit të përditshëm të shkollave.
Ato gjithashtu shtrojnë një pyetje mbi mundësitë e barabarta: a mundet arsimi publik t’i ofrojë çdo nxënësi mjetet e nevojshme për të ecur përpara, pavarësisht se ku jetojnë apo çfarë mund të përballojë familja e tyre?
Të dhënat e përgjithshme ndihmojnë për të shpjeguar pse kjo pyetje është e rëndësishme.
Në vitin 2025, 25,5 për qind e personave të moshës 15–29 vjeç në Francë ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social, krahasuar me 24,2 për qind në të gjithë Bashkimin Evropian, sipas Eurostat-it.
Në gusht të vitit 2026, papunësia te personat nën moshën 25 vjeç ishte 20,6 për qind, ndërsa për popullatën në tërësi ishte 8,2 për qind. Shifrat përkatëse në Bashkimin Evropian ishin 15,4 për qind dhe 6,1 për qind.
Këto shifra nuk tregojnë se mangësitë në shkolla shkaktojnë papunësi te të rinjtë. Ato tregojnë se sa i vështirë mbetet kalimi nga arsimi në tregun e punës për shumë të rinj dhe pse shkollat me burime të mira janë thelbësore, veçanërisht në zonat ku mundësitë janë më të pakta.
Çështjet e strehimit mund ta bëjnë këtë tranzicion edhe më të vështirë. Në Paris, një në çdo dy qiramarrës në sektorin privat, të moshës nën 30 vjeç, shpenzon më shumë se 51 për qind të të ardhurave të tij për qiranë.
Një tregues i Eurostat-it gjithashtu tregon se 70 për qind e personave të moshës 20–24 vjeç dhe 25 për qind e atyre të moshës 25–29 vjeç, ose jetojnë me prindërit, ose varen financiarisht nga familja e tyre.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të organizatës “Transparency International”, Franca u vlerësua me 66 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur e 27-ta midis 182 vendeve.
Ky indeks mat perceptimet mbi korrupsionin në sektorin publik, e jo numrin e rasteve të vërtetuara. Ndonëse nuk shpjegon protestat në shkolla, ai thekson rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies kur bëhet fjalë për shërbimet dhe burimet publike.
Spanja: kur çështjet e strehimit pengojnë pavarësimin
Dëbimi i Abascal-it nga apartamenti në Madrid, ku ajo kishte jetuar për dekada të tëra, nxiti demonstrata në disa qytete spanjolle dhe solli kërkesa të reja për mbrojtje më të fortë të qiramarrësve.
Rasti i saj nuk ishte një protestë e të rinjve, por ai i dha një fytyrë njerëzore krizës së strehimit – një krizë që përcakton, ndër të tjera, nëse të rinjtë mund të largohen nga shtëpia dhe të ndërtojnë një jetë të pavarur.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës, në vitin 2025, 67,1 për qind e spanjollëve të moshës 18–34 vjeç jetonin me të paktën njërin nga prindërit.
Ndër ata që jetojnë me prindërit, 28,3 për qind deklaruan se nuk kishin mundësi financiare për të marrë një shtëpi me qira. Sipas Eurostat-it, mosha mesatare në të cilën të rinjtë largohen nga shtëpia është 30,2 vjeç, krahasuar me 26,3 vjeç në nivel të Bashkimit Evropian.
Presioni lidhur me strehimin nuk është një fenomen i izoluar. Në vitin 2025, 27,6 për qind e spanjollëve të moshës 15–29 vjeç ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social – një shifër kjo më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila qëndron në 24,2 për qind.
Në gusht të vitit 2026, papunësia te personat nën moshën 25 vjeç ishte 22,7 për qind, më shumë se dyfishi i normës së përgjithshme prej 10 për qind. Kur papunësia është kaq e lartë te të rinjtë dhe qiratë janë të papërballueshme për shumë prej tyre, vonesa në arritjen e pavarësisë nuk mund të shpjegohet thjesht si një preferencë personale.
Spanja mori 55 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, duke u renditur e 49-ta nga 182 vende. Ky rezultat nuk vërteton një lidhje të drejtpërdrejtë mes korrupsionit dhe protestave për çështjet e strehimit. Megjithatë, kur qytetarët kërkojnë masa konkrete në fushën e strehimit, transparenca mbi mënyrën se si merren vendimet – si dhe llogaridhënia për efektivitetin e tyre – bëhen pjesë e debatit.
Shqipëria: rritja nuk është e mjaftueshme nëse të rinjtë nuk shohin rrugë përpara
Në tetor, studentët në Tiranë protestuan kundër kostove të arsimit dhe akuzave për korrupsion, duke u bashkuar me një lëvizje më të gjerë antiqeveritare.
Pjesëmarrja e tyre solli arsimin dhe perspektivat e të rinjve në një debat më të gjerë rreth kostove të jetesës, punësimit dhe besimit në institucionet publike.
Shifrat zyrtare të Shqipërisë tregojnë se 19 përqind e popullsisë ishte në rrezik të varfërisë relative në vitin 2025, ndërsa 31.2 përqind përjetuan privim të rëndë material dhe social, sipas INSTAT.
Dy masat përshkruajnë aspekte të ndryshme të vështirësive: njëra krahason të ardhurat familjare me pragun kombëtar të varfërisë; tjetra kap pamundësinë e detyruar për të përballuar mallrat dhe aktivitetet bazë.
Të rinjtë gjithashtu përballen me një hyrje të vështirë në tregun e punës. Vlerësimet e Bankës Botërore të modeluara nga ILO e vendosin papunësinë e përgjithshme në 10.9 përqind në vitin 2025, duke u rritur në 25.6 përqind midis 15-24-vjeçarëve.
Mosha mesatare e vlerësuar e largimit nga familja prindërore dukej të ishte 30.9 vjeç, krahasuar me 26.3 në BE, sipas të dhënave të Eurostat. Së bashku, megjithatë, këta tregues përshkruajnë pengesat midis arsimit, punësimit dhe pavarësisë.
Shqipëria shënoi 39/100 dhe u rendit e 91-ta nga 182 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025. Masa nuk është një numërim i rasteve aktuale, por akuzat për korrupsion janë pjesë e vetë protestave.
Kjo e bën transparencën, llogaridhënien dhe besimin publik më shumë sesa parime abstrakte: ato formësojnë nëse njerëzit besojnë se institucionet u përgjigjen në mënyrë të drejtë shqetësimeve të tyre.
Pas statistikave
Pas statistikave qëndrojnë miliona të rinj që përpiqen t’i shndërrojnë ambiciet e tyre në realitet. Pengesat e përforcojnë njëra-tjetrën: shkollat me burime të pamjaftueshme mund të kufizojnë zgjedhjet, papunësia mund të vonojë pavarësinë financiare, ndërsa kostot e larta të strehimit mund të zgjasin varësinë nga familja.
Sipas Eurofound, në të gjithë Bashkimin Evropian, çmimet e banesave u rritën me 55,4 për qind dhe qiratë me 26,7 për qind midis viteve 2010 dhe 2024 – një rritje që shpesh tejkaloi atë të të ardhurave.
Kjo është arsyeja pse përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në një fushë të politikave. Ajo nënkupton shkolla me staf të mjaftueshëm dhe të mirëmbajtura, rrugë të qarta nga arsimimi drejt punësimit dinjitoz, banesa sociale dhe të përballueshme, ndihmë të synuar për qiranë, si dhe mbrojtje më të fortë për qiramarrësit.
Të rinjtë duhet gjithashtu të kenë një zë me peshë në politikat që formësojnë arsimimin, punësimin dhe strehimin e tyre.
Një shtet i fortë i mirëqenies dhe një mbrojtje sociale efektive mund të ndihmojnë që perspektivat e një të riu të mos përcaktohen vetëm nga të ardhurat e familjes apo vendlindja. Nëse një familje me të ardhura të ulëta nuk mund ta mbështesë të riun drejt pavarësisë, varësia financiare mund të kalojë nga një brez në tjetrin. Thyerja e këtij cikli është pjesë e ndërtimit të drejtësisë sociale dhe të shoqërive ku të rinjtë mund të planifikojnë të ardhmen me më shumë besim.
E ardhmja do të tregojë nëse protestat e sotme do të çojnë në politika afatgjata. Prova thelbësore do të jetë nëse të rinjtë mund të arsimohen, të gjejnë punë dinjitoze dhe të përballojnë një banesë, pa u kushtëzuar perspektivat e tyre nga rrethanat në të cilat kanë lindur. /euobserver
