Pandora ka hapur në Vietnam atë që e cilëson si fabrikën më të madhe në botë për prodhimin e bizhuterive të çmuara, duke zgjeruar kapacitetet e saj prodhuese dhe njëkohësisht duke synuar të zvogëlojë ndikimin në mjedis.
Fabrika, e vendosur në qytetin Ho Chi Minh, pritet të punësojë 7.000 persona kur të arrijë kapacitetin e plotë të funksionimit.
Ajo do të prodhojë deri në 60 milionë bizhuteri në vit, duke rritur me 50% kapacitetin prodhues të kompanisë daneze, sipas njoftimit për inaugurimin e saj.
Kjo është fabrika e katërt e Pandorës në nivel global dhe e para jashtë Tajlandës.
“Kjo na jep fleksibilitetin për të prodhuar të gjitha koleksionet tona, gamën e plotë të produkteve, duke përdorur të gjitha materialet dhe teknikat tona të prodhimit”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e Pandorës, Berta de Pablos-Barbier.
Prodhuesi danez i bizhuterive shiti 112 milionë produkte në vitin 2025, ekuivalente me më shumë se tri bizhuteri në çdo sekondë. Kompania e cilëson veten si markën më të madhe të bizhuterive në botë.
Rritje e prodhimit, ulje e emetimeve
Pandora ka investuar 150 milionë dollarë (132 milionë euro) në fabrikën e Vietnamit, e cila, sipas kompanisë, do të përdorë vetëm energji elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme.
Gjithashtu, që prej vitit 2024, kompania ka kaluar në përdorimin e arit dhe argjendit 100% të ricikluar në prodhimin e bizhuterive.
Ndërsa zgjeron kapacitetet prodhuese, de Pablos-Barbier deklaroi se Pandora do të vazhdojë të rritet “në mënyrë të qëndrueshme”.
Sipas ekspertëve, ari është veçanërisht i përshtatshëm për t’u ripërdorur vazhdimisht.
“Në shumë aspekte, ai është një material ideal për ekonominë qarkulluese. Nuk oksidohet. Kjo është arsyeja pse është kaq i vlefshëm”, tha Saleem H. Ali, studiues kryesor për mineralet kritike dhe tranzicionin gjithëpërfshirës energjetik në Universitetin e Kombeve të Bashkuara.
“Ne e kemi ende arin e egjiptianëve të lashtë në gjendje mjaft të mirë”, shtoi ai.
Megjithatë, përdorimi i metaleve të ricikluara kërkon energji. Procesi i rafinimit përfshin ngrohjen dhe ndarjen e metaleve nga materialet e tjera për të larguar papastërtitë.
Ambicia e Pandorës është ta zgjerojë përdorimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme përtej operacioneve të saj, duke përfshirë edhe furnitorët që marrin pjesë në prodhimin e bizhuterive.
Sfidat në një treg bizhuterish që po rritet
Shitjet e bizhuterive, të matura në numër produktesh, parashikohet të rriten me 4,1% në vit gjatë periudhës 2025–2028, një ritëm rreth katër herë më i lartë se ai i veshjeve, sipas raportit The State of Fashion 2026, të publikuar nga McKinsey dhe The Business of Fashion.
Rritja e Pandorës, nga një dyqan i vogël bizhuterish në Kopenhagë, i themeluar në vitin 1982, u mbështet te prodhimi në Tajlandë, i cili nisi në vitin 1989.
Byzylyku i saj i njohur me varëse dekorative (charm bracelet), i hedhur në treg në vitin 2000, nxiti zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë, përpara listimit të saj në bursën e Kopenhagës në vitin 2010.
Megjithatë, rritja e tregut të bizhuterive nuk garanton një rrugë të lehtë për Pandorën.
Në rezultatet financiare të gushtit 2026, kompania paralajmëroi se tarifat doganore amerikane për importet do të vazhdojnë të rëndojnë mbi përfitueshmërinë e saj.
Këto tarifa ndikojnë në shitjet drejt Shteteve të Bashkuara, tregu më i madh i Pandorës, ku inflacioni dhe pasiguria ekonomike po ushtrojnë gjithashtu presion mbi kërkesën për bizhuteritë e kompanisë.
Edhe konfliktet e mëparshme të punës kanë ngritur pikëpyetje mbi kushtet e punës në fabrikat e saj.
Media investigative daneze Danwatch raportoi në vitin 2020 se një gjykatë e punës në Tajlandë kishte vendosur në maj 2019 se aktiviteti sindikal kishte ndikuar në largimin nga puna të disa punonjësve në fabrikën e Pandorës në Bangkok.
Pandora deklaroi se shkurtimet e vendeve të punës kishin ardhur si rezultat i ristrukturimit dhe vlerësimit të performancës së punonjësve.
Ndërsa zgjeron aktivitetin në Vietnam, mbetet për t’u parë nëse Pandora do të arrijë të rrisë prodhimin, duke ulur njëkohësisht emetimet dhe duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të punonjësve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
