Në Tiranë, u mbajt për herë të parë konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën. Takimi u zhvillua me organizimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale dhe në të ishte i pranishëm Kryeministri Rama.
Në fjalën e mbajtur, Komisioneri Besnik Dervishi u ndal te rëndësia që ka e drejta e informimit dhe garantimi i transparencës. “Më duhet të theksoj se shoqëria civile, media, bota akademike apo të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës me kontributin e vazhdueshëm të tyre,” theksoi Dervishi.
Në ndonjë rast çështje apo kërkesa të ndryshme ngjallin edhe debate të ndezura mes nesh, por ne Komisionerët shpesh përpiqemi të vendosim ekuilibrat e duhur në respekt të të drejtave të njeriut.
Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë, apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ne duhet të mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të nxitur transparencën e autoriteteve publike duke respektuar ndërkohë kuadrin ligjor dhe parimet etike, – veçoi më tej Komisioneri Besnik Dervishi në fjalën e tij.
