Rritja e çmimeve në Shqipëri pritet të përshpejtohet gjatë vitit 2026, por inflacioni do të mbetet më i ulët se në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që inflacioni mesatar vjetor në Shqipëri të arrijë në 3.2% këtë vit, nga 2.2% në vitin 2025, duke u rritur me 1 pikë përqindjeje.
Sipas raportit të tetorit 2026 për perspektivën ekonomike të Europës, inflacioni në Shqipëri pritet të mbetet në 3.2% edhe gjatë vitit 2027, përpara se të ulet në 3% në vitin 2028.
Megjithëse ritmi i rritjes së çmimeve po përshpejtohet, Shqipëria vijon të paraqitet me një nivel relativisht të moderuar të inflacionit në krahasim me ekonomitë e tjera të rajonit.
Në vitin 2026, vetëm Serbia pritet të ketë një inflacion pak më të ulët se Shqipëria, me 3.1%. Mali i Zi parashikohet të regjistrojë inflacion 3.5%, Maqedonia e Veriut 4%, Bosnja-Hercegovina 5%, ndërsa Kosova 6.8%.
Kështu, diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës, vendit me inflacionin më të lartë të parashikuar në rajon, arrin në 3.6 pikë përqindjeje.
Shqipëria pritet të ketë inflacionin më të ulët në rajon në 2027
Për vitin 2027, FMN parashikon që Shqipëria të ketë normën më të ulët të inflacionit mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Me një nivel të parashikuar prej 3.2%, Shqipëria qëndron poshtë Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku inflacioni pritet të jetë 3.3%. Në Serbi parashikohet 4.2%, ndërsa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nga 4.5%.
Mesatarja e inflacionit për vendet e Europës Juglindore jashtë BE-së parashikohet në 3.8% për vitin 2026 dhe 3.9% për vitin 2027.
Kjo tregon se, megjithëse presionet mbi çmimet do të jenë më të forta se vitin e kaluar, ekonomia shqiptare pritet të përjetojë një rritje më të moderuar të çmimeve sesa mesatarja e rajonit.
FMN ul me 0.2 pikë përqindjeje parashikimin për këtë vit
Një zhvillim tjetër në raport është rishikimi i parashikimeve të inflacionit krahasuar me muajin prill.
Në raportin e prillit 2026, FMN parashikonte inflacion prej 3.4% për Shqipërinë gjatë vitit aktual. Në vlerësimin e tetorit, parashikimi është ulur në 3.2%, një reduktim prej 0.2 pikë përqindjeje.
Ndërsa për vitin 2027, parashikimi është rritur lehtë, nga 3.1% në 3.2%. Për vitin 2028 mbetet i pandryshuar në 3%.
Këto rishikime tregojnë një profil disi më të moderuar të rritjes së çmimeve gjatë vitit aktual, por edhe pritshmërinë që inflacioni të qëndrojë mbi nivelin 3% për dy vitet e ardhshme.
Norma bazë e interesit pa ndryshim në periudhën e analizuar
Raporti përmban edhe një krahasim të zhvillimeve të politikës monetare në vendet europiane.
Sipas të dhënave të FMN-së, Shqipëria nuk ka regjistruar ndryshim të normës bazë të interesit nga 27 shkurti deri më 1 tetor 2026, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe.
Në nivel europian, FMN evidenton se çmimet e larta të energjisë dhe presionet e brendshme, përfshirë rritjen e pagave në disa ekonomi, mund ta vështirësojnë uljen e inflacionit.
Fondi thekson nevojën që politikat monetare të mbeten të kujdesshme ndaj zgjerimit të presioneve mbi çmimet.
Për Shqipërinë, parashikimi i inflacionit prej 3.2% për dy vite radhazi sugjeron se normalizimi i çmimeve do të jetë gradual, edhe pse presioni inflacionist pritet të mbetet më i kufizuar se në shumicën e vendeve të rajonit./ekofin.al

