Në 40 nga 51 raste ku Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) kreu analiza laboratorike mbi mostra të marra në instalime me ndikim në mjedis, rezultatet treguan tejkalim të normave të lejuara, megjithatë këto gjetje nuk rezultojnë të jenë përdorur nga institucioni për nisjen e inspektimeve mbi bazë indiciesh.
Në raportin e auditimit, KLSH vëren se, në terma relativë, tejkalime janë konstatuar në rreth 78% të rasteve të analizuara, një tregues që lidhet me dobësitë në koordinimin mes laboratorit dhe strukturave të kontrollit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se AKM nuk kishte një mekanizëm sistematik për të kaluar rezultatet problematike të laboratorit te inspektorët. Sipas auditimit, vetëm në 11 raste ndjekja kishte ardhur me kërkesë të Agjencive Rajonale të Mjedisit, ndërsa nuk kishte informim të rregullt të strukturave inspektuese mbi rezultatet e analizave.
Kjo mangësi krijon një shkëputje mes dy hallkave që duhet të funksionojnë së bashku: laboratorit, që identifikon tejkalimin e parametrave, dhe inspektimit, që duhet të verifikojë shkeljen në terren dhe, kur është rasti, të vendosë masat përkatëse, thekson raporti.
Nga auditimi wshtw konstatuar gjithashtu dhe një rast konkret ku problemi shkoi më tej. Për një subjekt të anonimizuar në raport si “N”, tri mostra laboratorike evidentuan tejkalime të konsiderueshme të parametrave ndotës sipas normave për trajtimin e ujërave të ndotura. Megjithatë, masa e vendosur ishte vetëm “paralajmërim”. KLSH vlerëson se kjo ishte në kundërshtim me dispozitat përkatëse të ligjit për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura.

Sipas raportit, mungesa e ndjekjes ka bërë që rastet e ndotjes së evidentuar të mos trajtoheshin në kohë dhe në mënyrë të plotë, duke dobësuar si funksionin parandalues, ashtu edhe atë ndëshkues të inspektimit mjedisor.
KLSH rekomandon që rezultatet laboratorike të përdoren si bazë për inicimin e kontrolleve dhe që rastet me tejkalime të ndiqen me verifikime në terren dhe masa administrative sipas rëndësisë së shkeljes./ekofin.al
