Shqiptarët rezultojnë ndër përdoruesit më aktivë të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor, por përdorimi i disa shërbimeve bazë online, veçanërisht banking-ut, mbetet dukshëm nën mesataren rajonale. Sipas Barometrit të Ballkanit 2025, 32% e shqiptarëve deklarojnë se përdorin mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT ose aplikacione të ngjashme, ndërsa pyetjes së veçantë për shërbimet e përdorura gjatë 12 muajve të fundit, 39% thonë se nuk kanë përdorur asnjë nga shërbimet digjitale të listuara.
Vetëm 26% e shqiptarëve kanë përdorur banking online gjatë 12 muajve të fundit, kundrejt 37% mesatarisht në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është kështu 11 pikë përqindjeje nën mesataren rajonale dhe shumë larg vendeve me përdorimin më të lartë: Maqedonia e Veriut arrin 49%, Bosnjë-Hercegovina 46% dhe Serbia 42%.
Situata ndryshon te shërbimet e qeverisjes elektronike. 29% e shqiptarëve deklarojnë se kanë përdorur e-government, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 21%. Shqipëria rezulton kështu më aktive në këtë kategori sesa shumica e rajonit, ndonëse Kosova ka vetëm 5%, ndërsa Maqedonia e Veriut arrin 27%.
Blerjet online përdoren nga 40% e shqiptarëve, pak më pak se mesatarja rajonale prej 44%. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova regjistrojnë nga 54% dhe 49%, ndërsa Shqipëria qëndron afër mesit të rajonit. Më i ulët është përdorimi i shërbimeve të transmetimit të videove, si Netflix: vetëm 20% në Shqipëri, kundrejt 32% në Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën pyetje, 27% e shqiptarëve deklarojnë se gjatë 12 muajve të fundit kanë përdorur mjete AI si ChatGPT, shumë pranë mesatares rajonale prej 26%. Por kur u pyetën drejtpërdrejt nëse qytetarët përdorin AI, përqindja për Shqipërinë rritet në 32%. Këto dy shifra nuk janë kontradiktore: pyetjet kanë formulim të ndryshëm. E para kërkon cilat shërbime janë përdorur gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa e dyta pyet drejtpërdrejt nëse personi përdor mjete AI.
Në këtë matje të dytë, 32% e shqiptarëve janë përdorues të AI dhe 68% nuk e përdorin atë. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 31% përdorues dhe 69% jopërdorues. Raporti e veçon Shqipërinë si ekonominë me adoptimin më të lartë sipas kësaj pyetjeje, ndërsa Maqedonia e Veriut ka nivelin më të ulët, me 23%.
Edhe frekuenca e përdorimit tregon se për një pjesë të shqiptarëve AI është kthyer në një mjet relativisht të zakonshëm. 9% e të gjithë të anketuarve e përdorin disa herë në ditë, ndërsa 15% e përdorin në disa ditë. Një tjetër 3% raportojnë përdorim javor, 2% një herë në disa javë dhe 3% rrallë. Pjesa më e madhe, 68%, deklarojnë se nuk e përdorin kurrë.
Nga ana tjetër, raporti vë në dukje një boshllëk të dukshëm në përfshirjen digjitale. 39% e shqiptarëve thonë se nuk kanë përdorur asnjë nga shërbimet digjitale të listuara gjatë 12 muajve të fundit, kundrejt 32% mesatarisht në BP. Vetëm Kosova ka një nivel pak më të lartë, me 40%. Në Bosnjë-Hercegovinë kjo përqindje është 31%, në Mal të Zi 24%, në Maqedoninë e Veriut 32% dhe në Serbi 26%.
Ky rezultat nuk do të thotë se 39% e shqiptarëve nuk përdorin internetin. Pyetja u referohet vetëm shërbimeve të listuara në anketë: banking-ut online, e-government, videot, blerjeve online dhe mjeteve AI. Të dhënat për kohën e kaluar në internet tregojnë në fakt se vetëm 12% e shqiptarëve deklarojnë se nuk e përdorin internetin, ndërsa 37% kalojnë 2–3 orë në ditë online, 27% deri në një orë, 16% 4–5 orë dhe 7% gjashtë orë ose më shumë./ekofin.al

