Policia përdori gaz lotsjellës dhe u përlesh me protestuesit në disa qytete të Francës të shtunën, ndërsa mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar koston e lartë të jetesës dhe gjendjen e shërbimeve publike. Demonstratat u shoqëruan me disa nga incidentet më të dhunshme të viteve të fundit.
Autoritetet franceze njoftuan se deri në mesditë ishin regjistruar 140 protesta me pjesëmarrjen e 32.800 personave jashtë Parisit. Ato fajësuan për trazirat grupimet që i cilësuan si pjesë të së majtës ekstreme.
Protestat nisën muajin e kaluar në shkollat e mesme të periferive të varfra veriore të Parisit, ku pakënaqësia për mungesën e mësuesve dhe kushtet e këqija të infrastrukturës shkollore u shndërrua gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër pabarazisë, politikave të shpenzimeve publike dhe përkeqësimit të standardit të jetesës.
Incidente të dhunshme u raportuan në disa qytete, përfshirë akte vandalizmi në Marsejë dhe sulme ndaj policisë, mediave dhe ndërtesave publike, sipas Ministrisë së Brendshme.
Në qendër të Parisit ishte vendosur një prani e madhe policore, veçanërisht pranë monumenteve dhe zonave të njohura, si Champs-Élysées dhe Harku i Triumfit, të cilat ishin përjashtuar nga itineraret e dy demonstratave të autorizuara.
Protestuesit, të veshur me jelekë me ngjyra të dukshme, bllokuan rrugët, duke rikthyer kujtimet e lëvizjes së Jelekverdhëve, e cila shënoi mandatin e mëparshëm presidencial të Emmanuel Macron.
Në Marsejë, kryebashkiaku njoftoi se ndërtesa e bashkisë ishte vandalizuar dhe se forca shtesë policore po dërgoheshin në qytet, pas bisedimeve me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
“Ne po luftojmë sepse kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, sepse çmimi i karburantit është shumë i lartë, sepse nxënësit e shkollave të mesme po sulmohen dhe plagosen dhunshëm në të gjithë vendin vetëm pse përpiqen të protestojnë dhe të kërkojnë më shumë mësues dhe kushte dinjitoze mësimi”, tha Lola, një protestuese 19-vjeçare në Paris.
Sipas një dëshmitari të Reuters, rreth 100 persona marshuan drejt pikës së nisjes së protestave, duke brohoritur parulla kundër policisë, përfshirë thirrjen “Të gjithë policët janë maskarenj”.
Macron, i cili bëri thirrje për qetësi të premten, po hyn në fazën përfundimtare të presidencës së tij, në një klimë politike të fragmentuar dhe nën presion në rritje për gjendjen e ekonomisë.
Përpjekjet e Francës për të ulur borxhin publik nuk kanë arritur të qetësojnë investitorët, duke i çuar kostot e huamarrjes së qeverisë në nivelet më të larta në më shumë se dy dekada.
Reagimi i policisë nën shqyrtim
Taktikat e përdorura nga policia janë përballur me kritika pas një sërë rastesh të plagosjes së demonstruesve, përfshirë një adoleshent që humbi njërën dorë pasi mori nga toka një granatë shurdhuese.
Kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi se edhe më shumë se 900 efektivë policie ishin plagosur gjatë trazirave.
Organi mbikëqyrës i policisë po heton të paktën 24 denoncime për dhunë policore. Franca kishte pezulluar përdorimin e granatave shurdhuese gjatë demonstratave të nxënësve, por ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se ato mund të përdoreshin sërish gjatë protestave të së shtunës.
Thirrjet në rrjetet sociale drejtuar pjesëmarrësve të lëvizjeve të mëparshme protestuese për t’iu bashkuar demonstratave duket se kanë zgjeruar pjesëmarrjen, duke rritur mundësinë e organizimit të protestave edhe më masive.
Lëvizja e Jelekverdhëve u shfaq në vitin 2018 si kundërshtim ndaj taksave mbi naftën, përpara se të shndërrohej në një protestë më të gjerë kundër kostos së jetesës dhe pabarazisë ekonomike.
Lëvizja humbi gradualisht intensitetin pasi Macron njoftoi ulje taksash me vlerë miliarda euro.
Yannick Maillou, një mësues nga La Crèche, në Francën perëndimore, i cili kishte marrë pjesë edhe në lëvizjen e Jelekverdhëve, tha se për protestat e së shtunës ishin organizuar disa pika grumbullimi në nivel lokal, ndërsa sindikatat po nxisnin gjithashtu pjesëmarrjen./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
